
Polonia paralajmëron Rusinë: Mos prekni kufijtë
“Për Poloninë dhe partnerët e saj evropianë duhet të jetë e qartë se kufijtë nuk mund të ndryshohen me force”.
Paralajmërimi vjen nga kryeministri polak, Donald Tusk, i cili ka theksuar përpara gazetarëve në Varshavë pas konsultimeve të fundjavës midis udhëheqësve evropianë.
Kryeministri polak, Donald Tusk është shprehur: “Rusia nuk duhet të jetë në gjendje të përfitojë nga pushtimi i Ukrainës. Perëndimi, përfshirë vendet evropiane, nuk do të pranojë kërkesat ruse që thjesht çojnë në konfiskimin e territorit ukrainas. Moska mund të mendojë në këtë mënyrë se t`i sfidojë kufijtë e vendeve të tjera pa u ndëshkuar.”
Duke kujtuar historinë polake, Tusku ka përsëritur parimin “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”.
“Ne e dimë nga historia dhe Polonia shpesh ka qenë viktimë e kësaj se kur fuqitë e mëdha vendosën fatin e vendeve të tjera pa pjesëmarrjen e tyre në negociata, pasojat kanë qenë të rënda”, ka thënë ai.
Volodimir Zelensky nga ana tjetër, ka deklaruar se lëshimet nuk e bindin një vrasës.
“Një javë tjetër ka mbaruar pa asnjë përpjekje nga Rusia për të përmbushur kërkesat e shumta të bashkësisë ndërkombëtare dhe për të ndaluar vrasjet. Vetëm në 24 orët e fundit, në front kanë ndodhur 137 përleshje të armatosura, dhe kjo ndodh çdo ditë. Ushtria ruse nuk po e zvogëlon presionin e saj dhe nuk po i merr parasysh humbjet e saj. Rusia po e zvarrit luftën e refuzon të ndalojë vrasjet dhe për këtë arsye nuk duhet të marrë asnjë shpërblim apo përfitim. Ky nuk është vetëm një qëndrim moral, por edhe racional”, ka thënë ai, duke shtuar se vetëm javën e fundit, rusët kanë përdorur më shumë se një mijë bomba ajrore dhe gati 1 400 dronë ushtarakë kundër Ukrainës.