Posti i presidentit komplikon negociatat LV – LDK për formimin e qeverisë

07 nëntor 2019 | 13:47

Analisti politik Faton Abdullahu ka vlerësuar se moscertifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit nuk duhet të jetë kurrfarë justifikimi për të mos e shpejtuar procesin e bisedimeve për krijimin e qeverisë së re.

Ai ka thënë se karta e re për postin e presidentit i komplikon negociatat në mes të LV-së dhe LDK-së.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se nuk po merret parasysh sugjerimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë, se qeveria duhet të krijohet sa më shpejt, të pezullohet taksa dhe menjëherë të rifillojë dialogu me Serbinë.

Megjithatë, edhe nëse formohet qeveria me koalicionin LV – LDK, Abdullahu ka shprehur skepticizëm për funksionimin e saj për shkak të dallimeve parimore, ideologjike dhe strategjike që kanë këto dy subjekte politike

“Epoka e re”: Z. Abdullahu, si jeni duke i parë negociatat në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë së re? Do të mund të formohet ky koalicion qeverisës?
Abdullahu: Kam përshtypjen se në këtë proces nuk po merret sa duhet parasysh sugjerimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë i thënë pa ekuivokë, posaçërisht i ShBA-së, se qeveria duhet të krijohet sa më shpejt, të pezullohet taksa dhe menjëherë të rifillojë dialogu. Moscertifikimi i zgjedhjeve nuk duhet të jetë kurrfarë justifikimi për të mos e shpejtuar procesin e bisedave për krijimin e qeverisë së re dhe sidomos jo mosfillimin e bisedimeve gjithanshëm dhe seriozisht për çështjet vitale politike ndërmjet aktorëve kryesorë të LV-së dhe të LDK-së. Fakti se tani kemi edhe një kartë të re të vendosur në tavolinën e negociatave për krijimin e qeverisë LV – LDK, atë të bërjes së z. Mustafa president të Kosovës, e komplikon këtë negociatë, për rrjedhojë, mbase, edhe e prolongon pajustifikueshëm. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilën gjendemi sot, ku brengosshëm na shquan shkalla më e ulët e arritur ndonjëherë në dy dekadat e fundit e nivelit të raporteve me partnerët ndërkombëtarë, ku s’kemi njohje të reja e po rrezikohemi me çnjohje, ku Serbia nuk perceptohet më si e ‘çmendura e Ballkanit’, ku BE-ja vazhdon të mos na përkëdhelë, prolongimet e mundshme për krijimin e qeverisë, për çështje se kush cilën ministri do ta ketë apo kush do të jetë kryeministër, janë moralisht të padenja e politikisht mund të jenë të dëmshme.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh dallimet që kanë këto parti, sa do të jetë funksionale qeveria e udhëhequr nga LV – LDK? Cilat do të jenë pengesat kryesore në këtë drejtim?
Abdullahu: LV-ja dhe LDK-ja janë forca politike të cilat kanë dallime të mëdha ndërmjet vete. Për më shumë ato kanë histori edhe armiqësore jo lehtë të riparueshme. Ky realitet i hidhur ka pasur edhe segmente kriminale, prandaj natyrshëm mund ta rritë skepticizmin e atyre të cilët mund të kenë drojë se qeveria e udhëhequr nga LV – LDK mund të mos krijohet apo, nëse krijohet, mund të kenë dyshime se barrierat në të ardhmen mund të mos tejkalohen sa e si duhet. Dallimet janë edhe parimore, edhe ideologjike, edhe strategjike. Sa për ilustrim, për ta dëshmuar këtë konstatim, po përmendi se LDK-ja asnjëherë nuk e intonon himnin kombëtar shqiptar në të gjitha tubimet e manifestimet që i organizon. E çuditshme, por e vërtetë. Kurse LV-ja asnjëherë nuk e intonon himnin e Kosovës. E pabesueshme, por reale. Për më shumë, LDK-ja rrallë e hiç e përdorë flamurin kombëtar shqiptar, kurse këtë është e bindur se e zëvendëson suksesshëm me, siç e quajnë ata, ‘flamurin dardan’. Në anën tjetër, LV-ja përdorimin e flamurit të Kosovës e konsideron tradhti nacionale. Këto dallime nuk janë vetëm simbolike, as nuk janë vetëm koreografi politiko-kulturore. Ato janë dëshmi për dy subjekte me defekte të mëdha identitare. Thjesht, mjafton të vështrohet nga ky prizëm për ta kuptuar se këto dy gjysma – LV – LDK – kanë predispozita për të mos e bërë një tërësi politike funksionale dhe pragmatike për vendin tonë. Përkundër kësaj, unë konsideroj se këto dy forca politike kanë përgjegjësi para votuesve të tyre që ta krijojnë qeverinë sa më shpejt. Mendoj se LDK-ja, pos të tjerash, do ta shtyjë këtë proces përpara sepse është e vetëdijshme se duke qenë në pushtet do t’i menaxhojë më lehtë ndasitë dhe hatërmbetjet klanore përbrenda saj të cilat përndryshe mund të shkaktojnë turbulenca jo kollaj të menaxhueshme.  Edhe LV-ja ka interesa vitale për ta shtyrë procesin përpara, sepse me këtë ajo dëshiron të dëshmojë se mund të ngritët në një shkallë më të lartë të veprimit e patriotizmit, atë institucionalist. Nëse kjo nuk ndodh, ajo është e vetëdijshme se akuzat se, LV-ja është parti e protestave dhe e rrugëve, mund të bëhen më bindëse e, për rrjedhojë, t’i hakmerren asaj në zgjedhjet e ardhshme.

“Epoka e re”: Aktualisht po flitet për zvogëlimin e numrit të ministrive nga 22 në 12 sosh. Do të mund të realizohet një gjë e tillë. Nëse po, cilat do të jenë të mirat apo pasojat e këtij procesi?
Abdullahu: Dikur thoshin se vetëm Kina ka një ministri më shumë se Kosova për të treguar se sa absurd ishte numri kaq i madh i ministrive në qeveritë e kaluara. Realisht, numri ekzistues i ministrive është i madh dhe duhet të zvogëlohet, por parimisht 12 ministri nuk janë në asnjë variant garanci se do të jenë funksionale dhe të dobishëm. Mund të kemi ministri në numër sa Gjermania e Franca, por të bëjmë gabime të mëdha sa Kina. Thjesht, kjo zhurmë për këtë reduktim buron nga mendësia e përpunuar populiste, ku më pak mund ka përpjekje të arrihet perceptimi se po bëhet shumë. Mbetet të shihet e të vlerësohen më pas performancat e ministrive që do të mbeten.

“Epoka e re”: Si e komentoni në përgjithësi procesin dhe rezultatin zgjedhor i cili, si duket, ka lënë jashtë Kuvendit disa parti! Meqenëse keni qenë pjesë e qeverisë Mustafa dhe njihni nga afër funksionimin e LDK-së, cilat mendoni se kanë qenë arsyet që kjo parti nuk i fitoi zgjedhjet?
Abdullahu: LDK-ja ka dalë në zgjedhje edhe pa u reformuar edhe me kuadro të vjetra. Me zgjedhjet e brendshme e ka konfirmuar këtë. Por ajo ka përdorur një truk politik para votuesve dhe simpatizantëve të vet. LDK-ja ka përdorur të gjitha simpatitë dhe votat e Vjosa Osmanit për të krijuar përshtypje se edhe ka reforma, edhe ka kuadro të reja. Thjesht, Vjosa Osmani ka qenë mashtrim optik. Dihet se ajo gjithë këtë akumulim politik e ka bërë vitet e fundit, duke kritikuar pandalshëm kryetarin, kryesinë, nënkryetarët e LDK-së, thjesht krejt konceptet dhe strategjitë e LDK-së. Pra, këtu ka pasur një diskrapancë politikisht patologjike. Vjosa Osmani është perceptuar si reformatore e LDK-së, si kuadër i ri me mendime e koncepte të reja, e cila do ta marrë timonin e ecjes politike të LDK-së. Por, kjo nuk ka ndodhur. As nuk do të ndodhë në disa vite të ardhshme sepse zgjedhjet e brendshme kanë përfunduar. Ky është realitet në LDK të cilin ata që e kanë kuptuar kanë hezituar që këtij marifeti politik t’ia japin votën për ndryshime.

“Epoma e re”: Sfida kryesore në aspektin e jashtëm për qeverinë e re do të jetë dialogu me Serbinë. A prisni finalizim të suksesshëm të këtij procesi nën drejtimin e qeverisë Kurti?
Abdullahu: LV dhe z. Kurti kanë shprehur haptazi se nuk kanë arsye të nxitojnë për ta rifilluar dialogun me Serbinë. Ndërkohë që z. Konsnett në takimin e parë me kandidatin e LV-së për kryeministër ka theksuar që qeveria të krijohet sa më parë dhe menjëherë të rifillojë dialogu me Serbinë. Ky është mospajtimi i parë brengosës LV – ShBA. Kurse në këtë aspekt LDK-ja vazhdon të sillet thua se nuk e ka thënë në mënyrë të përsëritur këtë partneri i saj potencial në qeverinë e re. Ky inercion tradicional i LDK-së mund ta dobësojë atë para LV-së dhe të kapërdihet nga diktimi i ritmit që e dëshiron LV-ja. Mbetet të shihet se delikuenca e dikurshme antiinstitucionaliste e LV-së do të konvertohet suksesshëm për të qenë pjesë e mendësisë euroatlantike dhe demokracisë liberale evropiane. Me mirëkuptimin e tepruar që e ka LDK-ja në natyrën e saj, zor se do ta ndihmojë shumë këtë proces. Mbetet të shihet.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pedro Rodriguez mund të largohet nga Chelsea në afatin kalimtar…