Pranvera Kastrati emërohet në krye të sekretariatit të CEFTA-s

17 korrik 2025 | 11:02

Pranvera Kastrati është emëruar zyrtarisht drejtoreshë e re e sekretariatit të CEFTA-s, e njohur si Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore.

Ky vendim ka ardhur pas një procesi të gjatë dhe transparent përzgjedhjeje, të udhëhequr nga Kosova në cilësinë e saj si kryesuese e CEFTA-s për vitin 2025.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka kryesuar takimin special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s përmes platformës elektronike, ka njoftuar se vendimi për emërimin e Kastratit është miratuar me konsensus të plotë nga të gjitha palët pjesëmarrëse.

Sipas Hajdarit, ky është një hap i rëndësishëm institucional për CEFTA-n dhe një sukses për Kosovën në skenën rajonale dhe evropiane.

“Emërimi i znj. Kastrati u bë pas një procesi përzgjedhjeje të ndarë në tri faza – skanimi fillestar, intervistat dhe vlerësimi final në Bruksel me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe mbështetjen e Komisionit Evropian”, ka thënë Hajdari.

Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, vlerësoi lart procesin dhe theksoi se ky emërim ishte në pritje prej dy vitesh.

Ajo ka përgëzuar Kosovën për transparencën dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit të përzgjedhjes.

Emërimi i Pranvera Kastrati shihet si një moment i rëndësishëm për vazhdimësinë institucionale të CEFTA-s, veçanërisht në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM2), që është pjesë kyçe e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Malisheva do ta kërkojë sonte mrekullinë në Ligën e Konferencës.…