Prezantohet projekti ‘Solar 4Kosovo II’, investim mbi 80 milionë euro për energji të gjelbër në Prishtinë

16 maj 2025 | 13:26

Kompania “Termokos” ka organizuar të premten një prezantim publik informues për projektin “Solar 4Kosovo II”, projekt ky që përfaqëson një hap drejt dekarbonizimit dhe zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes energjisë së rinovueshme.

Në këtë prezantim, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë shumëdimensionale të projektit duke shtuar se ky do të kontribuojë në tranzicionin energjetik të Kosovës. “Projekti konsiston në ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet prej 50 MGV për të siguruar kapacitet shtesë të energjisë ngrohëse dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. Fushëveprimi i projektit zbatohet në faza. Në fazën e parë e kemi një zgjerim shtesë prej 50 MGV. Një zgjerim i mëtejshëm i rrjetit do të jetë edhe prej 20 MGV shtesë, një kapacitet total prej 70 MGV që do të merret në konsideratë edhe në një fazë të mëvonshme, në varësi të kujdesit të mëtejshëm duke përfshirë konfirmimin e përputhshmërisë edhe me Marrëveshjen e Parisit. Projekti do të ndihmojë kryesisht në promovimin e tranzicionit të gjelbër duke kontribuar në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Termocentrali i ri dhe rrjeti i zgjeruar i ngrohjes qendrore do të zvogëlojë emetimet e dioksidit të karbonit, do të përmirësojë cilësinë e ajrit në gjithë kryeqytetin dhe do të integrojë furnizimin me energji të rinovueshme në sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit Rama, projekti financohet nga një sërë burimesh, me një kosto të përgjithshme prej rreth 80.5 milionë euro. “Do t’u shërbejë lagjeve që nuk janë të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore duke zëvendësuar sistemet individuale të ngrohjes të bazuar në ngrohje elektrike direkte. Është një kosto e cila është përafërsisht 80.5 milionë euro. Shuma e grantit të KFW për këtë projekt është 31.6 milionë euro dhe shuma e grantit të WBF është 22.5 milionë euro, e ndarë në një grant investimi prej 16.5 milionë eurosh dhe një grant asistencë teknike prej 6 milionë euro. Përfshirë këtu edhe 100 mijë euro për aktivitet të komunikimit. Ndërsa kontributi vetanak do të jetë 4.4 milionë euro dhe financimi shtesë në shumën 22 milionë euro parashihet të sigurohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”,  ka thënë Rama.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani, ka bërë me dije se projekti do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në pjesë të reja të kryeqytetit.  “Projekti do të mundësojë shtrirje të rrjetit në disa pjesë të Prishtinës, e që është pika e fundit që e kemi pasur me kryetarin Rama në pjesë të programit 4-vjeçar. Për pjesën e zgjerimit të rrjetit në tërë Prishtinën, është çështje muajsh që do të dalim me analizën për komplet Prishtinën, duke e ndarë të njëjtën në 11 zona të reja”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, menaxheri i projektit, Felix Eckert, ka sqaruar komponentët teknikë dhe përfitimet energjetike të projektit.  Ai ka bërë me dije se ky projekt do të mundësojë lidhjen e rreth 200 ndërtesave të mëdha. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të reja të rëndësishme te Inter Miami. Klubi i MLS…