
Presidenti i Tajvanit bën thirrje për paqe dhe dialog me Kinën
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka përsëritur thirrjet për paqe dhe dialog me Kinën ndërsa shënon një vit në detyrë, mes aktivitetit të shtuar ushtarak kinez dhe përkeqësimit të përçarjes politike në vend.
Kështu ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”.
Lai Ching-te, i cili është betuar një vit më parë, u ka thënë gazetarëve të martën se një luftë “nuk do të kishte fitues”, por Tajvani do të vazhdonte të forconte mbrojtjen e tij për të shmangur një pushtim kinez ose për të tentuar ta aneksojë atë me forcë.
“Është agresori ai që minon paqen… Tajvani është një komb paqedashës dhe shoqëria jonë vlerëson vullnetin e mirë”, ka thënë ai të martën në përgjigje të pyetjeve pas fjalimit të tij zyrtar. “Unë jam thellësisht i përkushtuar ndaj paqes, sepse paqja është e paçmuar dhe në luftë nuk ka fitues”, ka thënë Lai Ching-te.
Ai i ka kërkuar Pekinit të rinisë dialogun me qeverinë e tij në kushte të barabarta, “duke përdorur shkëmbime për të zëvendësuar pengimin, dialog për të zëvendësuar konfrontimin”.
Partia Komuniste në pushtet e Kinës i ka ndërprerë të gjitha lidhjet dhe dialogun me qeverinë e Tajvanit kur paraardhësja e Lai-t, Tsai Ing-wen, fitoi zgjedhjet e vitit 2016.
Në përgjigje të fjalimit të presidentit, medie zyrtare shtetërore e Kinës, “Xinhua”, ka akuzuar Lai-n për “përshkallëzim të qëllimshëm” të tensioneve.
Në javët e fundit, ushtria e Kinës ka nisur një numër më të madh se zakonisht aeroplanësh dhe anijesh në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit – mesatarisht rreth 20 aeroplanë dhe 11 anije të marinës dhe rojës bregdetare çdo ditë.