
Polonia rrëzoi për herë të parë dronë rusë!
Polonia ka deklaruar, se ka shkatërruar për herë të parë dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore. Gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës, hapësira e saj ajrore është shkelur në mënyrë të përsëritur nga dronë, raportoi komanda ushtarake polake. Ushtria raportoi më shumë se një duzinë dronësh. Disa u rrëzuan. “Ky si një akt agresioni përbënte një kërcënim real për sigurinë e popullsisë”, u tha në një deklaratë nga Komanda e Lartë e Forcave të Armatosura në X. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shkroi në X se ishte në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqjen e ushtrisë, ministrin e mbrojtjes dhe presidentin. Ai thirri një seancë të jashtëzakonshme qeveritare.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz njoftoi se edhe NATO është informuar për këtë vendim. Njësitë e sigurisë kombëtare të ushtrisë janë udhëzuar të kërkojnë në terren për mbeturinat nga dronët e rrëzuar, sipas autoriteteve polake. Sipas policisë, droni i parë u gjet në fshatin Czosnowka të Polonisë lindore. Kosiniak-Kamysz u bëri thirrje qytetarëve të mos i afrohen mbeturinave dhe të informojnë policinë, nëse i gjejnë. Banorëve në qarqet Podlaskie, Mazovia dhe Lublin iu kërkua të qëndrojnë në shtëpi.
Sipas Autoritetit Federal të Aviacionit të SHBA-së (FAA), katër aeroporte u mbyllën përkohësisht, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Varshavës. Një pjesë e hapësirës ajrore mbi Poloni ishte mbyllur për shkak të aktiviteteve ushtarake, u tha. Edhe aeroportet në Lublin dhe Rzeszow në lindje të vendit u prekën gjithashtu. Depërtimi i dronëve në hapësirën ajrore polake pasoi orë të tëra sulmesh ajrore ruse në Ukrainën perëndimore. Javët e fundit, kanë hyrë vazhdimisht dronë në hapësirën ajrore mbi Poloni dhe janë rrëzuar. Nuk ka pasur të lënduar. Ministri i Mbrojtjes kishte deklaruar të martën se dronët mund të qëllohen në të ardhmen nëse kjo do të ishte e justifikueshme. Vendimi do të duhej të merrej nga ushtria rast pas rasti. Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një aleate e rëndësishme politik dhe ushtarake e Ukrainës, së sulmuar nga Rusia. Vendi shërben gjithashtu si një qendër logjistike qendrore për ndihmën ushtarake perëndimore për Kievin.
Lexo artikullin: https://www.dw.com/sq/polonia-goditi-p%C3%ABr-her%C3%AB-t%C3%AB-par%C3%AB-dron%C3%AB-rus%C3%AB/a-73942252