Portreti letrar i Skënder Drinit
Agim Vinca
Rrënjët e familjes dhe heshtja e shkrimtarit
Skënder (Riza) Drini (Voskopojë, 09.08.1935 – Shkodër, 16.12.2014), siç tregon edhe mbiemri i tij, ishte me origjinë nga Struga. Voskopoja është rastësisht vendlindja e tij, sepse babai i tij, Riza Drini, kishte shërbyer aty në kohën kur lindi i biri (1935), mirëpo rrënjët e tij në të vërtetë ishin nga Struga. Aty, në qytezën buzë Drinit të Zi, kishte lindur dhe ishte rritur babai i Skënderit, Rizai dhe kishte jetuar e kishte vdekur (i vrarë nga komitët bullgarë) gjyshi i tij, Dehari, Dehar Drini (Struga). Nëna e Skënderit ishte nga Dibra e Madhe, nga një familje e njohur dibrane. Rizai dhe Naxhija, si quhej bashkëshortja e tij, lindën tre fëmijë, që të tre djem: Skënderin, Gencin dhe Bardhylin. Dy të parët, Skënderi dhe Genci, erdhën në jetë në Voskopojë, në kohën kur babai i tyre ishte kryetar komune, në vitet 1932-1938, kurse i treti, Bardhyli, në Shkodër, ku kaloi me shërbim më vonë Rizai dhe ku familja Drini u vendos përgjithmonë.
Emrin e babait të Skënderit, Riza Drinit, e kam dëgjuar që në fëmijëri (përmendej si patriot dhe nacionalist shqiptar), por Skënderi s’para fliste për të atin, e as për familjarët e tjerë. Madje edhe kur unë e hapja këtë temë, ai i shmangej. Persekutimi i babait të tij, Rizait, nga regjimi komunist (dënimi me burg pas luftës), nuk ishte temë e pëlqyer e Skënderit, madje as pas vitit 1990 kur kjo temë u bë refren në Shqipëri. As vendlindja e të parëve nuk ishte pjesë e interesimit të tij. Skënderi e ndiente veten shkodran dhe shqiptar në përgjithësi.
Dhe, mbi të gjitha, shkrimtar.
E kam njohur Skënder Drinin dhe kam pasur miqësi me të. Gjatë vizitave të mia në Shqipëri në vitet shtatëdhjetë e kam takuar vetëm një herë, rastësisht, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë (nëntor 1979), por më patën folur për të disa miq të tij dhe të mitë. Nuk mbaj mend kur dhe ku ka ndodhur takimi ynë i radhës, por kontaktet tona pak më të rregullta janë relativisht të vona: nga koha kur Skënderi e kreu misionin diplomatik në Turqi dhe u kthye në Shqipëri.[1] Kemi pasur një lloj korrespondence, tek-tuk ndonjë bisedë telefonike, por edhe takime të drejtpërdrejta në Prishtinë dhe në Shkodër. Kemi shkëmbyer libra dhe kemi bërë edhe ndonjë shkrim për njëri-tjetrin, natyrisht unë më shumë se ai, jo vetëm pse isha më i ri, por edhe pse më takonte si studiues i letërsisë. Në një rast, në verë të vitit 2007, e kam vizituar në shtëpinë e tij në Shkodër, ku ai jetonte vetëm me bashkëshorten, në një apartament pranë sheshit Isa Boletini. (Nga banesa e Skënderit shihej shtatorja e Heroit në mes të sheshit). Po kthehesha nga Ulqini, ku kisha marrë pjesë në Panairin e Librit dhe nuk mund të kaloja nëpër Shkodër pa e vizituar mikun tim, me të cilin na lidhte, pos të tjerash, edhe origjina e përbashkët.
Skënderi ishte njeri i çuditshëm. As në takimin në shtëpinë e tij, ku ishim vetëm unë e ai dhe gratë tona, nuk foli për familjen, për prindërit, e as për vendin nga vinte babai i tij, që kishte mbajtur si peng gjatë gjithë jetës emrin e lumit të vendlindjes, Drini, të cilin do ta trashëgonte edhe i biri i tij shkrimtar. Ndryshe nga ç’ndodhte, fjala vjen, me Remzi Përnaskën, me të cilin në çdo takim e bisedë Struga, vendlindja e nënës së tij (bijë e familjes Sojli), ishte e pashmangshme, me Skënderin nuk di të kemi folur ndonjëherë në këtë temë, me gjithë dëshirën dhe insistimin tim.
Në këtë plan, në raport me vendlindjen e të parëve, gjuhëtari tregohej shumë më emocional se shkrimtari.
Kur flitet për Skënder Drinin si njeri dhe shkrimtar nuk mund të mos përmendet edhe një fakt. Bashkëshortja e tij, Karolina (shkodrane, katolike), ishte invalide, e paralizuar pas një sëmundjeje që në vitin e parë të martesës dhe e ngujuar në shtëpi. Skënderi kujdesej për të dhe për veten. “Çuditem – thoshte – se si njerëzit thonë: ‘Nuk kam kohë!’ Unë i bëj punët e shtëpisë, laj, pastroj, gatuaj dhe gjej kohë edhe për të shkruar. Ulem dhe shkruaj!”.
Mos vallë edhe kjo rrethanë kishte ndikuar që Skënderi të tregohej shpërfillës ndaj “mitit” të familjes dhe origjinës? Nuk përjashtohet kjo mundësi, ndonëse ai nuk ishte aspak indiferent ndaj problemeve të shoqërisë shqiptare dhe fatit të kombit shqiptar në përgjithësi. Përkundrazi.
Kosova ishte në fokus të interesimit të Skënder Drinit, madje rrallë kam parë te kolegët e tij shkrimtarë dhe intelektualë në Shqipërinë shtetërore një interesim aq të gjallë, por Struga dhe shqiptarët në Maqedoni shumë më pak. Vetëm në një rast, në një letër që kishte si shkas një shkrim timin për Arbën Xhaferin me rastin e vdekjes së tij, më shkruante: “… nuk di pse nuk ta kam thënë që duhet të spostohesh paksa më shumë nga Maqedonia. Mirë apo keq, në Kosovë ka ca njerëz që mund të bëjnë njëfarë pune, kurse në Maqedoni mungojnë shqiptarët e ditur dhe patriotë”. (Letër e vitit 2012, 13 shtator).
Një miku im i vjetër nga Tirana, shkrimtar dhe ai, nuk qe pajtuar me qëndrimin që kisha mbajtur unë ndaj Arbën Xhaferit si politikan (i qe dukur sikur e kisha “denigruar” pak) dhe ma shfaqi mendimin e tij me shkrim si një qortim miqësor, kurse Skënderi bëri të kundërtën, më përgëzoi pikërisht për këtë qëndrim.
I tillë ishte Skënderi, i cili, edhe pse një kohë punoi diplomat (atashe kulturor në Stamboll), ishte jokonformist.
As për karrierën e vet diplomatike nuk fliste. Madje sikur qe penduar që kishte pranuar t’i shërbente një nomenklature politike që e kishte sjellë Shqipërinë në prag të greminës në vitin 1997. Nëse për këtë heshtte, vendimin për të hequr dorë përkohësisht nga letërsia dhe për t’u marrë me publicistikë, e theksonte fort. “Kur filloi lufta në Kosovë, në vitet 1998-’99, unë i thashë vetes: ‘Skënder, tani boll më me letërsi! Koha kërkon të kontribuosh në tjetër mënyrë: me analiza politike për situatën në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në botë!”.
Kështu fliste Skënder Drini, njeriu që luftoi në mënyrën e vet për lirinë e Kosovës, duke vazhduar t’i shfaqte pikëpamjet edhe për punët që duheshin bërë pas çlirimit të saj deri në krijimin e Kosovës shtet. Të vihet re mënyra se si e evokonte atë çast të jetës, duke iu drejtuar vetes me emër: “Skënder!”, çka tregon se ai qe dhe mbeti në thelb shkrimtar.
Kritik ndaj vetes, Skënder Drini nuk mund të mos ishte kritik edhe ndaj të tjerëve, si njeri, si shkrimtar dhe si intelektual.
Mos vallë i tillë, kritik, ishte edhe ndaj babait të vet, Riza Drinit, i cili, megjithëse atdhetar e nacionalist, kishte shërbyer nëpunës e funksionar në kohën e sundimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë?
Nuk di të jetë prononcuar ndonjëherë për këtë, as me gojë, as me shkrim, por fakti që nuk fliste pothuajse fare për babanë, madje as pas rënies së sistemit komunist, është sinjifikativ. Me sa di, Skënderi nuk e vizitoi ndonjëherë “qytezën e bukur buzë Drinit të Zi”, si e quante babai i tij Strugën, edhe kur u krijuan mundësitë për këtë. As gjatë vizitave në Prishtinë nuk shfaqte interesim për gjurmët që kishte lënë i ati gjatë shërbimit prefekt në këtë qytet në periudhën shkurt-shtator 1942.
Treva e Strugës, nga e cila kanë dalë jo pak shkrimtarë, do ta kishte për nder ta kishte në radhët e veta autorin e Shembjes së idhujve dhe të sa e sa veprave të tjera kapitale, Skënder Drinin, por Skënderi ishte indiferent ndaj përkatësive të tilla. Ai ishte njeri dhe shkrimtar jashtë kornizave.
Nga brigjet e liqenit të Ohrit te liqeni i Shkodrës
Familja e shkrimtarit Skënder Drini ishte nga Struga. Thuhet se ishte familje e kamur dhe e respektuar, por që do ta ndjeknin, si shumë familje të tjera shqiptare, mynxyra të shumta. Në vitin 1907, gjyshin e Skënderit, Dehar Drinin, e vrasin bullgaro-maqedonasit. Bashkëshortja e tij, Shadije hanëmi, mbetet e vejë me dy fëmijë të vegjël, Rizain dhe Raifin. Në moshën 14 vjeç, vëllai i vogël i Rizait, Raifi, shti në njërin nga vrasësit e babait dhe detyrohet të arratiset në Shqipëri, kurse nga Shqipëria në Amerikë, nga ku nuk kthehet më.
Mbetet Rizai për ta vazhduar jetën e familjes që, me gjithë telashet që i ranë mbi krye, arriti të mbijetonte, por jo në vendlindje. Rrethanat historike bënë që familja strugane Drini të zhvendosej nga vendlindja e të parëve buzë liqenit të Ohrit dhe të zinte vend në qytetin e lashtë buzë liqenit të Shkodrës.
Pas Strugës e Ohrit, Voskopojës e Korçës dhe qëndrimeve të përkohshme (me detyrë) në disa qytete të tjera të Shqipërisë e të Kosovës, familja e Riza Drinit do të vendosej përfundimisht në qytetin e Shkodrës.[2]
Po kush është Riza Drini dhe ç’përfaqëson ai?
Sipas autorëve të librit kushtuar Riza Drinit, Një jetë për shqiptarinë, të botuar në vitin 2022, Riza Drini ishte njeri që ia kushtoi tërë jetën kombit dhe atdheut. Edhe pse është shkruar kryesisht mbi bazën e kujtimeve familjare dhe nga pozitat e asaj pjese të historiografisë shqiptare të kohës sonë, që merr përsipër, herë-herë, të rehabilitojë edhe figura të komprometuara si bashkëpunëtorë të fashizmit, ky libër ofron të dhëna që dëshmojnë se Riza Drini ishte njeri që e donte vendin e vet, por që në një periudhë të caktuar të jetës kishte zgjedhur rrugën jo të duhur, për të mos thënë të gabuar, për t’i shërbyer atij.
Ndonëse nuk kishte poste të larta gjatë kohës së okupimit (1939-1944), ai ishte, megjithatë, pjesë e aparatit administrativ të pushtuesve të vendit.
Por, para se të vijmë te kjo kohë, të themi disa fjalë për jetëshkrimin e tij, duke u bazuar kryesisht te libri i autorëve Genc Drini (i biri i Rizait) dhe Ardian Muhaj, historian.
Riza (Dehar) Drini (1895-1966) lindi në Strugë. Aty kreu shkollimin fillor në gjuhën turke, pastaj vazhdoi shkollimin në Manastir e Elbasan, kurse studimet në shkollën e oficerëve i ndoqi në Stamboll, por e braktisi profesionin e oficerit.[3]
Pas Luftërave Ballkanike, vendlindja e tij, Struga, sikurse edhe një pjesë e madhe e trojeve shqiptare, mbeti nën Serbi, gjë që Rizai i ri do ta përjetonte rëndë. Në një vjershë kushtuar Drinit të Zi, do të shkruante: “I dhe ujë Serbisë barbare,/ më vjen të pi ujët e të thaj fare”.[4] Gjatë kohës së studimeve në Stamboll dhe më pas, për disa vjet me radhë, zhvilloi aktivitet të gjerë në shoqatën atdhetare Djelmënia. Në vitin 1921 u kthye në Shqipëri. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit dhe, për pasojë, u detyrua të largohej nga atdheu. Duke përfituar nga amnistia që shpalli Zogu më 1931, rikthehet në Shqipëri dhe ushtron detyra me rëndësi në administratën shtetërore.
Një vit pas kthimit në Shqipëri emërohet kryetar komune në Voskopojë, detyrë në të cilën do të qëndrojë një kohë të gjatë (1932-1938). Siç dëshmojnë bashkëkohësit, aty Rizai, me gjithë vështirësitë e shumta, falë punës këmbëngulëse, arriti të bënte ndryshime të mëdha jo vetëm në infrastrukturë, në Voskopojë e rrethinë, por edhe në mentalitetin e njerëzve. Njeri i drejtë e parimor, Rizai, me sjelljen dhe qëndrimin e tij, do t’i zbuste mospajtimet (ideologjike, politike, fetare etj.), që zotëronin mes banorëve të qytezës që dikur (në shek. XVII-XVIII) kishte qenë qendër e madhe kulturore, por, me kalimin e kohës, ishte katandisur në një katund të thjeshtë. Si përfundim, Voskopoja është faqe e ndritur e jetëshkrimit të Riza Drinit, por edhe një ogur i mbarë për familjen e tij. Aty erdhën në jetë dy djemtë e tij të mëdhenj, Skënderi dhe Genci, kurse i treti, Bardhyli, do të lindë në Shkodër. (Edhe emrat e fëmijëve: Skënder, Genc dhe Bardhyl, flasin për formimin kombëtar të babait të tyre).
Puna që bëri në Voskopojë do të ndikojë që Rizait t’i besohen edhe detyra të tjera të ngjashme: nënprefekt në Ersekë, në kohën e Monarkisë (1938), por edhe gjatë pushtimit fashist: prefekt në Tiranë, Prishtinë, Gjilan dhe Shkodër, ku e zuri edhe mbarimi i luftës dhe revanshi i pushtetit të ri ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
(Më parë, në vitin 1924, në kohën e Nolit, Rizai e kishte ushtruar detyrën e nënprefektit në Krumë, ku edhe u martua, “në kohë lufte”, me insistimin e të ëmës, Shadijes dhe me bekimin e çiftit Bajram Curri e Dervishe Hanëmi).[5]
Në vitet 1941-1944 ishte shumë i pranishëm në Strugë e rrethinë, ku bënte përpjekje të pareshtura që Struga dhe fshatrat e saj të mbeteshin në zonën okupuese italiane (e jo bullgare), por edhe ta pengonte depërtimin e ideve komuniste te banorët e kësaj zone. Si përfaqësues i Ballit Kombëtar kërkonte nga banorët e Strugës dhe të katundeve përreth, që të mos afroheshin me brigadat partizane, duke apostrofuar me emër e mbiemër komandantin jo pa ndikim në këtë zonë dhe më gjerë, Haxhi Lleshin.[6]
Duhet thënë edhe diçka. Pushtimi italian në viset e mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë së cunguar të vitit 1913 u përjetua si një lloj çlirimi në krahasim me periudhën e robërisë serbe. Prandaj bashkëpunimi me autoritetet italiane (më vonë edhe ato gjermane) dhe me qeveritë e instaluara në Tiranë në vitet 1941-1944, duhen parë në mënyrë më fleksibile. Në viset këndej kufirit të ’13-s, përfshirë edhe Strugën, për herë të parë u hapën shkollat shqipe, u lejua përdorimi i flamurit kombëtar, u vunë bazat e administratës në gjuhën shqipe, u bë e mundur shprehja e ndjenjave kombëtare dhe e krenarisë së të qenit shqiptar etj. Populli shqiptar i kësaj ane këtë e quan “koha e Shqipnisë” dhe e kujton me nostalgji.
Shikuar në planin global, bashkëpunimi me “boshtin” (Romë-Berlin-Tokio), në kohën kur në botë po krijohej koalicioni antifashist, pavarësisht nga qëllimet e mira që mund të kishin, ishte gabim strategjik i “kombëtaristëve shqiptarë”.
Në dhjetor 1940, Riza Drini, atëbotë prefekt i Shkodrës, mbajti “fjalimin kryesor” në varrimin e At’ Gjergj Fishtës. Ky është, me sa dimë, i vetmi veprim për të cilin ka lënë diçka të shkruar (është shprehur me shkrim) i biri i tij shkrimtar, Skënder Drini.[7]
Për shkak të qëndrimit ndaj Luftës Nacionalçlirimtare, në nëntor të vitit 1944 Riza Drini arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg, por i zbritet dënimi (nga Këshilli i Ministrave) në 5 vjet. “Isha i bindur se i shërbeja popullit”, do të deklaronte në gjyq në mars të vitit 1945. Lirohet nga burgu në 49-n, por nuk i jepet punë e përshtatshme për moshën dhe shëndetin tij, kurse në vitin 1956, pas ngjarjeve në Hungari, internohet në Lushnjë dhe Kurvelesh gati dy vjet (f. 375).
Kur u dënua i ati (1945) Skënderi ishte fëmijë, 9 vjeç, ndërsa kur vdiq (1966) sapo kishte filluar karrierën e shkrimtarit. E përjetoi botimin e librit të parë të të birit, vëllimit me tregime për fëmijë, Tregimet e së shtunës (1965). “Rizai kthehet në shtëpi me libër në dorë. S’e mbante vendi nga gëzimi”,[8] dëshmon e shoqja. (Nga fotografitë e vëna në fund të librit shihet se Riza Drini ishte burrë i pashëm e elegant).
Një vit më vonë, më 25 maj 1966, vdes si pasojë e sëmundjes, por edhe e kujdesit të pamjaftueshëm mjekësor.[9] E ngjizur 71 vjet më parë në Strugë, jeta e Riza Drinit shuhet në Shkodër, në qytetin në të cilin do të jetojë e krijojë një nga shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe, i biri i tij, Skënder Drini.
Lista e veprave dhe simbolika e titujve
Skënder Drini hyn në radhën e shkrimtarëve të frytshëm. Opusi i tij krijues përbëhet nga dhjetëra vepra në prozë: tregime, novela e romane, kryesisht për të rritur, por edhe për fëmijë, si dhe nga dy vepra publicistike dhe një libër me aforizma. Se sa ishte i frytshëm ky shkrimtar mund të shihet nga lista e veprave të tij, që po e japim më poshtë:
- Tregimet e së shtunës,1965
- Tregime për botën tonë: për fëmijë të moshës së re shkollore,1967
- Do të luajmë pas luftës,1967
- Shqipja e kreshtave tona I dheII, roman, 1967, 1971
- Kënga e dritës,1970
- Kumbimet e reja të pyjeve,1972
- Njeriu Gjigant,1973
- Kompania e katërt,roman për fëmijë, 1973
- Shembja e idhujve,roman, 1975
- Tregime të zgjedhura për fëmijë,1976
- Tregimet e Veriut,tregime, 1977
- Midis dy kohëve,roman, 1978
- Vraje tradhtinë,roman, 1980
- Kirurgët,roman, 1984
- Bajram Curri,biografi e letrarizuar, 1984
- Njerëzit dhe deti,1987
- Rruga e njeriut,novelë e tregime, 1990
- Tanush Martini,roman, 1990
- Ishulli i qetë,1996
- Eklipsi i hënës,roman, 1998
- Koha në absurd (analiza, ese), 1999 (?)
- Kthim në vetvete (Shekulli i Kosovës), refleksione,2000
- Përballje: aforizma dhe sentenca,2002
- Nata është grua,roman, 2004
- Mjeshtri dhe dishepulli,2005
- Korbi,roman, 2007
- Somnambul,2008
- Parajsa e gjenive,2008
- Klas,tregime, 2008
- Planeti i lodhur,2011
- Testament, tregime, 2014.
Në qoftë se titulli është monogram i përmbajtjes së veprës, atëherë titujt e veprave të Skënder Drinit mund të ndahen në tri kategori. 1. Tituj metaforikë: Ishulli i qetë, Eklipsi i hënës, Nata është grua, Planeti i lodhur; 2. Vepra që kanë si titull emrin e kryepersonazhit, traditë e lashtë në letërsi: Bajram Curri, Tanush Martini. (Te Shqipja e kreshtave tona autori është përcaktuar për titull metaforik e jo për emrin e heroit, Skënderbeut). 3. Tituj t’i quajmë transparentë: Shembja e idhujve dhe Vraje tradhtinë. Te këto dy romane, ndër më të njohurit e autorit, shprehet që në titull ideja e veprës: përmbysja e idhujve të rremë të klerit dhe borgjezisë shqiptare (te Shembja e idhujve) dhe goditja për vdekje e tradhtisë kombëtare (te Vraje tradhtinë).
Korbi është një kategori e veçantë: alegori e fatit të njeriut në sistemet totalitare, por edhe në shoqëritë e dehumanizuara. Rrëfimi i kësaj vepre, që ka si kryepersonazhe një njeri dhe një korb, është alegorik, por jo tërësisht koherent. Si shkrimtar me formim realist, Drinit i shpëton ndonjë “detaj”, që ka të bëjë me elementin fantastik si tipar i letërsisë moderne. Kështu, në vend se: “Mes tyre mund të zhvillohej ky dialog” (f. 32), dialogu mes korbit dhe njeriut thjesht duhet të zhvillohet, sepse korbi në roman është personazh!
Libri i fundit i Skënder Drinit, vëllimi me tregime Testament, i botuar në vitin 2014, ka titull një fjalë të vetme: fjalën biblike “testament”. Aty autori, i zhgënjyer nga rrethi dhe shoqëria, madje më shumë pas sesa para “përmbysjes”, flet edhe për funeralin e vet: “Nuk dua funeral publik” dhe “nuk dua të më përcjellin klerikë”, kurse si moto vë vargjet: “Qielli mbi tokë, toka nën qiell/ Nuk shoh as re, nuk shoh as diell…”, që shprehin revoltë e pesimizëm dhe që do të mund të shërbenin edhe si epitaf mbi varr.
Si u trajtua shkrimtari dhe vepra e tij në kohën e diktaturës
Pjesa më e madhe e veprës së Skënder Drinit është krijuar dhe botuar gjatë sistemit komunist, pra në kohën e diktaturës.
Edhe pse i biri i një babai të dënuar nga regjimi, Skënder Drini nuk e pati të ndaluar botimin. Nga lista e veprave mund të shihet se ritmi i botimeve të tij ishte bukur i shpeshtë, gati për çdo vit nga një libër, ndonjëherë, madje, edhe dy brenda të njëjtit vit. Pas botimit të romanit Shembja e idhujve (1975), vepër e vlerësuar nga kritika e kohës, Skënder Drini do ta fitojë statusin e “shkrimtarit të lirë në profesion”, që ishte një lloj mecenati në Shqipërinë socialiste. Për kontributin e tij në letërsi iu dha Çmimi i Republikës i shkallës së parë, çmimi më i lartë letrar në Shqipëri.
Pas vitit 1990, si shumica e intelektualëve shqiptarë, ai do të afrohej me forcat e reja politike që dolën në skenë dhe, madje, edhe do të joshej për një çast me ndonjë post (shërbimi diplomatik në Turqi), por pa kaluar shumë kohë do të zhgënjehej nga klasa politike e vendit për shkak të shpërdorimit të pushtetit dhe degradimit të shtetit. Do të tërhiqej në vetmi, gjendje në të cilën kishte qenë pothuajse gjithmonë, duke komunikuar me një rreth të ngushtë miqsh dhe duke i kanalizuar energjitë e tij në drejtim të Kosovës.
Do ta vazhdonte krijimtarinë letrare, tani pa kufizimet e mëparshme, por pa hequr dorë nga modeli i konsoliduar i shkrimit, veçanërisht në planin gjuhësor dhe stilistik.
Edhe pse nuk hynte në radhën e shkrimtarëve të privilegjuar, megjithatë do të ketë një trajtim që mund të quhej normal, në mos edhe dinjitoz në sistemim e kaluar, ndryshe nga ç’do të ndodhte, herë-herë, më vonë, në periudhën e demokracisë.
Mjafton të shihet se si trajtohet ky shkrimtar në botën e digjitalizuar, ku paraqitet si “Skënder Drini shkrimtar, diplomat dhe shahist shqiptar”. Kjo është fjalia e parë që shfaqet në ekran kur kërkon në “google” të dhëna për të! Shkrimtari, diplomati dhe shahisti vihen në të njëjtin rrafsh! Tingëllon si tallje me njeriun i cili të shkruarit e veprave letrare e kishte jo vetëm vokacion, por edhe profesion jetësor! Pa mohuar lojën e shahut, letërsia për të ishte fjala e parë dhe e fundit, me një fjalë gjithçka. Formula “shkrimtar, diplomat, shahist”, prandaj, është një non sens dhe paradoks. Është pak a shumë si të thuash se ishte edhe duhanpirës, sepse pothuajse në secilën fotografi shihet me cigare në gojë![10]
Skënder Drini i takon kategorisë së shkrimtarëve për të cilët letërsia ishte barazi me jetën. Puna krijuese për të ishte kompensim shpirtëror, kurse botimi i veprave satisfaksion moral.
Para vitit 1990 veprat e Skënder Drinit, sikurse edhe ato të shkrimtarëve të tjerë, janë botuar te shtëpia botuese shtetërore “Naim Frashëri” në Tiranë; disa syresh janë ribotuar ose lëshuar në shitje edhe në Prishtinë, kurse duke filluar nga vitet nëntëdhjetë do të botohen kryesisht në Shkodër, te shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, të cilën e drejtonte miku dhe kolegu i tij Hasan Lekaj, por edhe te ndonjë botues tjetër, më pak i njohur.
Disa thekse kritike
Në Historinë e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (1978) romani Shembja e idhujve cilësohet si “një nga veprat më të mira të kësaj periudhe” (fjala është për periudhën pas Plenumit IV të KQ të PPSh-së, që u mbajt në qershor të vitit 1973). “Autori me një stil konciz ka skalitur karaktere tipike malësorësh, të dhënë në mjedise tipike me ngjyra lokale dhe në marrëdhënie shoqërore të vizatuara me vërtetësi. Konflikti i mprehtë dhe i besueshëm që qëndron në bazë të subjektit, zë fill në luftën midis fshatarëve të ndershëm, që nisin dalngadalë të fitojnë ndërgjegjen e tyre klasore, dhe mësuesit përparimtar, bartës mendimesh të reja, nga njëra anë, dhe figurës komplekse e tinëzare të priftit e të kapedanit, nga ana tjetër. Kjo vepër jep një copë jetë të gjallë nga ajo kohë (..). Romani flet se autori e zotëron mjeshtrinë letrare”.[11]
Interpretimi është, siç mund të shihet, kryesisht ideologjik (fshatarë të ndershëm, ndërgjegje klasore, mendime përparimtare, mjedise tipike), por ka edhe disa grimca letrare estetike (stil konciz, figurë komplekse, subjekt dhe mjeshtëri letrare).
Për Skënder Drinin si shkrimtar flet edhe Robert Elsi te Historia e tij e letërsisë shqipe (një gjysmë faqe tekst me fotografi). Përmend titujt e disa veprave, kurse për romanet Shembja e idhujve dhe Midis dy kohëve flet në mënyrë të përgjithësuar. Për të parin thotë se “jep një tablo të gjallë të zakoneve vendore të Shqipërisë së Veriut” dhe “krijon një kuadër ideologjik në udhëkryqin midis traditës dhe progresit”; kjo “dikotomi e jetës fshatare – thekson më tutje – personifikohet nga një prift fshati, dom Engjëll Shtjefni, i cili mishëron planet djallëzore të kishës katolike dhe nga një mësues i ri (komunist), që përpiqet t’i sjellë arsim dhe përparim social një shoqërie patriarkale tradicionale”.[12] Ndërsa për romanin Midis dy kohëve thotë se është në njëfarë dore (subjekti dhe personazhet kryesore) vazhdim i të parit, por “stilistikisht më i përpunuar”. Tekstin e tij për Drinin, Elsi e mbyll me fjalinë: “Në vitet tetëdhjetë Ismail Kadare e ngriti mjaft lart figurën e Skënder Drinit si shkrimtar”, pa cituar ndonjë burim, duke shtuar se “Në stilin e prozës së Drinit ndjehet shumë ndikimi i Kadaresë”.[13]
Te Fjalori enciklopedik shqiptar, botimi i vitit 2008, teksti për Skënder Drinin është shkruar nga Floresha Dado. (Formati “zë i vogël”; tek ai i ’85-s nuk ka zë fare). “Subjektet e romaneve të S. D. – thotë ndër të tjera studiuesja – përqendrohen në ngjarje e situata të periudhave të ndryshme historike; ato i karakterizon psikologjizmi, gjetjet e reja kompozicionale dhe stili i rrëfimit dialogjik”. Nuk dimë ç’kupton autorja me togfjalëshin “rrëfim dialogjik” (besojmë ta ketë përdorur në kuptimin që këtij termi i jep studiuesi rus Bahtin si shumësi zërash dhe perspektivash), por në një trajtesë të saj për dialogun në romanin shqiptar (Dialogu në poetikën e ligjërimit) nuk përmendet fare Skënder Drini si shkrimtar. Duke parafrazuar titullin e njërës nga veprat teoriko-kritike të profesoreshës Dado, do të mund të thoshim se vepra letrare e Skënder Drinit është “letërsi e painterpretuar”.[14] (Dialogu në poetikën e ligjërimit haset te libri Intuitë dhe vetëdije kritike, Tiranë, 2006, f. 107-121).
Përtej heshtjes – një hagjiografi letrare
Studimin më të plotë për jetën dhe veprën e Skënder Drinit e ka bërë Sadedin Limani, i cili botoi, në vitin 2014 (viti i vdekjes së shkrimtarit), librin Përtej heshtjes. Jeta dhe vepra e Skënder Drinit. Që nga faqet e para të këtij libri shihet se autori i tij ka marrë përsipër ta ngjallë “së vdekuri” Skënder Drinin dhe t’i bëjë atij një vend nderi në panteonin e letërsisë kombëtare.
Libri është shkruar me frymëzim dhe më shumë se analizë e veprës letrare është elozh për jetën dhe veprën e shkrimtarit. Skënderi ishte skeptik nga natyra dhe nuk i pëlqente ekzagjerimet për askënd, andaj as për veten, por libri është botuar pas ikjes së shkrimtarit nga kjo botë, kur ai s’mund ta lexonte dot.
Limani flet gjerësisht për lidhjet e Skënder Drinit si njeri dhe shkrimtar me qytetin e Shkodrës, nga vjen edhe vetë. Shkodra është për shkrimtarin urbs aeterna, kurse njerëzit e saj pjesë e historisë. Romani Vraje tradhtinë fillon me skenën e kthimit të njërit nga kryepersonazhet e veprës në Shkodër, pas pesë vjet qëndrimi larg saj (në burg): “Kalorësi psherëtiu. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Shkodra rrinte mbi njëzet shekuj dhe nuk donte të dinte për ata pesë vjetët e tij. As për pesë e as për pesëdhjetë”.[15]
Pas një hyrjeje të gjatë për raportet e shkrimtarit Skënder Drini me qytetin e Shkodrës; pas kronologjisë së jetës dhe të veprimtarisë së shkrimtarit si krijues letrar, si njeri dhe si intelektual, por edhe pas shumë ecejakesh në fushën e letërsisë dhe të filozofisë, si dhe përqasjeve të shumta të Skënder Drinit me shkrimtarë e filozofë të shquar botërorë të rrymave dhe shkollave të ndryshme letrare, estetike e filozofike e, madje, edhe me personalitete të tjera të artit dhe të shkencës, ky autor ndalet te katër romane të Skënder Drinit: Shembja e idhujve, Midis dy kohëve, Vraje tradhtinë dhe Tanush Martini. Këto katër romane i vështron nga tre aspekte: 1. Vështrim i përgjithshëm, 2. Analizë e subjekteve dhe 3. Sfondi historik i katër romaneve.
Për hir të së vërtetës, do thënë se Limani i analizon katër veprat e përzgjedhura prej tij, ku nuk bën pjesë asnjëri nga romanet e periudhës “post”, edhe në raport me ekzistencializmin si rrymë letrare dhe si filozofi, përfshirë edhe “ateizmin”, pa lënë mënjanë edhe periudhën historike kur u shkruan ato.
Libri i Limanit është përplot mbresa, përshtypje e përshkrime njerëzish e mjedisesh, aq sa herë-herë duket sikur autori i tij shkruan kujtime, tregim a roman e jo studim shkencor.
Në librin Përtej heshtjes ka shumë mendime entuziaste, madje edhe spektakolare, por kryet e vendit e zë pa dyshim pohimi që po citojmë më poshtë. “Nuk mund të ketë në Shqipëri, mbase edhe në Botë, një shkrimtar heretik, blasfemues e prishanik më të madh se sa Skënder Drini”.[16]
Kështu shkruan Sadedini, e zezë mbi të bardhë. Po ta përdorja një shprehje të një oponentit tim nga një polemikë e hershme për Kadarenë, nga koha kur ishim studentë, do të thosha: “konstatim fort larg mendsh!”.
Bota është e madhe dhe në botë ka qindra shkrimtarë (në mos më shumë) më heretikë dhe më blasfemues se Skënder Drini, në të gjitha epokat e zhvillimit të saj dhe veçanërisht në shek. XX! (Fjala e fundit “prishanik” është e pakuptimtë! Në Fjalor shpjegohet si “njeri që prish shumë para”, “dorëlëshuar”).
Edhe në letërsinë shqipe ka shkrimtarë që mund të quhen blasfemues par excellence. A ka shkrimtar më blasfemues dhe më heretik se Migjeni? Zor të gjendet jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe në Ballkan një heretik si autori i Vargjeve të lira dhe i Novelave të qytetit të Veriut, që rrënoi “idhujt pa krena” dhe e zhveshi deri në palcë moralin e rremë të shoqërisë së kohës!
Arshi Pipa e quante Kadarenë e Kronikës… “shkrimtar heretik” që, sipas tij, ishte shkalla më e lartë e disidencës. Madje bënte edhe një krahasim ndërmjet Kadaresë dhe Jevtushenkos, duke thënë se shkrimtari ynë ishte heretik, kurse poeti rus, shumë i popullarizuar pas rënies së “kultit të Stalinit”, në kohën e Hrushçovit, vetëm “rebel”.
Nuk më duket punë me mend ta quash Skënder Drinin “disident” (as në letërsi, as në jetë). Skënder Drini është shkrimtar, por jo “disident”. Fjala disident vjen nga latinishtja, dissideo, që do të thotë: nuk pajtohem. Të tillë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore u quajtën shkrimtarët që nuk u pajtuan me diktaturën komuniste dhe u detyruan të largohen nga Bashkimi Sovjetik e të gjejnë strehim në Perëndim (Solzhenjicini, Zinovjevi, Kuznjecovi, Sinjavski, Brodski etj.). Nga vendet e tjera të Lindjes janë shumë të njohur si krijues disidentë polaku Çesllav Millosh, çeku Millan Kundera e të tjerë që, po ashtu, kërkuan azil në Perëndim. (Disidenti tjetër çek, Vaclav Havel, nuk u largua nga vendi).
Në Shqipëri Kasëm Trebeshina, sado kontrovers, iu kundërvu doktrinës së realizmit socialist, kritikoi “absolutizmin e Luigjit XIV” dhe shndërrimin e Lidhjes së Shkrimtarëve në “urdhër murgjish mesjetarë”, andaj, me gjithë pro et contra-t e shumta, mund të quhet shkrimtar disident.
Skënderi nuk ishte i tillë. Madje as që mund të pritej prej tij, duke qenë i biri i një babai të dënuar me burg si nacionalist! Nuk ishte konformist, por as subversiv jo. Bilal Xhaferi e pësoi për këtë shkak (shkaku i biografisë së të atit) dhe të një diskutimi në Lidhjen e Shkrimtarëve, pas të cilit iu ngushtua hapësira ekzistenciale dhe u detyrua të arratisej nga Shqipëria. Skënderi ishte i tërhequr: shkruante, botonte dhe nuk fliste. Duke qenë në Shkodër e jo në Tiranë, do të qëndrojë larg intrigave të përditshme që gëlojnë në mesin e shkrimtarëve, por edhe larg “qendrës” që promovon vlerat. (Do të flasë në vitet ’90, në shkrimet publicistike, e edhe në ndonjë tregim a roman, por edhe atëherë jo për historinë familjare, por për dramën e Kosovës dhe degradimin e demokracisë në Shqipëri).
Duke u ngritur me të drejtë kundër heshtjes që e rrethon veprën e Skënder Drinit dhe lënien në harresë të një shkrimtari si ai, autori i Përtej heshtjes rrëmbehet, bie në trans dhe bën digresione të njëpasnjëshme, që s’janë në funksion të temës.
Kur lexojmë libra si ky, na kujtohet mendimi i Lukianit, i cili, në ligjërimet e tij për historinë, duke qenë edhe vetë historian, thoshte: “duhet t’i nënshtrohemi frerit dhe të tregohemi të përmbajtur”, sepse “të fluturuarit lart: përbën rrezik të madh edhe në letërsi”.[17]
Duke mos iu përmbajtur këshillës së urtë të Lukianit, Limani nuk është treguar aspak i përmbajtur në analizën e veprës së Skënder Drinit, e aq më pak në vlerësimin e saj. Duke analizuar katër romanet e përzgjedhura prej tij (Shembja e idhujve, Midis dy kohëve, Vraje tradhtinë dhe Tanush Martini), kuartet që ai e quan “katërlogji”, flet gjerë e gjatë për historinë e feve dhe veçanërisht të kishës katolike, për Luftën e Dytë Botërore dhe viktimat e saj, për komunizmin edhe bilancin e tij “të zi”; hap paranteza e nëntema të panumërta, që e largojnë vëmendjen e lexuesit nga tema kryesore: jeta dhe vepra e Skënder Drinit.
Në rrugë e sipër bën edhe ndonjë elozh të panevojshëm për ndonjë letrar shkodran, kurse për shkrimtarin e tij të pëlqyer rezervon epitete të shkallës më të lartë: “shkrimtar i mrekullueshëm”, “fantazi brilante”, “kulm i paparë”, “blasfemues i pashoq”, “i denjë edhe për historinë e letërsisë botërore” e të tjera të ngjashme.
Profesor Rexhep Qosja, në esetë e tij kulturologjike e pati quajtur këtë tip ligjërimi “gjuhë superlative”, duke shtuar se gjuha e tillë lulëzon në sistemet totalitare, ku kritika vihet në shërbim të ideologjisë partiake ose në mjediset folklorike, ku kritika bëhet altoparlant i klaneve letrare.
Limani e krahason Skënderin me shumë shkrimtarë botërorë: rusë, francezë, italianë etj.
Ndër të tjera ai gjen pika afrimi të shkrimtarit tonë me Dikensin, Dostojevskin, Tolstoin Turgenjevin, Balzakun, Mopasanin, Dodenë, Hygoin, Pirandellon, Shollohovin e, madje, edhe me poetin simbolist gjerman Rilken. Përafrimi Skënderit me autorin e Elegjive duinase dhe të Soneteve të Orfeut nuk ka bazë reale. Rilke ishte poet estetizant, “dekadent” dhe mistik, kurse Skënderi është shkrimtar i angazhuar, që beson në misionin e fjalës së shkruar.
Edhe përqasja me shkrimtarët e filozofët botërorë ekzistencialistë si Sartri, Kamyja, Hajdegeri, Jaspersi (e jo Xhaspers), Raselli etj. është e sforcuar. Me këtë të fundit, Skënder Drinin e lidh qëndrimi ndaj fesë. Filozofi i famshëm anglez, në esenë e tij Pse nuk jam i krishterë (e jo Përse jam ateist i kulluar), shkruante: “Feja është e bazuar fillimisht dhe kryesisht mbi frikën – frikën nga e panjohura, frikën nga dështimi dhe frikën nga vdekja… Fitoje botën me inteligjencë dhe jo duke iu nënshtruar skllavërisht terrorit që e përcjell të jetuarit në të”,[18] ndërsa Skënderi e vë theksin te hipokrizia fetare dhe gatishmëria e krerëve të fesë, si të katolicizmit, ashtu edhe të islamizmit, për të bashkëpunuar me pushtuesit e vendit.
Profili i shkrimtarit dhe struktura e veprës
Studiuesi i romanit historik shqiptar, dr. Bajram Krasniqi, në studimin e tij Poetika e romanit historik shqiptar (1985), flet për “strukturën e hapur“ të prozës së Skënder Drinit, për “origjinalitetin e stilit” dhe “poetikën homogjene” të këtij krijuesi. Këtë mendim dr. Krasniqi e shqipton kur analizon romanin Vraje tradhtinë, por ky vlerësim vlen edhe për veprat e tjera të këtij autori dhe veçanërisht për romanet Shembja e idhujve dhe Midis dy kohëve. Këto vepra shënojnë pjekurinë krijuese të Skënder Drinit si shkrimtar dhe shpalosin strategjinë e tij në ndërtimin e rrëfimit.
Skënder Drini është shkrimtar që arrin të japë “copa të gjalla jete në vepër”, siç është thënë për romanin Shembja e idhujve. Përshkrimet e mjediseve tek ai janë të reduktuara; më shumë fokusohet te reagimi i personazheve dhe gjendja emocionale e tyre (fjala vjen, drama e Dasho Shkrelit kur kthehet nga syrgjyni dhe kupton se e motra është martuar me një “turk”). Këtë ka parasysh besojmë studiuesja Floresha Dado kur flet për “psikologjizmin e subjekteve” në romanet e Skënder Drinit, ndërsa Robert Elsi për afërsinë e stilit të tij me Kadarenë.
Skënder Drini është shkrimtar realist, por jo në kuptimin klasik, balzakian të fjalës. Shkolla e madhe realiste e shek. XIX derivoi rrymime të reja letrare në shekullin vijues, të njëzetin. Letërsia e Drinit qëndron mes realizmit kritik dhe realizmit socialist (me kusht që ky i fundit të mos kuptohet si pllakat, por si “formacion stilistik”),[19] me prirje kah një “realizëm i hapur”, që del nga korniza e realizmit klasik. (Konceptin e studiuesit francez Rozhe Garodi, “realizëm pa brigje”,[20] Krasniqi e përkthen “realizëm i hapur”, por mëtimi për një simbiozë të realizmit dhe modernizmit në veprën e Drinit më duket pretencioz). Realistëve të mëdhenj të shek. XIX u ngjan me krijimin e tablove të gjera të jetës dhe të personazheve karaktere, kurse atij të mbiquajtur “socialist” me sistemin e motivacionit të veprimit, që bazohet mbi përkatësinë ideore të njerëzve më shumë sesa në kompleksitetin e qenies. Ndikimi i realizmit kritik vërehet në formësimin e personazheve negative (sipas teorisë tradicionale), që karakterizohen shpeshherë edhe me emrat që mbajnë (Hasan Gazepi, Asllan Kijameti, Murr Përkeqi etj.), kurse i realizmit socialist te heronjtë që janë bartës të ideve të reja, të cilat jo rrallë nuk përkojnë plotësisht me kohën dhe realitetin.
Herë-herë vetëm me një togfjalësh jepet thelbi i karakterit të personazhit. Kështu, kapadaiu Asllan Kijameti karakterizohet me togfjalëshin “enciklopedi huqesh” (Midis…, f. 272); Kolë Idromenoja, duke qenë artist, është “mbreti i rrëmujës” (Vraje…, f. 268), ndërsa malësori kërrusur, Plaku i Ucve, “i ngjet një pikëpyetjeje” (Shembja…, f. 358).
Skënder Drini është shkrimtar humanist, heronjtë e të cilit besojnë në një utopi: në utopinë sociale. Te Midis dy kohëve, nëpërmjet dialogut mes dy personazheve, artikulohet ideja se humanizmi nuk i përket vetëm shoqërisë socialiste dhe artit të krijuar në këtë epokë, por është universal:
– A nuk ka humanizëm te Tolstoi? Te Hygoi dhe Balzaku? A nuk ka humanizëm te Shekspiri dhe Pirandeloja? – pyeti me një frymë profesori. – Asnjëri prej tyre nuk ishte komunist…”.[21]
Këtë mendim të profesorit iluminist, e plotëson dhe kundërshton mësuesi revolucionar:
“Atyre u printe shpirti i artistit! Artisti i vërtetë ngrihet mbi të gjitha, edhe mbi gjirinë dhe gjakun e tij! Artisti i madh është gjithnjë humanist, po komunizmi shkon më larg se humanizmi i tyre…”.[22]
Fjalia e fundit i jep ngjyrim ideologjik gjykimit të personazhit dhe kjo është rrjedhojë e teleologjisë së shkrimtarit që synon “shembjen e idhujve”.
Skënder Drini është, para së gjithash, shkrimtar i lidhur ngushtë me historinë kombëtare. Romani Shqipja e kreshtave tona flet për luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Vraje tradhtinë trajton temën e rrethimit të Shkodrës nga trupat serbo-malazeze, mbrojtjen e saj nga njerëzit e thjeshtë të qytetit dhe tradhtinë e Esad pashë Toptanit, i cili ua dorëzoi qytetin malazezve. (Motivi i tradhtisë te kjo vepër del qysh në titull, madje në mënyrën urdhërore). Romanet Shembja e idhujve edhe Midis dy kohëve janë, po ashtu, romane me sfond historik: në to paraqiten ngjarjet që përfshinë Shqipërinë në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj.
Nga pikëpamja tipologjike, romanet e Skënder Drinit janë kombinim i romanit të veprimit, i romanit të personazhit dhe i romanit të hapësirës (sipas tipologjisë së Kajzerit), ku “një hapësirë reale ose imagjinare krijon lidhje mes gjithë atyre që përshkruan romani”.[23] Syzheu, personazhi dhe hapësira janë shtresa substanciale të çdo krijimi epik. Hapësira ku zhvillohen ngjarjet e romaneve të Drinit është qyteti i Shkodrës, por edhe Malësia e Madhe, me tërë bagazhin e saj social, kulturor dhe shpirtëror.
Skënderi e njeh mirë historinë e Shkodrës dhe mendësinë e shkodranëve, por edhe jetën dhe zakonet e malësorëve, të cilat te ky shkrimtar janë shprehje autentike e jetës së malësorëve e jo ekzotikë. Jeta e banorëve të fshatit Kalcë, ku zhvillohen ngjarjet e Shembjes së idhujve, pjesërisht edhe të Midis dy kohëve, rrjedh në trekëndëshin mes Kanunit, Kishës dhe Shtetit. Me gjithë metodat e rafinuara të klerit katolik, kalcianët u mbeten besnikë dokeve të tyre pagane. Kalosh Cami është një nga figurat më markante të prozës shqipe. Atë e stolis nderi, besa, burrëria, trimëria dhe krenaria. Është aq krenar, sa me krenarinë e tij, sipas dom Engjëllit, “e fyen Zotin”. Të gjitha këto virtyte i trashëgon edhe i biri, Martini. Si te poema Përse mendohen këto male pushka është vazhdim i shtyllës së tyre vertebrale, kurse besa e burrëria perëndia që i falen ata.
Një tipar tjetër i prozës së Skënder Drinit janë konfliktet e forta e dramatike. Epizmi, skenat dramatike dhe përplasjet e fuqishme janë konstantë tematike e semantike e kësaj proze. Te Shembja e idhujve këto përplasje ndodhin mes shqiptarëve të shtresave të ndryshme sociale dhe me bindje të kundërta politike, kurse te Midis dy kohëve dhe Vraje tradhtinë edhe me të huajt që rrezikojnë lirinë e kombit dhe integritetin e shtetit edhe ashtu të cunguar shqiptar: pushtuesit osmanë, agresorët malazezë dhe fashistët italianë.
Është vjeshtë e vitit 1912. Në Shkodër ia beh një kalorës i panjohur, të cilin e pandehin për “cërnagor”. (“Shumë prej tyre vinin në Shkodër vetëm për të treguar një trimëri në Cetinë… Shumë prej tyre vinin dhe nuk ktheheshin më”).[24] Ç’befasi i sajon shkrimtari lexuesit me daljen në skenë të njërit nga aktorët kryesorë të romanit, Dasho Shkrelit! (Fjala është për romanin Vraje tradhtinë).
Nuk dimë çfarë ka qenë raporti i shkrimtarit me artet e tjera (teatrin, muzikën, filmin), por mund të flitet për ndikimin e teknikës filmike në prozën e Skënder Drinit, aq sa mund të thuhet se fillimi i romanit Vraje tradhtinë t’i kujton uesternët amerikanë.
Zor të gjendet në romanin shqiptar një skenë kaq filmike. Hotel Europa, një mjedis anadollako-evropian. Konsujtë që pinë verë, tregtarët që luajnë tavllë. Kamerierja Dushankë që u shërben klientëve. Heroi “i panjohur” që vjen nga larg, hipur mbi kalë, që zbret nga kali e ulet mbi shalë dhe që rrëmben butin me verë. Të pranishmit që e pandehin për “cërnagor”; Qorri i Madh që qëllon me dhjetëshen e tij; takimi i Brahos me shokun e tij të ngushtë, Bixhin (Bixh Mazrekun), që çmallen e pinë verë bashkë, edhe pse njëri është katolik e tjetri mysliman. Dhe pinë nga buti i shpuar nga plumbat e Qorrit të Madh. Ja, kjo është skena, që shërben si pikënisje për subjektin e romanit, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Shkodër në vjeshtë të vitit 1912, kur në Vlorë ngrihet flamuri shqiptar dhe në muajt e parë të vitit vijues (1913), sa zgjat lufta për mbrojtjen e Shkodrës nga trupat e Kral Nikollës. Skenar i gatshëm për film. (Është filmuar, me sa dimë, Shembja e idhujve, por më i përshtatshëm për film do të ishte romani Vraje tradhtinë).
Ja edhe një fjali, që e plotëson kuadrin. Benjamini i carit rus është betuar në Cetinjë si të ishte kanibal: “Këtë dimër do të hamë turq dhe shqiptarë”.[25]
Rrëfimi në romanet e Skënder Drinit zhvillohet nga pozita e narratorit të gjithëdijshëm, i cili i mban në dorë penjtë e rrëfimit dhe fatin e personazheve. Autori i ngjan Zotit që rikrijon botën sipas shijes së vet. Si në prozën tradicionale rrëfimi zhvillohet në vetën e tretë. Përjashtim bëjnë Eklipsi i hënës dhe Korbi, ku rrëfimi kalon në vetën e parë, nga autori-narrator te njëri nga personazhet. Edhe pse në shikim të parë mund të duket linear, rrëfimi në veprat e Drinit ka strukturë komplekse: është një rrjet i tërë, ku ndërthuren ngjarje, subjekte, ide dhe personazhe të shumta.
Proza shqipe e viteve ’70 ngrihet kryesisht mbi strukturën tradicionale, ku rrëfimi zhvillohet në faza të qarta kompozicionale. Te Shembja e idhujve aplikohet teknika e retrospektivës. Dom Shtjefni bëhet gati të lërë Kalcën, ku ka shërbyer tridhjetë vjet, për ta marrë detyrën e arqipeshkvit në Shkodër. Kështu fillon romani: fundi “vendoset” në fillim, pastaj pasojnë ngjarjet që përbëjnë subjektin e veprës.
Fillimi i romanit është i qetë, fundi dramatik. Nis me zgjimin e dom Engjëllit ditën kur po largohej Kalca dhe përfundon në mënyrë dramatike: Martin Cami vret kapterin, të birin e kapedanit dhe kryeplakun për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit, Kaloshit.
Romani Vraje tradhtinë fillon në mënyrë dramatike me kthimin e beftë të Brahos në Shkodër, ndërsa Midis dy kohëve, nga ky aspekt qëndron midis dy të tjerëve: fillon me një mbledhje të “Qarkorit”, pason monologu i dom Engjëllit, që përsiat për kohën, kishën, komunizmin dhe vijon me rezistencën kundër fashizmit, që e shtyn përpara rrëfimin.
Në romanet e Skënder Drinit gjejmë edhe përsiatje për pozitën e njeriut si individ. I tillë është predikimi i priftit Engjëll Shtjefni në takimin me mësuesin e ri të fshatit, Naimin, por, ndryshe nga Sartri, që njeriun e bën përgjegjës për fatin e tij, dom Engjëlli shpëtimin e sheh te Zoti.
“A nuk ju zë trishtimi ndonjë natë nën kupën e pafund të qiellit ku vezullojnë me miliarda botë mbi kokën tuaj? A nuk ju duket vetja një hiç… Megjithatë jetoni, megjithatë nuk përpiqeni ta vritni veten. Ju mban diçka, ju jep dorën. Ky është hiri hyjnor”.[26]
Pasazhe të tilla hasen rrallë te shkrimtarët e realizmit socialist, ku njeriu shihet kryesisht në prizmin ideologjik. Mirëpo, ky pozicion mund të shpjegohet më shumë nëpërmjet marksizmit sesa ekzistencializmit. Proza e Skënder Drinit ka pikëpjekje me ekzistencializmin në qëndrimin ndaj fesë (vdekja e Zotit dhe ateizmi), por jo edhe të pozitës së njeriut në natyrë; vetmia dhe ankthi janë koncepte kyçe të filozofisë ekzistencialiste, veçanërisht të Sartrit dhe Kamysë, kurse personazhet e Skënderit luftojnë për ekzistencë e mbijetesë. (“Në Shqipëri filozofia ka katër germa: bukë!”).
Te Midis dy kohëve shkrimtari ka prekur një temë të ndjeshme, pak të trajtuar në letërsinë shqipe: temën e fanatizmit fetar dhe rrezikut që paraqet ai në marrëdhëniet mes pjesëtarëve të feve të ndryshme. Ndryshe nga mentaliteti populist që ekzistimin e tri feve te shqiptarët e sheh si vlerë (e tillë është në të vërtetë harmonia fetare), Skënder Drini ka kurajë të flasë edhe për rrezikun potencial të përplasjeve me karakter fetar. Ka një episod dramatik në këtë roman, në të cilin shkodranë fanatikë, myslimanë e katolikë, gati sa nuk vriten mes vete për shkak të një vajze. (Marija, e bija e Rrok Zadrimës, ikën nga shtëpia ngaqë nuk pajtohet me vendimin e babait për fatin e saj dhe gjen strehë te një familje myslimane). Ndërhyn personazhi pozitiv, mësuesi dhe e shpëton situatën, duke iu drejtuar ngatërrestarëve me fjalët: “Ruajeni plumbin për të huajin”.[27]
Skënder Drini e njeh mirë historinë shqiptare në të gjitha aspektet e saj: social, politik, diplomatik etj. Luftërat me të huajt (turq, serbë, malazezë, italianë etj.), heroizmi dhe sakrificat, zënë vend të dukshëm në rrëfim, por Skënder Drini, krahas heroizmit, që frymëzohet nga ndjenja e atdhedashurisë, merret edhe me fenomenin e tradhtisë dhe të lojërave që janë luajtur në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“… Në Stamboll më urdhëruan të të them ta bësh rrafsh me tokën këtë qytet, kur ta shohësh që nuk e mbron dot më. Më thanë mos kursesh as xhamitë, as varret! Tani unë e di që ti do ta mbrosh Shkodrën nga Mali i Zi, por nuk do ta mbrosh nga arnautët!”.[28]
Ky pasus, që e shqipton i dërguari i Sulltanit gjatë kohës së rrethimit të Shkodrës nga trupat malazeze, Qazim Pasha, flet për rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, që kërkojnë mbrojtjen nga fqinjët, por edhe shkëputjen nga perandoria që po jepte shpirt, pavarësinë. Brahoja dhe Bixhi te Vraje tradhtinë janë shprehje e vetëdijes së lartë kombëtare të asaj pjese të popullit shqiptar, që lufton njëkohësisht në dy, madje edhe në tre fronte.
“Vatanin e ruaj prej turkut, prej Malit të Zi dhe prej shqiptarit të keq apo të gënjyer!”.[29]
Romanet e Skënder Drinit nuk janë romane të mirëfillta historike, por vepra me sfond historik, ku kemi një gërshetim funksional të fiksionit me historinë. Ato janë vepra që synojnë të afirmojnë një botëkuptim, por si shkrimtar me talent Drini e sendërton synimin e tij nëpërmjet një shtjellimi inventiv, pra duke e përligjur artistikisht.
Vepra e Skënder Drinit krijon raporte me vepra të tjera, letrare e joletrare, por kjo është shprehje e kulturës së tij dhe jo vardisje modës postmoderne. Në veprën e tij përmenden, në kontekste të ndryshme, emra shkrimtarësh e filozofësh si Sokrati, Kanti, Spinoza, Shatobriani, Shekspiri, Balzaku, Hygoi, Raselli, Tirteu, Arkiloku, d’Anuncio, Petëfi, Rilke, Dostojevski, Xhek Londoni, Hemingueji, Ficxheraldi, Fokneri etj., kurse nga shqiptarët Skënderbeu, Moisi Golemi, Hamza Kastrioti, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Ahmet Zogu, Esad pashë Toptani, Noli, Mjeda, Migjeni, Koliqi e të tjerë.
Fishta, për çudi, nuk përmendet, sado që në varrimin e tij në dhjetor të vitit 1940, një ndër fjalët e kryesore e ka mbajtur prefekti i atëhershëm i Shkodrës, babai i shkrimtarit, Riza Drini (ndoshta pikërisht për këtë). Autorët e librit kushtuar Riza Drinit, të cilit i jemi referuar më lart, sjellin një kujtim të Skënderit fëmijë (5 vjeç) për varrimin madhështor të poetit, për të cilin ai thotë se “ishte funerali i parë i madh tronditës në jetën time”,[30] por në romanin që flet për këtë kohë, Midis dy kohëve, e as në veprat e tjera në prozë, emri Fishtë nuk haset askund. (Mos vallë te figura e dom Shtjefnit, poet, erudit dhe klerik, duhet parë një alter ego të At’ Gjergj Fishtës, prandaj është shmangur qëllimisht emri i tij, mundësi që nuk duhet përjashtuar, edhe pse mund të tingëllojë si herezi).[31]
Personazhe të Drinit janë edhe të huajt që lidhen me historinë e shqiptarëve: sundimtarët turq, nga ata të kohës së Sulltanit e deri te xhonturqit (më i realizuari ndër ta si personazh është ai i komandantit të garnizonit turk, Hasan Riza pashës, një ushtarak i aftë, por me fund tragjik, në vdekjen e të cilit ka dorë pashai turko-shqiptar Esad Toptani); konsujtë e Fuqive të Mëdha me seli në Shkodër, në mesin e të cilëve si personazhe shquajnë Xanbauri austriak dhe Milleri rus; Kral Nikolla i Malit të Zi, që ëndërron ta pushtojë Shkodrën, një personazh grotesk; diplomatë dhe ushtarakë të kohës së pushtimit fashist të Shqipërisë, përfshirë edhe “mëkëmbësin e mbretit”, Jakomonin, që vizitoi Shkodrën në dhjetor të vitit 1940, vizitë për të cilën flitet në dy kapituj të romanit Midis dy kohëve, e të tjerë.
(Edhe një tregues i emrave të personaliteteve historike, shqiptare dhe botërore, krahas fjalorit të personazheve, nuk do të ishte keq të hartohej në ndonjë monografi për këtë shkrimtar, sado që fjala është për vepër letrare e jo shkencore).
Thuhet se që një roman të mos jetë i mërzitshëm shkrimtari duhet t’i kushtojë rëndësi secilit element të veprës, përfshirë edhe dialogun si përbërës i rëndësishëm i poetikës së prozës.
Skënder Drini e respekton këtë ligj. Dialogët e tij janë dinamikë dhe si të tillë e rrisin ekspresivitetin e rrëfimit dhe e mbajnë të gjallë interesimin e lexuesit.
– “Me ç’mendje je kthyer, Braho efendi?
– Secili e ruan mendjen nën kapak të kokës!
– E di që nuk e gjete shtëpinë gjylistan…
– As nuk e gjeta, as nuk e lashë!
– Ama, as mort nuk gjete, – u tregua i duruar Hasan Rizai.
– Mortja është kapak floriri, para asaj që më ndodhi! Atë deshe edhe ti, Hasan Riza!
– Desha një grua të mirë e fisnike për mikun tim, Sadedinin…
– Të kërkoje tjetër krushk!
– Nuk do ta gjeja as më të mirë, as më trim…”.[32]
Ky dialog zhvillohet mes gjeneralit turk Hasan Riza pasha dhe luftëtarit shqiptar Braho Shkreli ditën që ky i fundit kthehet nga syrgjini dhe në shtëpi gjen të motrën që po shkon nuse te një “turk” (me nënë shqiptare), sepse fati ka dashtë që të bie në dashuri me të, çka tregon se motivimi i personazheve te ky shkrimtar bëhet edhe mbi bazë psikologjike.
Shkrimtar që nuk i redukton ngjyrat e jetës
Skënder Drini është shkrimtar i skenave epike dhe i konflikteve të fuqishme, por në romanet e tij ka edhe momente lirike, që flasin për një vepër e cila nuk i redukton ngjyrat e jetës. Veprimtarët ilegalë të lëvizjes, mësuesi dhe Nadiri, bëjnë plane për aksionet e tyre gjatë natës, kur befas dëgjohet melodia e një kënge.
“Diku zuri të binte një kitarë. Një zë i bukur i këndonte hënës dhe dashurisë. Hëna ishte e përgjakur dhe dashuria e pashpresë. Serenatë”.[33]
Ky imazh t’i kujton vargjet e Lorkës, por edhe krijimtarinë e Petro Markos, pjesëmarrës i luftës së Spanjës dhe përkthyes i poetit spanjoll në shqip. Por, “Hëna e përgjakur” ka edhe një kuptim tjetër: sugjeron luftën, plojën e përgjakshme që zhvillohej në Shqipëri dhe në botë në kohën për të cilën flet vepra (romani Midis dy kohëve).
Nga shkrimtarët e huaj, më shumë se me Balzakun, Dodenë dhe Mopasanin, Skënderi afrohet me Stendalin, në planin e filozofisë krijuese dhe të interesimit për historinë. (Stendali çmonte mbi këdo tjetër Napoleonin si personazh historik dhe Shekspirin si shkrimtar). Nuk mungon në veprën e Skënderit, ashtu siç nuk mungonte as në jetën e tij private, pak a shumë, edhe një dozë egotizmi (jo egoizmi) stendalian, nocion me të cilin shkrimtari francez shënjonte “kultin e vetvetes” dhe sfidonte meskinitetin.[34]
Sikurse mësuesit e tij shpirtërorë, shkrimtarët e mëdhenj realistë, Drini është mjeshtër në krijimin e karaktereve, si atyre të dorës së parë, ashtu edhe të atyre dytësorë. Ai i kushton rëndësi të veçantë individualizimit (e jo tipizimit) të personazheve. Themi kështu, sepse kategoria e “tipikes”, si reminishencë e dogmës, i solli shumë dëm letërsisë shqipe. Skënder Drini e theu klishenë “karaktere tipike, në rrethana tipike” dhe krijoi jo pak personazhe atipike, sjellja dhe veprimet e të cilave diktohen nga zakonet e mjedisit ose edhe nga fataliteti i jetës.
Shkrimtar me një opus të gjerë krijues, Skënder Drini ka krijuar një galeri të tërë personazhesh: burra e gra, pleq e të rinj, malësorë e intelektualë, klerikë e fshatarë, tregtarë e zejtarë, patriotë dhe tradhtarë, luftëtarë dhe pushtetarë, idealistë dhe karrieristë, piktorë e shkrimtarë, personazhe që i njeh e nuk i njeh historia, por që në vepër frymojnë si njerëz të gjallë e jo si figura skematike, duke i kushtuar rëndësi të dorës së parë individualizimit të tyre.
Mjafton të kujtojmë Kalosh Camin me të birin, Martinin dhe dom Engjëllin te Shembja e idhujve; Engjëll Shtjefnin, përsëri, por edhe mësues Naimin te Midis dy kohëve; Braho Shkrelin dhe Bixh (Luigj) Mazrekun te Vraje tradhtinë, e shumë të tjerë.
Fiksohen në kujtesën e lexuesit personazhe si Dash Cungeli me urtësinë e malësorit dhe të folurit alegorik; Murr Përkeqi me karakterin e tij problematik dhe zanatin e mercenarit (fenomen ende i gjallë ndër shqiptarë); “burrnesha” e quajtur Suta-Sokol, që merr pjesë në kuvendin e burrave dhe lufton bashkë me ta (te Shembja e idhujve); qëndistari Man Terziu te Midis dy kohëve, që më parë pranon ta djegë xhamadanin sesa t’ia dhurojë Jakomonit; nëna e Bixhit, Katrina, te Vraje tradhtinë, gruaja e fortë shkodrane, që s’i duron të dobëtit dhe frikacakët; gruaja e Tanush Martinit nga tregimi Obelisk për Gruan e Maleve (sinopsis i romanit Tanush Martini), që vendos ta martojë të shoqin para se të vdesë; furrtari Xhafë, që s’pranon ta dorëzojë vajzën që i ka rënë në “ndore”; seminaristi i frustruar Rikard, viktimë e disiplinës së rreptë kishtare, që trajtohet më keq se maçoku i Seminarit; prifti gjysmë i çmendur jezuit, Patër Furtuna, i cili kur qesh, “ka diçka nga Mefistofeli”, ndërsa kur qan “i afrohet Arlekinit”,[35] një sintezë e fuqishme figurative, po te Midis dy kohëve, e të tjerë.
Figura e Engjëll Shtjefnit është ajo e një personazhi kompleks. Që në faqet e para të romanit ai portretizohet si: “Historian i shquar, gjuhëtar, poet, arkeolog, mbledhës i folklorit… Një ballë i gjerë mendimtari, dy sy poeti ëndërrues, një profil prej njeriu të përvuajtur të kishës…”[36] (Te Midis dy kohëve shfaqet edhe si dramaturg dhe kritik letrar). Por kjo është ana e tij e jashtme, maska; brendia fsheh tipare të tjera, ato të njeriut perfid e hipokrit. Emri i tij, “Engjëll”, është në kundërshtim me karakterin e tij djallëzor. Engjëlli është djall. Fshatarëve gati u vdesin fëmijët për bukë, kurse në qelën e tij myket drithi nëpër thasë. Humanizmi i tij është fals.
Romanet e Skënder Drinit kanë, pak a shumë, karakter ciklik. Kështu Midis dy kohëve duket si vazhdim i Shembjes së idhujve, vepra që i lidh para së gjithash kronologjia e ngjarjeve (fundi i viteve ’30 – fillimi i viteve ’40), hapësira ku zhvillohen ngjarjet (Kalcë-Shkodër) dhe sidomos personazhet, një pjesë e të cilave janë të njëjtë në të dy romanet. (Hartimi i një fjalori të personazheve do të ishte një kontribut për njohjen më të mirë të veprës së këtij shkrimtari).
Krahas problemeve shoqërore, morale, politike etj., Skënder Drini ngre në romanet e tij, herë-herë, edhe probleme me karakter letrar, estetik. Në veprat e tij hasen mendime interesante për letërsinë dhe natyrën e saj. Kështu, për shembull, te Midis dy kohëve, për personazhin Filip Koleci thuhet:
“Hartimet e tij ishin modele stilistike. Logjikë, mprehtësi, elegancë… Po ishin krijime të ftohta dhe ata që merrnin vesh sadopak nga letrat, e shihnin që Filip Koleci nuk ishte shkrimtari, po hartuesi mendjeqartë, në veprën e të cilit sundon përpikmëria, po mungon shpirti dhe imagjinata”.[37]
A mund të merret personazhi i Filip Kolecit si prototip i shkrimtarit Ernest Koliqi, aq më shumë që disa rreshta më lart përmendet ky shkrimtar dhe vepra e tij, Djepi arit, që cilësohet si “një gënjeshtër që merret me një gënjeshtër tjetër”?
Emri i Koliqit përfton edhe në dialogun mes profesor Halimit dhe nxënësit të tij, Nadirit. Mësuesi e quan “stilist”, nxënësi “fashist”, “eksponent i fashizmit”. Në kohën kur u shkrua romani në fjalë ky ishte qëndrimi zyrtar ndaj Koliqit si shkrimtar, qëndrim që do të ndryshojë rrënjësisht pas rënies së komunizmit.
Skënder Drini është shkrimtar që nuk dëshiron të shkruajë vepra “ku sundon përpikmëria, po mungon shpirti dhe imagjinata”, prandaj paradigmë e tij është Migjeni e jo Koliqi, sado që poeti i Vargjeve të lira, për shkak të jetës së tij të shkurtër, nuk u realizua plotësisht si shkrimtar, veçanërisht jo si prozator. Vepra e Drinit ka lidhje konceptuale me veprën e Migjenit, por për shkak të rrethanave në të cilat u krijua nuk arrin të jetë gjithmonë e pakompromis në raport me të vërtetën: malësorët e Migjenit bëhen servilë, kurse malësorët e Drinit e ruajnë krenarinë!
Te Shembja e idhujve, sikurse te Legjenda e misrit, malësorët e uritur shohin kudo misër, vetëm misër. “Gërxhet ishin misër, shkurret ishin misër, misër ishin ferrat dhe dëllinjat nëpër rrëpira. Vetëm misër…”,[38] por nuk ligështohen, nuk thyhen. Malësorët e Migjenit bëjnë gjeste majmuni para “engjëjve që ndajnë misër”, kurse malësorët e Drinit nuk u nënshtrohen atyre që bëjnë ligjin, Kapterit, Priftit dhe Kapidanit, por solidarizohen me bashkëfshatarin e tyre trim, Kalosh Camin, gjë që s’mund të shpjegohet ndryshe pos si pasojë e doktrinës, e cila, paradoksalisht, e ndalonte paraqitjen e realitetit në emër të realizmit.
Migjeni shkruante ashtu siç ndiente, duke e parë botën pa perde, kurse Drini dhe kolegët e tij detyrohen të bëjnë lëshime për hir të “kauzës”.
Ndërkaq, qëndrimi kritik ndaj fesë dhe klerit nuk është refleks i ateizmit të Migjenit, madje as mbështetje e fushatës së regjimit kundër fesë, por më shumë jehonë e filozofisë së rilindësve: Naimit, Samiut, Pashko Vasës etj., pa harruar faktin se ateizmi ka një traditë të gjatë në kulturën evropiane dhe nuk është shpikje e komunizmit, e as e brezit të letrarëve dhe publicistëve shqiptarë të viteve ‘30. (Shembujt janë të shumtë, që nga poeti romantik anglez Persi Bish Shelli dhe filozofi “heretik” holandez Spinoza, që qenë anatemuar për shkak të qëndrimit ndaj fesë, e deri te Niçe, Volteri, Sartri, Raselli dhe Umberto Eko në kohën tonë).
Veprat e fazës së parë të Skënder Drinit mund të quhen, ashtu siç janë quajtur romanet e Stendalit, “kronika politike të historisë”,[39] të historisë së popullit shqiptar, ndërsa ato të fazës së dytë rrëfime për shoqërinë shqiptare të kohës së tranzicionit. Edhe gjuha dhe stili te të parat e ruajnë ngjyrën dhe intonacionin epik, kurse te të dytat anojnë më shumë nga diskursi grotesk dhe ironik.
Edhe pas rënies së sistemit të vjetër ai i mbeti besnik modelit të letërsisë “me probleme”, por tani rrëfimet e mëdha për fatin kolektiv (të një qyteti, të një shoqërie apo edhe të mbarë kombit) zëvendësohen nga “rrëfimet e vogla” për fatin e njeriut si individ, pa e shkoqur atë nga fati i shoqërisë.
Përfundim: Drini në dy kohë
Skënder Drini është shkrimtar serioz, me talent dhe kulturë. Vepra e tij është pjesë e trashëgimisë sonë letrare dhe, si e tillë, duhet të studiohet dhe të vlerësohet pa paragjykime.
I lindur në Voskopojë, në një familje me origjinë nga viset e mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar, Skënderi do ta kalojë jetën në “kryeqytetin verior të Shqipërisë”, në Shkodër. Aty do ta krijojë edhe veprën. Dhe jo dy-tre libra modestë si sasi dhe si vlerë, por mijëra faqe proze, kryesisht romane. (Teoricieni rus Mihail Bahtin, i njohur si studiues i romaneve të Dostojevskit, e quan romanin “zhanër prijës”, që “shtyp disa zhanre, ndërsa të tjerat i fut në konstruksionin e vet”).[40]
Edhe pse bir i një babai të dënuar me burg, Skënderi nuk u përjashtua nga jeta publike. Atij iu bë e mundur të shkollohej, ta kryente shkollimin fillor dhe të mesëm (në Shkodër), të studionte në Tiranë (gjuhë dhe letërsi shqipe), të punonte mësues dhe të merrej me letërsi, duke e botuar librin e parë (një përmbledhje tregimesh për fëmijë) në vitin 1965, për të gjallë të babait të tij, Rizait. Pas afirmimit shkrimtar dhe sidomos pas suksesit që arriti me romanin Shembja e idhujve (1975), do t’i jepej statusi i “shkrimtarit të lirë në profesion”, që ishte një privilegj jo i vogël në Shqipërinë socialiste.
Ishte njohës i mirë i letërsisë klasike (i veprës së Balzakut, Hygoit, Dikensit, Tolstoit, Turgenievit, Dostojevskit etj.), por jo edhe i letërsisë moderne (Prustit, Xhojsit, Kafkës, Kamysë etj.). “Modernizmat shkojnë e vijnë – më pati thënë në një rast. – Arti i madh mbetet. Arti realist. Me probleme…”.[41] Një art të tillë, “të madh” e “me probleme”, provoi të krijonte Skënder Drini. Tregimet, novelat dhe romanet e tij trajtojnë probleme të rëndësishme të jetës së shqiptarëve si komb, të historisë së popullit shqiptar, veçanërisht në dy shekujt e fundit: XIX dhe XX. (Përjashtim bën Shqipja e kreshtave tona, që flet për epopenë e shekullit XV).
Nuk dimë ç’ndodhte në laboratorin krijues të Skënder Drinit. Si punonte ai, si i shkruante veprat: me dorë, me makinë shkrimi, me kompjuter; ditën, natën, në orët e hershme të mëngjesit, në çdo kohë, pasi i kryente punët e shtëpisë, siç thoshte vetë, duke qenë edhe burrë edhe grua? A i ripunonte dorëshkrimet apo i linte ashtu siç kishin dalë në dorën e parë? A hulumtonte në arkiva për romanet historike apo bisedonte me njerëz që kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve (për ngjarjet më të vona) apo që kishin shfletuar libra e dokumente për ato më të hershmet? “Biografët” nuk thonë asnjë fjalë lidhur me këtë çështje.
Nuk di të jetë shprehur as vetë autori ndonjëherë në mënyrë eksplicite, në ndonjë ligjëratë a intervistë, as para e pas vitit 1990. Ka refuzuar të japë intervista apo gazetarët dhe njerëzit e medias nuk kanë shfaqur interesim për të? Mbetet enigmë, aq më shumë që ai vetë ka qenë një kohë në krye të një institucioni informativ: drejtor i televizionit “Shkodra TV1” (1997-1999).
As për vështirësitë e botimit të veprave nuk di të ketë folur. Ndryshe nga shumë të tjerë, që pas rënies së regjimit filluan të vajtonin me të madhe për “persekutimin” që u ishte bërë, edhe pse kishin qenë në pozitë shumë më të volitshme se ai, Skënderi zgjodhi heshtjen.
Në sistemet totalitare, çfarë ishte ai shqiptar, shkrimtari kishte dy rrugë: të përshtatej ose të shkonte në burg. Skënder Drini zgjodhi një rrugë të mesme: as militant e as kundërshtar i regjimit. Ndërkaq, si formë shkrimi zgjodhi prozën, jo vetëm për shkak të mundësive më të mëdha të observimit të jetës, por edhe për shkak se proza ishte më pak e survejuar në krahasim me poezinë, dramën dhe kritikën.
Në jetë dhe në krijimtari, Skënder Drini do të ndiqte, pak a shumë, rrugën e Kadaresë, me të cilin kishte, ndryshe nga shumë të tjerë, raporte miqësore, sado në distancë: të shkruante e botonte një vepër me vlerë, qoftë edhe duke bërë, herë-herë, kur më shumë e kur më pak, kompromise me të vërtetën. Që të dy i tërhiqte tema historike, të cilën e trajtonin secili në mënyrën e vet: i pari (Kadareja) kryesisht si kornizë alegorike për të sotmen, kurse i dyti (Drini) si arenë përplasjesh dramatike të forcave shoqërore.
Edhe me pozicionin “asnjanës”, e edhe me formën e shkrimit, Skënderi u tregua i zgjuar: zgjodhi të shkruante e botonte, edhe në kushtet e diktaturës, për t’u ofruar lexuesve “ushqim shpirtëror”, qoftë edhe duke paguar haraçin që i takonte si njeri dhe si shkrimtar.
Kishte, sigurisht, edhe shembuj të tjerë. Trebeshina do të zgjidhte burgun dhe të shkruarit pa ndërprerë me kryeneçësi; Bilal Xhaferi arratisjen nga atdheu i rrethuar “me tela me gjemba”; Mihal Hanxhari nuk do të botonte asgjë për të gjallë të tij, kurse Zef Zorba, pikërisht në Shkodër, do të krijonte një libër poezish krejt të ndryshme nga sistemi letrar i kohës, që do të botohej pas vdekjes së tij.
Profili i Skënder Drinit si shkrimtar është ai i prozatorit që shkruan tregime, novela e romane, kryesisht për të rritur, por edhe për fëmijë. (Njeriu që s’u bë kurrë baba do të shkruante edhe për të vegjlit, ndoshta si kompensim psikik, por edhe për ta zbutur përshtypjen që mund të linin romanet e tij “me probleme” te censura e kohës, të cilën e ushtronin kryesisht redaktorët).
Romani është forma ku talenti i tij gjeti shprehjen e vet të plotë por, si shkrimtar me prirje sinkretike, Drini plazmon herë-herë në indin e rrëfimit edhe dialogë dramatikë apo edhe vargje poetike në frymën e ciklit të kreshnikëve, siç ndodh te Shembja e idhujve (shih vargjet në f. 68) apo tek Eklipsi i hënës, ku ka edhe një poezi lirike moderne (f. 62). Duke mos qenë indiferent ndaj problemeve të kohës, veçanërisht ndaj dramës së Kosovës, Skënderi u mor edhe me shkrime publicistike.[42] Botoi edhe një libër me sentenca dhe aforizma, por mendime aforistike ka shumë në veprat e tij, sidomos te romanet.
Ç’mund të thuhet për receptimin e veprës së tij? Tirazhet e librave tregojnë se asaj nuk i kanë munguar lexuesit (Shembja e idhujve është botuar në 14 000 kopje,[43] ndërsa Midis dy kohëve dhe Vraje tradhtinë secila nga 20 000), por kritika letrare nuk është treguar mjaftueshëm e vëmendshme ndaj veprës së këtij shkrimtari dhe aq më pak dashamirëse ndaj saj.
Për të kanë shkruar kryesisht autorë shkodranë, si të ishte ndonjë shkrimtar lokal e jo shkrimtar kombëtar, mbarëkombëtar!
Është quajtur “një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë”, kurse Shembja e idhujve “një nga katër-pesë romanet më të mira të letërsisë shqiptare”, por edhe “vepra që i solli mallkimin”, duke e bërë autorin objekt sulmesh e anatemash ekstraletrare (Zija Vuka). Ishin po ata që e sulmonin Migjenin, duke e quajtur “përkrahës të një bote pa Zot dhe të një shoqërie pa religjion”.
Flitet shumë për raportin e këtij shkrimtari me qytetin ku jetoi e punoi, Shkodrën, madje edhe për një marrëdhënie të ndërsjellë qytet-njeri, si shprehet shkrimtari Xhahid Bushati. “Në këtë marrëdhënie për më shumë se një gjysmë shekulli me këtë qytet Verior, vallë ky qytet e ‘shkodranizoi’ Skënderin, apo Skënderi e ‘shkodranizoi’ këtë qytet?… Apo ende janë në kërkim të njëri-tjetrit…”.[44]
Shkrimtari tjetër shkodran, prozatori Ridvan Dibra, krijues i një profili tjetër, shkruan: “Ky autor me një fat të hidhur personal, ka vazhduar të shkruajë me sukses edhe pas viteve ’90. Skënder Drini mbetet një prej rasteve tipike të shkrimtarit të pavlerësuar… Kjo siç duket edhe pse jeton në Shkodër”.[45]
Lënia në harresë e Skënder Drinit si shkrimtar është padrejtësi dhe, madje, edhe mëkat, por as glorifikimi entuziast i veprës së tij nuk i bën shërbim të mirë asaj. Në jetë dhe në shkrime Skënder Drini ishte kundër emfazës dhe patetikës. Tek ai flet fjala burrërore dhe jo emocioni i flashkët. Gjuha e tij është e ashpër, por e bukur në ashpërsinë e saj. Midis romancës dhe dramës, ai zgjodhi të dytën.
Skënder Drini e krijoi veprën e vet “midis dy kohëve”: midis trysnisë ideologjike në fazën e parë (deri në vitin 1990) dhe shpërfilljes së fjalës artistike në të dytën (nga fillimi i viteve nëntëdhjetë e deri në fund të jetës). I jetoi dhe mbijetoi të dy “kohët” si shkrimtar: atë të sistemit monist, që kufizonte lirinë krijuese dhe impononte doktrinën e realizmit socialist dhe periudhën e pluralizmit politik, kur shkrimtarët shqiptarë ishin të lirë të shkruanin çfarë të donin e si të donin, pa kufizime stili e metode, por kur interesimi për letërsinë ra dukshëm dhe krijuesit e vërtetë, çfarë ishte Skënder Drini, mbetën shumë herë nën hijen e mediokriteteve që impononte tregu, mediet, kritika e klaneve dhe politika e partive.
Vepra letrare e Skënder Drinit është vepër me vlerë (jo vetëm në kuptimin letrar, estetik, por edhe në atë gjuhësor, moral, kulturor dhe historik), kurse autori i saj një krijues me fizionomi të veçantë, që dallon në masë të konsiderueshme nga ajo e krijuesve të tjerë të brezit të tij. Tematika, idetë, struktura, personazhet, konfliktet dhe zgjidhjet artistike, mesazhet që përçon dhe mënyra si i transponon ato, na japin të drejtë të themi kështu.
Si e tillë kjo vepër duhet të zërë vendin që i takon në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, kurse autori i saj meriton të nderohet e kujtohet me respekt për kontributin e dhënë.
[1] Në vitet 1992-1997 Skënder Drini ishte atashe kulturor i Shqipërisë në Stamboll.
[2] Babai i Skënderit, Riza Drini, ka qenë dy herë prefekt i Shkodrës: mars 1940-shtator 1941 dhe prill-maj 1943. Po aty, f. 176.
[3] Të dhënat për familjen Drini janë marrë nga libri Një jetë për shqiptarinë. Riza Drini, intelektual, atdhetar, nacionalist, botuar në Tiranë në vitin 2022, me autorë Genc Drinin (të birin e Riza Drinit) dhe Ardian Muhajn (historian).
[4] Po aty, f. 56.
[5] Po aty, f. 92.
[6] Qysh si fëmijë kam dëgjuar të flitet për një takim të Riza Drinit me bashkëfshatarët e mi gjatë luftës dhe për fjalimin e mbajtur me atë rast nga ana e tij në Veleshtë. Te libri i Genc Drinit dhe Ardian Muhajt, ndër të tjera, thuhet: “… kah fundi i vitit 1943, kur bataljonet e Haxhi Lleshit erdhën në katundin e Veleshtës (rreth katundit), ku u ftua gjithë paria e Veleshtës për t’u bashkue me forcat e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, ata nuk pranuan këtë bashkim mbasi kishte influencue Riza Drini, i cili i frymëzonte, duke u thanë se akoma nuk ka ardhë koha”. Ky paragraf është pjesë e deklaratës së njërit nga dëshmitarët në gjykimin e Riza Drinit, “zv. komandantit Mynir Gura”. Në komentin që i bëjnë kësaj deklarate autorët e librit në fjalë, thuhet: “një Veleshtë nacionaliste nuk do të bashkohej kurrë me H. Lleshin dhe LNÇ-në” (f. 337). Ndërkaq, sa i përket pohimit se “akoma nuk ka ardhë koha” do të mund të thoshim se fundi i vitit 1943 jo vetëm që nuk ishte herët, por ishte vonë për t’u radhitur në anën e koalicionit antifashist.
[7] Cituar sipas librit Një jetë për shqiptarinë. Riza Drini, intelektuali, atdhetari, nacionalisti (f. 180), ku jepet, në fusnotë, vetëm titulli i punimit, Dafina në vend të granatës, por jo edhe viti dhe vendi i botimit!
[8] Po aty, f. 382.
[9] Po aty, f. 383.
[10] Absurdi arrin deri aty sa flitet për një turne të shahut që qenkësh zhvilluar për nder të tij në Shkodër, “Kupa Skënder Drini”, në vitin 2018, por nuk përmendet fare konferenca shkencore e mbajtur në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në njëvjetorin e vdekjes së tij, në vitin 2015, ku për jetën dhe veprën e tij folën miq dhe kolegë të Skënderit, por edhe studiues të njohur të letërsisë.
[11] Grup autorësh, Histori e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, Tiranë, 1978, f. 390.
[12] Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë-Pejë, 1997, f. 410.
[13] Po aty.
[14] Fjala është për librin Letërsi e painterpretuar. Qasje teorike ndaj Realizmit Socialist, Tiranë, 2010.
[15] Skënder Drini, Vraje tradhtinë, Tiranë, 1980, f. 5.
[16] Sadedin Limani, Përtej heshtjes. Jeta dhe vepra e Skënder Drinit, shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2014, f. 453.
[17] Lukiani, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1979, f. 480.
[18] Why I Am Not a Christian. Cituar sipas gazetës Koha ditore, 28.03.2009, f. 35.
[19] Term i studiuesit kroat Aleksandar Flaker. Socijalistički realizam (Leksikografska obrada), në Stilske formacije, “Liber”, Zagreb, 1976, f. 301-310.
[20] Në origjinal: “réalisme sans rivages”.
[21] Midis dy kohëve, f. 223.
[22] Po aty.
[23] Cituar sipas Milivoj Solarit, Teoria e letërsisë, Prishtinë, 1978, f. 227.
[24] Vraje tradhtinë, f. 11.
[25] Po aty.
[26] Shembja e idhujve, f. 232.
[27] Midis dy kohëve, f. 282.
[28] Vraje tradhtinë, f. 45.
[29] Po aty, f. 140.
[30] Genc Drini Ardian Muhaj, vepra e cituar, f. 180.
[31] Është absurd pohimi se Skënder Drini mishëroi veten te personazhi i Engjëll Shtjefnit (Shih: Përtej heshtjes, f. 470).
[32] Vraje tradhtinë, f. 41.
[33] Midis dy kohëve, f. 511.
[34] Fjala është për veprën autobiografike të Stendalit Les souvenirs d’égotisme (Kujtime egotiste), botuar në vitin 1892.
[35] Midis dy kohëve, f. 201.
[36] Shembja e idhujve, f. 11.
[37] Po aty, f. 94.
[38] Po aty, f. 367.
[39] Arnold Hauzer, Socijalna istorija umetnosti i književnosti II, Kultura, Beograd, 1966, f. 241.
[40] Mihail Bahtin, Epi dhe romani, në librin Çështje të romanit, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 22.
[41] Shënim nga një takim në Prishtinë, më 26.05.2012.
[42] Për librin Kthim në vetvete (Shekulli i Kosovës) shih shkrimin tim: Kthimi në identitet, tek “Universi shqiptar i librit”, nr. 1 (15), Tiranë, 2001 dhe në librin Arti i reagimit, Prishtinë, 2011, f. 318-322.
[43] Unë e kam shfrytëzuar botimin e Prishtinës, që ka dalë në vitin 1977, në dy mijë kopje.
[44] Xhahid Bushati, Duke kujtuar Skënder Drinin, autorin e “Testamentit”. “Dita”, 9 shtator 2019.
[45] Cituar sipas Përtej heshtjes, f. 428.
Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”



