
Presidenti Donald Trump vendos tarifë prej 100,000 dollarësh për punëtorët e huaj të kualifikuar
Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv për vendosjen e një tarife aplikimi prej 100,000 dollarësh për vizat H-1B – një vizë që i lejon punëtorët e huaj të kualifikuar të punojnë në SHBA- në përpjekje për të frenuar atë që administrata e tij e konsideron si përdorim të tepruar të këtij programi.
“Na duhen punonjës të shkëlqyer, dhe kjo masë e garanton këtë,” tha Trump nga Zyra Ovale, ndërsa zyrtarët sqaruan se masa synon të nxisë kompanitë që të punësojnë qytetarë amerikanë, por gjithashtu të ruajë mundësinë për të rekrutuar punëtorë të huaj me kualifikime të larta në fusha të specializuara.
Sipas dekretit, hyrja në SHBA përmes programit H-1B do të kufizohet nëse nuk paguhet tarifa përkatëse, shkruan CNN.
Në një urdhër tjetër të veçantë, Trump urdhëroi krijimin e një rruge të re për imigracionin, të quajtur “Gold Card”, që do të përshpejtojë marrjen e vizave për emigrantë të caktuar në këmbim të një pagese të lartë. Politika e re do të lejojë përshpejtimin e vizës për të huajt që paguajnë 1 milion dollarë, ndërsa kompanitë që sponsorizojnë një punëtor të huaj do të mund të paguajnë 2 milion dollarë për të përshpejtuar procesin.