POLITIKA E SIGURISË

20 qershor 2021 | 12:08

Shkruan: Arben Dashevci

Makthi ynë i dialogut me Serbinë nuk do të përfundoj ,sepse as që ka filluar ende.

Fjalën makth po e arsyetoj me faktin që takimet janë zhvilluar ashtu siç janë zhvilluar dhe kur ka ardhur koha e zbatimit të marrëveshjeve të daluara nga ato takime me ndërmjetësim ndërkombëtarë janë neglizhuar dhe sabotuar nga Serbia prandaj është një makth i vërtetë që po na përcjell ende, me shpresën që do të përfundojë shpejt.

Është makth i vërtetë sepse në çdo bisedë me palën serbe ne kërkojmë të zhdukurit tanë e përgjigje nuk marrim. Për kundër kësaj ne marrim kërcënime të vazhdueshme, shantazhe, sabotazhe dhe propaganda të vazhdueshme prandaj është makth dhe mbetet kështu.

Takimet zhvillohen ashtu si po i shohim, por ky është kushti që duhet të përmbushet, tjetër rrugë nuk kemi, me shpresën që ky makth i quajtur dialog do të përfundoj njëherë e përgjithmonë që të frymojmë lirshëm si shtet.

Ne në të njëjtën kohë duhet të fokusohemi me tërë kapacitetin tonë në politikat e sigurisë, gjithmonë me moton sa më i sigurt je, po aq ke rehati si Shtet.

Janë bërë 22 vite pas luftës me okupatorin shekullorë, dhe që nga shpallja e pavarësisë kanë kaluar 13 vite e ne jemi ende me probleme të shumta tonat, dhe shtesë kemi problemin me Serbinë, që me propagandën e vet nuk ndalet kurrë, dhe qëllimi i vetëm i saj është destabilizimi i shtetit të Kosovë në format nga më të ndryshme të mundshme dhe ky është fakt i pa kontestueshëm.

Një gjë më duhet ta theksoj ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi institucionet tona legale ligjore dhe legjitime dhe ne vetëm kështu reagojmë ne çdo situatë pra si shtet i pavarur dhe sovran.

Mbrojtja

Sharl De Gol thoshte “Mbrojtja! është arsyeja e parë e qenies së shtetit. Ajo nuk mund të mungojë, përndryshe prishet vet Shteti.”

Mbrojtja dhe siguria janë kombëtare, sepse ato nuk kanë të bëjnë vetëm me mbrojtjen ushtarake dhe forcat e armatosura, por me të gjitha administratat përgjegjëse të funksioneve kryesore të shtetit ose të burimeve kryesore të jetës së vendit, konkretisht, të rendit publik dhe të sigurisë civile, të marrëdhënieve me jashtë dhe të diplomacisë, të financave, të lëndëve të para, energjisë, ushqimit dhe prodhimeve industriale, të shëndetit publik, të transportit dhe të telekomunikacionit, të punëve publike, të sigurisë së sistemeve të informacionit.

Shumë shpesh dëgjohet shprehja “politika është art i qeverisjes nëse mund të quhet art”.

Në qoftë se është kështu, atëherë edhe politika e sigurisë përfshin nevojën që në mënyrë konsistente e duke u bazuar në rezultatet e hulumtimeve shkencore për çështje të sigurisë si edhe të disiplinave tjera shkencore, duhet të formësojë përmbajtje globale nëpërmjet subjekteve të krijuara që e përbëjnë sistemin e sigurisë në shoqëri.

Në rrethanat komplekse politike e të tjera, politika e sigurisë duhet të tregojë me kohë aktualitetin e vet sepse është primarja dhe pa siguri nuk ka Shtet.

Ajo duhet të kuptojë problemet bashkëkohore të realitetit shoqëror.

Në qoftë se nuk është në gjendje ta bëjë këtë, ajo është e gjykuar të improvizojë, ndërsa pasojë e kësaj mund të jetë edhe keqësimi i situatës së sigurisë.

Politika e sigurisë është në ndërvarësi me të gjitha aspektet e aktivitetit të njeriut.

Veçantia e saj është ajo e cila përfshin të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe ngecja vështirëson formësimin dhe zbatimin efikas të saj.

Shtrirja e saj në marrëdhënie të ndryshme shoqërore tregon qartë se me çfarë përgjegjësie duhet t’i qasen formësimit dhe zbatimit të masave me karakter të sigurisë subjektet e sistemit të sigurisë.

Po ashtu kjo tregon se subjektet duhet të kenë pavarësinë e nevojshme  politike dhe veprimi I tyre duhet të jetë brenda kornizës së lejuar kushtetuese.

Për t’u miratuar politika përkatëse e sigurisë, ajo duhet të bazohet në kornizat shoqërore e politike, në vlerësimet e sigurisë, në vlerësimet e rrezikshmërisë dhe sidomos në rezultatet e hulumtimeve nga fusha e sigurisë, në njohuritë e fituara në praktikë, në krijimin e mjeteve të nevojshme materiale e teknike dhe në krijimin e kushteve të tjera për zhvillimin e shkencës mbi sigurinë, duke respektuar edhe njohuritë e disiplinave të tjera shkencore.

Pa një besim të nevojshëm asnjë sistem i sigurisë nuk mund ta kryejë funksionin e vet në shoqëri, për shkak të pluralizmit të interesave dhe kundërshtive që sjellin një serë implikimesh.

Politika e sigurisë para së gjithash, orientohet në krijimin e parakushteve të domosdoshme që do të mundësojnë formësimin e një bashkësie të dëshiruar demokratike e të sigurt nga pushteti politik.

Nga këto që u thanë deri më tash shihet se politika e sigurisë  është element kyç për funksionimin e një shteti.

Në krijimin e saj duhet të gjejnë shprehje të arriturat bashkëkohore civilizuese në të gjitha fushat, gjë që është shumë e rëndësishme për emanacionin e të gjitha postulateve demokratike.

Meqë jetojmë në një kohë me paqartësi, kundërshti e ndërlikueshmëri  të mëdha, të cilat shkaktojnë rrethana të lloj-llojshme  konfliktuoze, politika e sigurisë duhet të shpreh kuptimin e ekzistencës stabile të bashkësisë politike.

Një politikë e sigurisë imanente, efikase e preventive, do të sigurojë hapësirë të lirë demokratike dhe të sigurt ku do të zhvillohen aktivitetet e ndryshme politike e të tjera në shoqëri.

 Në bazë të kësaj, mund të jepet një definicion integral i politikës së sigurisë.

Në një shoqëri demokratike, pluraliste, juridike dhe civile, politikën e sigurisë të cilat themelohen mbi baza politike, demokratike dhe kushtetuese-juridike, mund ta definojnë si kornizë të masave dhe aktiviteteve komplekse në fushën  politike, ekonomike, sociale, të sigurisë, të mbrojtjes etj., të miratuar në pajtim me përmbajtjet shkencore dhe analizën praktike profesionale e operative të vatrave të rrezikut, operacionalizmit i së cilës zhvillohet dhe drejtohet nëpërmjet nënsistemeve legjitime të shtetit të cilat kanë funksione të precizuara qartë, gjithnjë duke respektuar parimet e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së aktivitete që i zhvillojnë në pajtim me vlerat demokratike të shoqërisë dhe me qëllim të mbrojtjes së jashtme dhe të brendshme të sigurisë së shoqërisë.

 

Po e përfundoj me këtë thënie te famshme

“Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-mbrojtësi i Milanit, Alesandro Nesta ka rikthyer në memorien e…