
Prishtina promovon gjidhënien me mural në qendër të qytetit
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës promovuar të hënën një mural në qendër të kryeqytetit për të inkurajuar gjidhënien si akt natyral dhe i shëndetshëm.
Murali shumëngjyrësh, punuar nga artistja Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl”, është vendosur përpara Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Organizatorët kanë theksuar se në një kohë kur gjidhënia po bëhet më e rrallë në Kosovë qëllimi i muralit është të rrisë ndërgjegjësimin për përfitimet e saj, duke përfshirë forcimin e imunitetit të foshnjave, zhvillimin e trurit dhe reduktimin e infeksioneve.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se gjidhënia është një lidhje e rëndësishme për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Ndërsa drejtoresha Ekzekutive e AMC-së dhe këshilltare e gjidhënies në “La Leche League Kosova”, Rina Demiri-Spahija, e ka cilësuar muralin si një angazhim për t’u gjendur pranë çdo nëne.“
Në anën tjetër, artistja Ermira Murati, ka thënë se ky krijim është një homazh për forcën dhe dashurinë e nënave. /EO