Pranvera ballkanike

31 dhjetor 2017 | 11:38

• Ballkanin në vitin 2018 e pret një pranverë antikorruptive për ta ç’kapur shtetin nga 5-K-të (pesë kapjet): korrupsioni, kriminaliteti, klientelizmi, kanabizimi dhe kolumbizimi

• Pritet që, më në fund, nga situata e të sunduarve në emër të ligjit, të kalohet në sundimin e ligjit, kur shoqëritë e qytetarëve të varfër me pushtetarë të pasur t’i kalojnë historisë

Nga Blerim Reka

Dy dekada pas tranzicionit postkonfliktual Ballkani do të hyjë në vitin 2018 në fazën e transformimit post-korruptiv. Qasja e gjertanishme e bashkësisë ndërkombëtare, që në një mënyrë flijoi demokracinë për stabilitet, pritet të ndryshojë kësaj pranvere.
ShBA-ja dhe BE-ja tashmë paralajmëruan qartë se Ballkanit i duhen elita shtetërore të pakorruptuara, sundim i ligjit dhe qeverisje e mirë si parakushte për t’u anëtarësuar në klubin euroatlantik.
Më herët vokabulari diplomatik kërkonte stabilitet dhe siguri. Nga frika se paqja e brishtë pas luftërave në rajon mund të trazohej, diplomacia kishte mbyllur sytë para skandaleve korruptive të liderëve ballkanikë. Ashtu, sikur gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar nga kërcënimi i komunizmit në Amerikën Latine, ishin toleruar juntat e korruptuara ushtarake. Dhe kjo është e kuptueshme për projeksionet më të gjëra gjeopolitike, ku shikohet korniza më e gjerë makro-politike në vend të mikro-menaxhimit.
Mirëpo duket se bashkësia ndërkombëtare nga viti që vjen do të hapë një faqe të re për trajtimin e Ballkanit. ShBA-ja muajt e fundit udhëhoqi fushatën e vetëdijesimit antikorruptiv në rajon. Bashkimi Evropian në shkurt të vitit 2018 do ta prezantojë strategjinë e re për Ballkanin, ku lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar do të jetë prioritet afatmesëm i Brukselit karshi rajonit. Kjo do të bëhet jo aq për rajonin, por shumë më tepër për konsideratat më të thella gjeostrategjike.

Korrupsioni si kërcënim strategjik

Faktori ndërkombëtar e kuptoi se korrupsioni nuk është vetëm kërcënim i brendshëm për shtetin ku ai paraqitet. Është shumë më tepër një rrezik rajonal dhe më gjerë, si sfidë serioze e sigurisë evropiane. Sidomos krimi transnacional apo korrupsioni që nuk njeh kufij, madje edhe tepër funksional midis ish-shteteve deri dje armike.
Për ta shpjeguar këtë sa më thjesht, paramendoni qeverinë e korruptuar të një shteti ballkanik që i falë tenderë kompanisë multi-nacionale, ku shumicën e aksioneve mund ta ketë një fuqi jashtë komunitetit euroatlantik, madje që është kundër NATO-s.
Apo edhe më keq: një shtet tjetër me lidhje përfitimi me ISIS-in, por që formalisht nuk figuron as në procedurat e as në dokumentet tenderuese, siç u pa nga raporti i dhjetorit ku shtete nga Ballkani u kishin shitur armë ISIS-it. Me këtë korrupsion në dukje, vendor dhe minimal, iu hapën dyert lojtarëve jashtëperëndimorë, që pastaj përpunojnë agjendat antieuroatlantike, duke mbajtur peng ardhmërinë perëndimore të qytetarëve që qeverisen nga qeveritarë të korruptuar.

Në vend të sundimit të ligjit zbatohej: të sunduar me ligj

Në pranverën e vitit që vjen pritet që bashkësia ndërkombëtare përfundimisht t’ua bëjë të qartë elitave qeverisëse të Ballkanit, se nuk do të tolerojë më praktikën njëzetvjeçare të karrikaturimit të sundimit të ligjit, në të sunduar me ligj.
Si çdoherë që janë inovativë, qeveritarët ballkanikë pandehën se ua hodhën ndërkombëtarëve se kinse janë duke e zbatuar sundimin e ligjit, me atë që në emër të ligjit justifikonin shkeljet e tij të sofistikuara.
Me parlamente të kontrolluara nga qeveritë, duke u shndërruar në makina votuese të projektligjeve qeveritare, ato realizonin agjendat e tyre ekzekutive, me mbështetje të votave mezi kalimtare të legjislativit. Ligjet që vetë i projektonin dhe me matematikë votuese i legalizonin në kuvend, praktikisht nga sundimi i ligjit, ata shndërruan shoqëritë tona në qytetarë të sunduar në emër të ligjit.
E ligji, prej se u krijua, ishte bërë nga njeriu për njeriun, që ta mbrojë njeriun nga njeriu. Kështu siç shkonin punët në Ballkan, ligjin e krijuan qeveritarët për vete, për ta sunduar qytetarin. Në vend të sintagmës askush mbi ligjin, praktikisht tash e dy dekada në Ballkan funksiononte sistemi: askush mbi sundimtarin. Rajoni tërë këto vite prodhoi një kakofoni legjislative dhe hiper-produksion normativ të zbatuar selektivisht.

Kapja e shtetit sipas formulës 5-K

Në situatën e kapjes së shtetit në Ballkan, me gjyqësor të politizuar partiakisht e të korruptuar financiarisht, nuk mund të jetësohet asnjë reformë euroatlantike. Precedentët sllovakë dhe kroatë mjaftojnë si shembuj se mësimet e tyre mund të aplikohen për t’i evituar përsëritjet edhe në shtetet ballkanike.
Sllovakia para pesëmbëdhjetë vjetësh ishte bllokuar nga Brukseli derisa nuk u hoq nga pushteti kryeministri Meçijar. Kroacia nuk mundi të procedonte në integrime evropiane deri në ardhjen si kryeministër të Ivica Raçan pas vdekjes së Franjo Tugjmanit; sikur që nuk mund të anëtarësohej në BE derisa ish-kryeministri kroat Ivo Sanader nuk iu dorëzua organeve gjyqësore.
Arrestimi i grupit të madh të biznesmenëve në Serbi parvjet, themelimi Gjykatës Speciale në Mal të Zi nga viti 2016 dhe po atë vit i Prokurorisë Speciale në Maqedoni, si dhe vetingu në Shqipëri, dëshmojnë për shtimin e presionit ndërkombëtar për prova bindëse për ndjekjen e krimit të organizuar dhe të korrupsionit ballkanik. Pa harruar këtu as vizitat gjithnjë e më të shpeshta të: FBI-së, BND-së dhe Gaurda di Finanzia në rajon.
Nuk konsiderojmë se të huajt janë engjëj dhe vetëm ballkanasit djaj, e as se korrupsioni u ç’pik në Ballkan sepse nuk ekzistonte gjetkë, mirëpo gjithsesi se asaj rruge nuk duhet të shkojë rajoni.
Me fjalë të tjera, Ballkanin tërë këto vite e përcolli sindroma famëkeqe e kapjes së shtetit sipas formulës së 5-K: korrupsion, kriminalitet, klientelizëm, kanabizim dhe kolumbizim.
Ballkanin, pra, në vitin 2018 e pret një pranverë antikorruptive ku, më në fund, shoqëritë e qytetarëve të varfër me shtetarë të pasur pritet t’i kalojnë historisë.

(ENKAS PËR NUMRIN FESTIV TË GAZETËS “EPOKA E RE”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ngritja e madhe e Eros Grezdës si futbollist erdhi pikërisht…