Presidentja e Meksikës ngacmohet seksualisht, sigurimi reagon me vonesë (Video)

05 nëntor 2025 | 20:07

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum u ngacmua seksualisht të martën pasdite nga një burrë i panjohur, i cili iu afrua dhe tentoi ta puthte, ndërsa turma përreth e shihte e habitur pa reaguar menjëherë.

Ngacmimi përfundoi vetëm kur ndërhyri Juan Jose Ramirez Mendoza, shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Presidentes.

I gjithë incidenti i pazakontë u filmua nga kalimtarët.

Reagimi i vonuar i ekipit të sigurisë së Sheinbaum, e cila, ashtu si paraardhësi i saj Andres Manuel Lopez Obrador, ka refuzuar idenë e një garde presidenciale, ka rihapur debatin për nivelin e mbrojtjes së krerëve të shtetit në Meksikë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Gjeografisë, 45% e grave meksikane kanë përjetuar ngacmime në rrugë.

Sheinbaum po ecte në këmbë nga Pallati Kombëtar drejt Ministrisë së Arsimit, kur burri iu afrua, e përqafoi, tentoi ta puthte dhe e preku. Ajo e largoi me qetësi, por e shqetësuar, ndërsa më pas u dëgjua t’i thoshte bashkëpunëtorit të saj: “Mos u shqetëso.”

Kodi Penal Federal e klasifikon kontaktin fizik pa pëlqim si ngacmim seksual, i dënueshëm me deri në pesë vjet burg. Në Mexico City, dënimi arrin deri në katër vjet, plus gjobë dhe urdhër ndalimi. Disa media raportuan se agresori ishte arrestuar, por autoritetet nuk e kanë konfirmuar.

Organizatat për të drejtat e grave e quajtën incidentin dëshmi të normalizimit të dhunës seksiste në vend dhe apeluan që presidentja ta përdorë rastin për të dërguar një mesazh të fortë kundër këtij fenomeni. Ministria e Grave deklaroi se “asnjë grua, pavarësisht pozitës, nuk është e përjashtuar nga ngacmimet seksuale” dhe se “raportimi i tyre është thelbësor për drejtësinë dhe ndryshimin kulturor”.

Aktivistja Diana Luz Vazquez shtoi: “Nëse një burrë guxon ta bëjë këtë ndaj një presidenteje, imagjinoni çfarë përjetojmë ne të tjerat.”

Ngjarja ndodh në një moment kur siguria e zyrtarëve në Meksikë është në pikëpyetje, pas vrasjes së kryebashkiakut Manzo, ndërsa vendimi i Sheinbaum për të mos pasur një trupë të posaçme mbrojtjeje po kritikohet ashpër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja fituese e çmimit Oscar dhe Ambasadorja e Vullnetit të…