Politikanët në luftë, ekonomia në rrënojë: Kush e paguan faturën e kaosit në Kosovë?

20 nëntor 2025 | 16:32

Shkruan: Nazmi Jusufi, ekspert i ekonomisë dhe financave

Kosova ndodhet sot në një krizë të dyfishtë: politike dhe ekonomike. Por këto dy kriza nuk janë të ndara, përkundrazi, kriza politike është burimi kryesor i humbjeve ekonomike që po vuajnë qytetarët çdo ditë. Çdo vonesë në formimin e qeverisë, çdo mosmarrëveshje në Kuvend, çdo zvarritje e reformave të domosdoshme po kthehet në humbje reale financiare.
Humbjet konkrete financiare janë alarmante: 1. Fondet e Bashkimit Evropian që mund të përmirësonin infrastrukturën, energjinë, mjedisin dhe digjitalizimin aktualisht janë rreth 613 milionë euro të pezulluara ose të vonuara. 2. Nga këto, 7.1 milionë euro janë humbur plotësisht për shkak të skadimit të afateve dhe paaftësisë institucionale për t’i shfrytëzuar. 3. Sektorët më të goditura janë mjedisi (350.7 milionë), energjia (114.4 milionë), dixhitalizimi (57 milionë) dhe kultura (15 milionë). 4. Çdo ditë pa një qeveri funksionale, Kosova humb rreth 3 milionë euro që mund të shkonin drejt projekteve zhvillimore dhe përmirësimit të shërbimeve publike.
Efektet tek qytetarët janë të drejtpërdrejta: Largimi i rinisë dhe i fuqisë punëtore nga vendi, standardi i jetesës ulet, shërbimet publike mbeten të papërmirësuara dhe investitorët e huaj hezitojnë të investojnë në një vend të paqëndrueshëm politikisht. Projekti i energjisë, transformimi digjital, infrastruktura dhe kultura do të ngecin, ndërkohë që qytetarët paguajnë faturën. Nuk janë humbje abstrakte, por projekte reale që ndikojnë në jetën e përditshme.

Kush është përgjegjës?

Politika kosovare mbetet përgjegjëse kryesore. Partitë që luajnë lojëra pushteti mbi interesat kombëtare dhe nuk arrijnë të formojnë institucione funksionale po bëjnë që vendi të humbasë miliona euro. Administrata dhe institucionet publike, me paaftësinë e tyre për të menaxhuar afatet dhe projektet, kontribuojnë në këtë dështim. Madje, edhe Bashkimi Evropian shpesh nuk mund të ndërhyjë për të shmangur vonesat që shkaktohen brenda vendit.
Pasojat afatgjata: Nëse kjo zvarritje vazhdon, Kosova nuk rrezikon vetëm humbje financiare. Ajo rrezikon të ngelet prapa në zhvillim, të humbasë investitorë strategjikë, të mbetet vend me rritje të ulët ekonomike dhe të përkeqësojë standardin e jetesës për qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të cilët po largohen masivisht nga vendi.
Dhe si konkluzion i gjithë kësaj: Kosova nuk mund të vazhdojë kështu. Çdo ditë e humbur ka pasoja te mëdha ekonomike për qytetarët. Politikanët duhet të vendosin stabilitet dhe reforma reale mbi interesat e ngushta partiake. Qytetarët nuk mund të paguajnë më për paaftësinë e tyre.
Kosova ka nevojë për një qasje serioze dhe të vendosur: integrim më i thellë evropian, shfrytëzim maksimal i fondeve dhe reforma që ndihmojnë qytetarët të përfitojnë nga zhvillimi. Nëse politika nuk e bën këtë, humbjet nuk do të jenë vetëm financiare, por do të jenë me pasoja afatgjate për të ardhmen e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka thënë se presidentja e Kosovës,…