Presim vit të unitetit politik dhe qytetar

01 janar 2018 | 11:37

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve shteti i Kosovës ka pasur përparim, por edhe lëshime e dobësi.

Në përgjithësi ka thënë se viti 2017 ka qenë vit i rëndësishëm dhe i suksesshëm për vendin.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Thaçi ka shprehur optimizëm se gjatë muajit janar institucionet do t’ia japin zgjidhjen e duhur demarkacionit me Malin e Zi në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Po ashtu, ai ka thënë se Kosova do t’i ketë Forcat e Armatosura gjatë vitit 2018. Në vitin që po hymë presidenti pret të ketë unitet politik dhe qytetar.

“Epoka e re”: Z. President, si po e përmbyll Kosova vitin 2017?
Thaçi: Vlerësoj se viti 2017 ka qenë vit i rëndësishëm dhe i suksesshëm për vendin. Në rrafshin e konsolidimit të brendshëm dhe në atë ndërkombëtar, Kosova ka shënuar progres në procesin e rritjes së numrit të njohjeve dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare të ndryshme, në veçanti në ato të sportit. Edhe në rrafshin e zhvillimit ekonomik është ruajtur trendi i rritjes ekonomike rreth katër për qind, si dhe është rritur buxheti i Kosovës duke arritur shifrën mbi dy miliardë euro. Po ashtu, kemi organizuar dy palë zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme. Zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, të cilat kanë qenë shumë mirë të organizuara, kanë qenë fer, të lira dhe demokratike, mbi bazën e të cilave ndërtuam qeverinë e re. Tash së fundi përmbyllëm edhe procesin e zgjedhjeve lokale, sipas standardeve dhe kritereve perëndimore. Kosova është pjekur politikisht dhe në të njëjtën kohë po dëshmon funksionimin e demokracisë dhe implementimin e marrëveshjeve nga dialogu në Bruksel. Në veçanti integrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës ka qenë një sukses i shtetit të Kosovës. Megjithatë, vlerësoj se ka pasur edhe lëshime e dobësi. Ka pasur forcim të rendit e të ligjit, në veçanti në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjë që është vlerësuar edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Kanë vazhduar reformat në të gjitha sferat e jetës, prandaj 2017-n e vlerësoj vit të suksesit dhe vazhdimit të reformave.

“Epoka e re”: Si e komentoni punën e koalicionit qeverisës dhe rolin e opozitës?
Thaçi: Kosova është vend demokratik, ka institucionet e veta të zgjedhura, të cilat funksionojnë në mënyrë demokratike. Unë si president kam punuar dhe do të punoj që të garantoj funksionimin normal dhe demokratik të këtyre institucioneve. Mendoj se vlerësimin më të mirë të punës së çdo qeverie e bën qytetari i Kosovës. Si president i vendit kam obligim bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha institucionet, por edhe mbështetjen për të gjitha punët e mira që bëhen. E kam mbështetur edhe qeverinë Mustafa, e mbështes edhe qeverinë Haradinaj, po ashtu edhe punën që po bëhet në Kuvendin e Kosovës për nxjerrjen e ligjeve të nevojshme për vendin. Mendoj se është bërë një punë e mirë. Kemi një qeveri stabile dhe një opozitë aktive.

“Epoka e re”: Megjithatë, as kjo qeveri nuk arriti ta zgjidhë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ky koalicion do të mund t’ia japë zgjidhjen e duhur kësaj çështje në gjashtëmujorin e parë të 2018-s?
Thaçi: Unë shoh vullnet të mirë nga kryeparlamentari Veseli dhe nga kryeministri Haradinaj që të punohet në këtë drejtim. Dua të them atë që kam thënë tash e dy vjet e gjysmë, se Kosova mbetet pa liberalizim të vizave për shkak të moskalimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. Por në javët e fundit shoh një vullnet që të punohet në drejtim të gjetjes së një zgjidhje, që do të ishte e pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në të njëjtën kohë do të ishte mirëkuptuese edhe nga Bashkimi Evropian që Kosova të lëvizë përpara.

“Epoka e re”: Demarkacioni edhe më tutje vazhdon ta mbajë Kosovën të izoluar. Kur saktësisht institucionet e vendit do t’ia japin epilogun e duhur kësaj çështje?
Thaçi: Nuk jam ai që përcaktoj orë, datë apo javë, por definitivisht, nëse Kosova e kalon demarkacionin me Malin e Zi gjatë muajit janar, atëherë do të marrë notë kaluese në Bruksel për procesin e liberalizimit të vizave. Kurse nëse nuk e kalon, atëherë do ta marrë një përgjigje negative të qartë nga Bashkimi Evropian sa i përket liberalizimit të vizave, që nënkupton vazhdim të izolimit të padrejtë.

“Epoka e re”: Mendoni se duhet ndryshuar qasja e institucioneve ndaj agjendës evropiane, duke pasur parasysh se ka pasur shumë pak njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe vizat nuk janë liberalizuar?
Thaçi: Jemi duke biseduar si bartës të institucioneve se si të shkojmë drejt gjetjes së një zgjidhje, e cila do të ishte e vullnetshme për deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë demarkacionin. Prandaj takimet dhe bisedimet do të vazhdojnë si dhe do të merren opinionet e të gjithë njerëzve, qoftë të partnerëve të koalicionit, qoftë të opozitës, që kjo çështje ta bashkojë shoqërinë dhe politikën e jo t’i ndajë.

“Epoka e re”: Brenda koalicionit qeverisës ka qëndrime të ndryshme për demarkacionin. Përderisa PDK-ja e mbështet, AAK-ja dhe Nisma e kundërshtojnë.
Thaçi: Marrëveshja e 26 gushtit e vitit 2015 është e qartë, e saktë dhe sipas standardeve e kritereve të përcaktuara nga komisioni i shtetit të Kosovës. Gjithashtu, kjo marrëveshje ka marrë edhe vlerësimin e lartë ndërkombëtarë, por jemi njerëz dhe mund të kenë ndodhur edhe çështje të cilat ia vlen për t’i diskutuar apo rishikuar. Në këtë drejtim unë nuk jam profesionist, por e di se ekziston unitet që të gjendet zgjidhja. Dhe kjo është më e mira.

“Epoka e re”: President, pavarësisht prej premtimeve tuaja, as këtë vit Kosova nuk u bë me ushtri. Si do ta bindni Listën Serbe për ta mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura?
Thaçi: Ne jemi duke i plotësuar edhe një pjesë të kritereve apo kushteve që i ka prezantuar bashkësia ndërkombëtare për ne, sepse duam të kemi një ushtri shumetnike dhe me standarde të NATO-s, në mënyrë që ta fillojmë partneritetin për paqe. Është me rëndësi që rreth dhjetë për qind e FSK-së janë anëtarë të komuniteteve, mbi katër për qind janë vetëm serbë, si dhe kemi një numër të konsiderueshëm të femrave. Ushtria e Republikës së Kosovës do të jetë ushtri e mirëfilltë dhe perëndimore. Është e nevojshme, e domosdoshme dhe e drejtë e Kosovës t’i ketë Forcat e Armatosura. E kemi humbur hapin në vitin 2014, kur e gjithë bota demokratike ishte në mbështetje për themelimin e ushtrisë, por që Kuvendi i Kosovës hezitoi në atë kohë, apo më mirë të themi – një subjekt i caktuar politik. Tash po e paguajmë atë çmim të atij gabimi politik, pra po kalojmë tek viti i katër i asaj vonese krejt të panevojshme. Dua të besoj që tash të gjithë do të reflektojnë në përputhje me interesat e shtetit e jo të interesave partiake, grupore apo interesave të momentit. Ndërsa sa i përket Listës Serbe, ne do të punojmë së bashku sepse ushtria do të jetë e të gjithëve dhe pjesë e saj janë edhe serbët. Mirëpo askush nuk ka të drejtë të vejë veto.

“Epoka e re”: Mund të presim që Kosova në vitin 2018 të bëhet me ushtri, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ligjore?
Thaçi: Definitivisht po. Në një formë apo formë tjetër, Kosova do t’i ketë Forcat e veta të Armatosura gjatë vitit 2018. Ne e favorizojmë angazhimin bashkërendues dhe ndryshimet kushtetuese para atyre ligjore, por në fund, nëse dikush pretendon të vejë veto, atëherë do të veprojmë sipas ligjit.

“Epoka e re”: President, çfarë po ndodh me dialogun Kosovë – Serbi? Cila do të jetë dinamika e këtij procesi në muajt në vazhdim?
Thaçi: Aktualisht nuk ka ndonjë dinamik të dialogut me Serbinë. Shpresoj se do të vazhdojë në vitin e ardhshëm. Do ta bëjmë një ekip të përbashkët politik, pjesë e të cilit do të jenë përfaqësuesit e partive politike, shoqërisë civile dhe medieve.

“Epoka e re”: Do ta kushtëzoni vazhdimin e këtij dialogu, në mënyrë që Kosova të përfitojë diçka nga BE-ja, sepse deri më tani ka qenë Serbia ajo që ka përfituar?
Thaçi: Serbia është disa hapa përpara në procesin e integrimit dhe ne nuk duhet të kemi paralele me Serbinë, por duhet t’i shikojmë punët tona. Ne nuk mund të krahasohemi as me Malin e Zi, sepse ai është shumë hapa përpara nesh. Por, ajo që dua të them është se ne duhet t’i kryejmë detyrat tona. Pasi t’i kryejmë e kemi më lehtë dhe nuk mund t’i akuzojmë vetëm të tjerët. Ne do të punojmë që ky proces të përfundojë me njohjen reciproke dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Vetëm me plotësimin e këtyre dy gjërave ka kuptim dialogu.

“Epoka e re”: Jeni optimist se në vitin e ardhshëm Kosova do të zhvillohet më shumë?
Thaçi: Çdo vit i ri që vjen unë jam më optimist se do të jetë vit më i suksesshëm, më i mirë dhe më produktiv për vendin e shoqërinë tonë. Shpresoj se viti 2018 do të jetë vit i unitetit politik dhe qytetar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti shqiptar, Eros Grezda, ka thënë në intervistë për “Epokën…