
Premtimet në fushata, dikur dhe tash: Çfarë ka ndryshuar?
Premtimet në fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ndryshojnë: nga vendosja e sistemit të kanalizimit në një fshat a qytet dhe ndërtimi i bibliotekave, deri te krijimi i një linje të re prodhuese “Made in Mitrovica” apo ndërtimi i sistemit të tramvajit në Prishtinë e i atij të teleferikut në Prizren.
Me gjithë llojllojshmërinë e premtimeve dhe numrin e konsiderueshëm – meqë 206 persona kandidojnë për kryetarë në 38 komuna, ndërsa mbi 5.000 për asamblistë – njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se nuk duhet ngritur paralele mes tyre, sepse secila komunë i ka nevojat e veta.
Por, Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, vëren se fushatat janë bërë shumë më racionale:
“Tani po flitet shumë më shumë për cilësinë e arsimit, për mësimin tërëditor, flitet shumë më shumë për hapësirat e gjelbra, për parqet që mungojnë, dhe jo vetëm për rrymën, kanalizimin, ujin e pijes, asfaltimin e rrugëve, tema që kanë dominuar në fushatat e kaluara”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë (REL).
Edhe Bekim Salihu, nga Instituti për Hulumtime të Avancuara – GAP, përmend për REL-in që kandidatët për kryetarë nuk bëjnë më premtime të ngjashme me ato të viteve më parë – sikurse pavarësia, përmirësimi i situatës me energji elektrike, apo çështja e vizave – që s’kanë qenë kurrë përgjegjësi e pushtetit lokal.
“Në përgjithësi, kandidatët duket se e kanë kuptuar se cilat janë kapacitetet e tyre ligjore dhe buxhetore, në kuptim të komunave, dhe premtimet po jepen brenda kësaj natyre. Nuk po lexoj më premtime të ekzagjeruara, siç kanë qenë në të kaluarën”.
Zotimet vs. realiteti
Bazuar në të dhënat e Institutit GAP, në mandatin 2021-2025 janë përmbushur 51 për qind e premtimeve në komunat e Kosovës, ndërsa 21 për qind as nuk kanë filluar si projekte.
Për Ymerin, kjo shifër nuk është e kënaqshme, ndonëse nuk mund të analizohet vetëm në aspektin statistikor.
“Mund të ketë kryetar që del shumë mirë në realizimin e premtimeve, por kur të lexohen premtimet e realizuara, e sheh që, megjithatë, edhe pse janë realizuar, kapaciteti i tyre për ta transformuar qytetin është i vogël. Ka kryetarë që kanë dalë me zotime të mëdha për ta transformuar qytetin, siç ka qenë rasti i kryetarit të Prishtinës, apo i atij të Mitrovicës së Jugut, dhe disa tjerë që kanë qenë më modestë në zotimet e tyre”.
Sipas Salihut, janë edhe disa aspekte tjera që duhet pasur parasysh kur flitet për përmbushje zotimesh në mandatin që kryetarët po e lënë pas.
“Nisja e mandatit në periudhë të pandemisë, pastaj përpjekja për t’u rikuperuar nga kjo periudhë, më pas inflacioni dhe lufta në Ukrainë, që ka ndikuar shumë në çmimet dhe ka ndikuar te ecuria e punëve në teren, ka pasur probleme të mëdha me çështje të përmbarimit që kanë ardhur si pasojë e kontratave kolektive dhe deri te bllokimi i fondeve të Bashkimit Evropian, shuarja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e kështu me radhë”.
Të dhënat tregojnë se në nivel vendi, komunat e kanë shpenzuar rreth 93 për qind të buxhetit, ndërsa rreth 58 milionë kanë mbetur të pashfrytëzuara.
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave për buxhetin e vitit të ardhshëm, disa komuna do të kenë rritje të buxhetit, në linjë me ndryshimet që janë bërë në numrin e popullsisë dhe janë reflektuar në shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Prej rreth 3.5 miliardë eurove të buxhetit të përgjithshëm, komunave pritet t’iu ndahen rreth 867 milionë euro.
Sfidat përpara
Një tjetër sfidë e konsiderueshme i pret shumë kryetarë menjëherë pasi të përfundojnë xixat e fushatës dhe ethet e ditës së zgjedhjeve: buxheti i pamiratuar.
Janë diku rreth 12 komuna që nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm – kryeqyteti në mesin e tyre – sipas afatit të përcaktuar me ligj, 30 shtator. Arsyet dallojnë: prej ndikimit të fushatës, e deri të përçarjet e mëdha në kuvendet komunale.
“Fakti që një komunë nuk e miraton buxhetin sipas afateve ligjore nënkupton që ajo komunë do të ketë më pak buxhet dhe, rrjedhimisht, më pak kapacitet për t’i implementuar projektet”, vlerëson Salihu.
Komunat kanë afat deri më 1 mars të vitit të ardhshëm ta miratojnë buxhetin e bazuar në shumën e atij paraprak, apo në të kundërtën kuvendi komunal i asaj komune shkon në zgjedhje.
Ku do të zhvillohen garat më të ashpra?
Salihu beson se mbi 20 komuna do të shkojnë në balotazh – që do të mbahet më 9 nëntor.
Sipas tij, gara më e ashpër do të zhvillohet në Prishtinë, në Mitrovicë të Jugut, në Drenas, në Lipjan dhe në Podujevë.
Për Ymerin, gara pa balotazh mund të përfundojë në Ferizaj, në Gjakovë, në Istog dhe potencialisht në Pejë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 2.069.098 qytetarë.
Rreth 44.000 prej tyre kanë të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.
Kandidatët kanë shpenzuar mijëra euro për reklama, por të dielën shihet se kush e zgjodhi strategjinë më të mirë.