
Prezantimi i personazhit
David Lodge
Pak minuta më vonë mbërriti Sally.
“A u vonova shumë, i dashur Fritz?”
“Vetëm gjysmë ore”, zgjati fjalët Fritzi, duke shndritur me kënaqësi të veçantë. “A mund ta prezantoj z. Isherwood – Miss Bowles? Z. Isherwood përgjithësisht njihet si Chris”.
“Jo, s’është ashtu”, i thashë. “Fritzi është pothuajse i vetmi person që ndonjëherë në jetën time më quan Chris”.
Sally qeshi. Ishte veshur në mëndafsh të zi, një pelerinë të vogël mbi supe dhe një kapelë të vogël çunash të mbërthyer në njërën anë të kokës:
“A të pengon ta përdor telefonin, i dashur?”
“Aspak. Vazhdo përpara”. Fritzi ma tërhoqi vëmendjen. “Eja në dhomën tjetër, Chris. Dëshiroj të të tregoj diçka”. Me sa duket dëshironte t’i dëgjonte përshtypjet e mia të para për Sally, plaçkën e tij të re.
“Për hir të zotit, mos më le vetëm me këtë njeri!” thërriti ajo. “Ose do të më joshë përmes telefonit. Është shumë pasionant”.
Teksa thirri numrin, vura re se thonjtë i kishte lyer me ngjyrë jeshile smeraldi, një ngjyrë e zgjedhur për keqardhje, sepse tërhiqte vëmendjen në duart e njollosura nga pirja e duhanit dhe të pista si të një vajzushe. Ishte mjaft e zeshkët për të qenë motra e Fritzit. Fytyrën e kishte të gjatë, hollake e të pudrosur bardh. Sytë e mëdhenj bojëkafe duhej t’i kishte më të errët, t’i përputheshin me flokët dhe lapsin që përdorte për vetulla.
“Hilloo”, gugati, duke shtrënguar buzët e shkëlqyera vishnje, sikur do ta puthte zëdhënësin: “Ist dass Du, mein Liebling?” Hapi gojën në një buzëqeshje budallakisht të ëmbël. Fritzi dhe unë u ulëm dhe e shikonim si një performancë teatri.
CHRISTOPHER ISHERWOOD, Lamtumirë Berlin (1939)
PERSONAZHI padyshim është komponenti më i rëndësishëm i veçuar i romanit. Format e tjera narrative, si epi dhe mediet e tjera, si filmi, mund ta rrëfejnë storjen po kaq mirë, por asgjë nuk mund të krahasohet me traditën e madhe të romanit evropian sa i përket fuqisë, shumëllojshmërisë dhe thellësisë psikologjike të portretizimit të natyrës njerëzore. Megjithatë, personazhi është ndoshta aspekti më i vështirë i artit të fiksionit nëse shqyrtohet në terma teknikë. Kjo pjesërisht, sepse ekzistojnë kaq shumë lloje të ndryshme të personazheve dhe mënyra të ndryshme të paraqitjes së tyre: personazhe kryesore dhe personazhe minore, personazhe të sheshtë dhe personazhe të plotë, personazhe të dhënë nga depërtimi në mendjen e tyre, si Zonja Dalloway e Virginia Woolfit dhe personazhe të vështruar nga jashtë nga të tjerët, si Sally Bowles i Christopher Isherwoodit.
Fillimisht subjekt i një prej storjeve dhe skicave të fiksionalizuara thjesht që përbën veprën Mirupafshim Berlin, Sally Bowles, ka gëzuar një jetë jashtëzakonisht të gjatë në imagjinatën e publikut të kohës sonë, falë përshtatjes me sukses të tekstit të Isherwoodit, një herësi shfaqje skenike dhe film (Unë jam kamerë), e më pas si muzikal skenik dhe filmik (Kabaret). Në vështrim të parë, është vështirë të kuptohet se përse ajo e arriti këtë status thuajse mitik. Ajo nuk ka bukuri të veçantë, nuk është shumë inteligjente dhe nuk ka talent të spikatur si artiste. Ajo është mendjemadhe, e paaftë dhe shitet për seks. Por, pavarësisht të gjithave, ajo sjellë një atmosferë tërheqëse pafajësie dhe ndjeshmërie dhe ekziston diçka jashtëzakonisht komike në hendekun midis pretendimeve të saj dhe fakteve të jetës së saj. Storja e shkruar për të fitoi rëndësi dhe interes të madh ngaqë ngjarja vihet në Weimar Berlin, pak para marrjes së pushtetit nga nazistët. Duke ëndërruar kot për famë dhe pasuri nëpër shtëpitë e fëlliqura, duke kërcyer nga një mbrojtës i dyshuar te tjetri, duke lajkatuar, shfrytëzuar e gënjyer shkoqur, ajo është një emblemë e vetëmashtrimit dhe marrëzisë së asaj shoqërie të ndëshkuar.
Mënyra më e thjeshtë për ta paraqitur një personazh, mënyrë kjo e zakonshme në fiksionet e vjetra, është të jepet përshkrimi fizik dhe përmbledhja biografike. Portreti i Dorothea Brookeit në kapitullin e parë të Mesmarsit të George Eliotit është shembull i përsosur i kësaj metode:
Zonja Brooke kishte aso lloj bukurie që dilte në pah edhe më shumë nga fustani i shkretë. Dorën dhe kyçin i kishte aq të imtë sa mund të vishte mëngë jo më pak të zhveshura se ato ku Virgjëresha e Bekuar iu shfaq piktorëve italianë; profili, shtati dhe qëndrimi i saj ishin më të dinjitetshme në rrobat e thjeshta që, sipas modës provinciale, i jepnin madhështinë e një citati të shkëlqyer nga Bibla – ose të ndonjë poeti më të vjetër – në paragrafin e gazetës së sotme. Zakonisht flitej se ajo ishte jashtëzakonisht e zgjuar, për të shtuar se motra e saj, Celia, kishte gjykim më praktik.
E kështu me radhë, për disa faqe. Kjo është e mrekullueshme, por i përket një kulture më të durueshme dhe më jokërkuese se e jona. Romancierët modernë zakonisht pëlqejnë që faktet për personazhin të dalin gradualisht, të zgjerohen ose faktikisht të përçohen me anë të veprimeve dhe fjalëve. Në secilin rast, i gjithë përshkrimi në fiksion është shumë selektiv; bazë e teknikës retorike të saj është sinekdoka, ku një pjesë qëndron për të tërën. Si George Eliot ashtu edhe Christopher Isherwoodi evokojnë pamjen fizike të heroinave të tyre duke u fokusuar te duart dhe fytyra dhe duke ia lënë lexuesit ta imagjinojë pjesën tjetër. Një përshkrim shterues i atributeve fizike dhe psikologjike të Dorotheasë ose të Sally Bowlesit do të merrte shumë faqe, ndoshta tërë librin.
Rrobat janë gjithmonë një tregues i dobishëm i personazhit, i klasës, stilit të jetës, sidomos në rastin e një ekzibicionisteje si Sally. Rrobat e saj të zeza prej mëndafshi (të veshura pasdite, në një vizitë miqësore) sinjalizojnë dëshirën për të lënë përshtypje, teatralitet (pelerina) dhe provokim seksual (kapela e çunave merr konotacione nga shumë referenca ndaj ambivalencës dhe devijimit seksual, përfshirë transvestizmin, që përshkon librin). Këto tipare përforcohen menjëherë nga të folurit dhe sjellja e saj – kërkesa ta përdorë telefonin që t’u bëjë përshtypje dy burrave me mposhtjen e saj të fundit erotike – që më pas i jep narratorit mundësi t’i përshkruajë duart dhe fytyrën e Sallyit.
Kjo është ajo çfarë Henry Jamesi nënkuptonte me “metodë skenike”, që synoi ta arrinte kur u vetënxit të “Dramatizoj! Dramatizoj!” Jamesi kishte parasysh lojën në skenë, mirëpo Isherwoodi i përkiste brezit të parë të romancierëve që u rrit me kinemanë dhe këtu vërehet ndikimi i saj. Kur narratori i “Lamtumirë Berlin” thotë “Unë jam kamerë”, ai ka parasysh kamerën filmike. Përderisa Dorothea qëndron në mënyrë statike, sikur është ulur për një portret verbal dhe, në fakt, krahasohet me një figurë në pikturë, Sally na shfaqet në veprim. Këtë fragment me shumë lehtësi mund ta ndajmë në sekuenca të shkrepjeve kinematografike: Sally pozon me veshje të zezë prej mëndafshi – shkëmbimi i shpejtë i shikimeve mes dy burrave – pamja nga afër e thonjve të gjelbër të Sallyit, ndërsa ajo thërret numrin – edhe një tjetër pamje nga afër e grimit të pashije, sikur të klounit dhe shprehjeve të shtirura teksa përshëndet të dashurin – dhe dy sekuenca të spektatorëve meshkuj, të stepur nga aktrimi i pastër i performancës.
Pa dyshim, kjo e shpjegon pjesërisht lehtësinë me të cilën storja e Sally Bowlesit u bart në ekran. Por në fragment kemi nuanca që janë thjesht letrare. Thonjtë e gjelbër në duart e pista janë ajo që së pari më bie në mend kur përmendet emri i saj. Manikyri i gjelbër mund të shfaqet në film, por jo edhe komenti ironik i narratorit, “një ngjyrë e zgjedhur për keqardhje”. Edhe storja e jetës së Sally Bowlesit është “e zgjedhur për keqardhje”. Edhe njollat e cigares dhe pisllëku mund të shfaqen në ekran, por vetëm narratori vëren se ata janë “të pistë si të një vajzushe”. Tiparet fëmijërore nën sofistikimin sipërfaqësor janë pikërisht ato që e bëjnë Sally Bowles personazh të paharrueshëm.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 23 i revistës Akademia