Pritjet nga qeveria LV – LDK nuk duhet të jenë të mëdha

05 nëntor 13:58

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se rezultati zgjedhor i 6 tetorit mund të konsiderohet si vlerësim preciz i qytetarëve për qeverisjen e kaluar dhe inicim i ndryshimeve dhe rikonfigurimeve të domosdoshme përbrenda spektrit politik.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se votuesi e dënoi mediokritetin (anti)institucional, kokëfortësinë bllokuese dhe fudullëkun korruptues, duke dhënë kësisoj një leksion demokracie.

Muhaxhiri ka vlerësuar se procesi i themelimit të qeverisë së re kërkon angazhime të mëdha shumështresore për arritjen e cakut.

Sipas tij, Vetëvendosja dhe LDK-ja detyrimisht do të bëjnë kompromise në aspektin ideologjik, në ndarjen e pushteteve konkrete si dhe në modifikimin e pozicioneve të deritashme.

“Dy aleatët do të jenë të obliguar të lëvizin nga udhëkryqet ideologjike ku gjenden aktualisht, kurse një problematikë shtesë mund të paraqesë reduktimi i paralajmëruar i numrit të ministrive në 12, pasi kjo do të nënkuptojë edhe zvogëlim të pushtetit potencial”, ka theksuar ai, duke shtuar se pritjet nga qeveria LV – LDK nuk duhet të jenë të mëdha sepse, sipas Muhaxhirit, një pjesë e zinxhirit të sistemit institucional është deformuar strukturalisht dhe kjo nënkupton që korrigjimi i tij do të kërkojë kohë dhe angazhim konstruktiv.

Ai ka thënë se një ndër punët më të vështira dhe më të rëndësishme të qeverisë së re do të jetë krijimi i besimit të qytetarëve në shtet. Kurse në kontekstin e dialogut, Muhaxhiri ka theksuar se investimi i shtuar amerikan me emisarët e posaçëm çon drejt presionit për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

“Epoka e re”: Z. Muhaxhiri, si e keni parë rezultatin zgjedhor të 6 tetorit. Ka qenë i pritshëm?
Muhaxhiri: Rezultati zgjedhor i 6 tetorit mund të konsiderohet vlerësim preciz i qytetarëve për qeverisjen e kaluar dhe inicim i ndryshimeve dhe rikonfigurimeve të domosdoshme përbrenda spektrit politik kosovar. Me baraspeshim racional votuesi e dënoi mediokritetin (anti)institucional, kokëfortësinë bllokuese dhe fudullëkun korruptues, duke dhënë kësisoj një leksion demokracie. E mira e standardit të krijuar më 6 tetor është se ai mund të shndërrohet në kriter orientues për pritshmëritë elektorale të herëve të tjera.

“Epoka e re”: Bazuar në këtë rezultat, Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë filluar negociatat për arritjen e koalicionit qeverisës. Si e shihni formimin e qeverisë së re?
Muhaxhiri: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dallime të konsiderueshme konceptuale, ideologjike dhe funksionale. Mirëpo, të dyja partitë detyrimisht do të bëjnë kompromise si në aspektin ideologjik, po ashtu edhe në ndarjen e pushteteve konkrete dhe në modifikimin e pozicioneve të deritashme. Procesi i themelimit të qeverisë nuk është i lehtë as për parti të cilat kanë shumë më pak dallime mes tyre, prandaj kësaj radhe do të duhet të ketë angazhime të mëdha shumështresore për arritjen e cakut qeveritar. Logjikisht, të gjitha dallimet kuptimplote duhet të identifikohen dhe adresohen para arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje në mënyrë që pastaj të mos transformohen në pengesa. Dy aleatët do të jenë të obliguar të lëvizin nga udhëkryqet ideologjike ku gjenden aktualisht, kurse një problematikë shtesë mund të paraqesë reduktimi i paralajmëruar i numrit të ministrive në 12, pasi kjo do të nënkuptojë edhe zvogëlim të pushtetit potencial.

“Epoka e re”: Në këtë drejtim mund të priten pengesa nëse merren parasysh deklarimet e fundit nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, se posti i kryeministrit kalon nëpër zyrat e kësaj partie?
Muhaxhiri: Debati i këtillë është skajshmërisht naiv sepse e cenon energjinë bashkëpunuese dhe e zhvendos fokusin prej çështjeve kryesore. Konteksti për krijimin e qeverisë është kristal i qartë si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë kushtetues. Votuesi kosovar vullnetshëm dhe pa ekuivokë u ka përcaktuar bashkëpunimin Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, prandaj këto dy subjekte e kanë pothuajse të detyrueshëm institucionalizimin e kësaj fryme politike. Në të kundërtën, nuk do të kishin asnjë kredi morale që në të ardhmen të kërkonin votë në emër të ndryshimit. Tendencat individuale për përfitimin e vëmendjes mediale me qëndrime militante partiake tregojnë nivel të ulët të vetëdijes politike ndaj peshës së madhe shoqërore të këtij momentumi të veçantë në historinë e re të Kosovës.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për funksionimin e qeverisë LV-LDK nëse u referohemi dallimeve që i kanë këto dy parti?
Muhaxhiri: Pritjet nga qeveria LV-LDK nuk duhet të jenë të mëdha sepse një pjesë e zinxhirit të sistemit institucional është deformuar strukturalisht dhe kjo nënkupton se korrigjimi i tij do të kërkojë kohë dhe angazhim konstruktiv. Ajo që është brenda kufijve të së mundshmes për këtë koalicion ka të bëjë me kthimin e normalitetit qeverisës: trajtimin meritor të problemeve të qytetarëve në proporcion me rëndësinë jetike, emërimin e personaliteteve të duhura për udhëheqjen e dikastereve, mënyrën transparente të shpenzimit të parasë publike, si dhe ofrimin e mundësive të barabarta mbi parimet objektive e të padeterminuara nga përkatësitë partiake. Sa i përket imazhit të qeverisjes, qeveria e re nuk do ta ketë shumë të vështirë ta rregullojë atë pasi tashmë është dërrmuar përtokë nga qeveria e kaluar.

“Epoka e re”: Qeveria e re, me çfarë sfidash do të ballafaqohet gjatë mandatit katërvjeçar?
Muhaxhiri: Është utopike të mendohet se problemet e panumërta që janë akumuluar gjatë dy dekadave të kaluara do të mund të zgjidhen shpejt dhe me lehtësi nga qeveria e re. Për këtë arsye kërkohet një prioritetizim shtetëror i agjendës vepruese dhe qasje panoramike e ndërhyrjeve dhe investimeve institucionale. Planifikimet do të duhet të bëhen për ndryshime graduale sistemore, jo të ashpra dhe traumatike. Përtej domosdoshmërisë së angazhimit për normalizimin e sistemit ligjor, zvogëlimin e papunësisë, rritjen e mirëqenies, përmirësimin e shëndetësisë dhe arsimit, një ndër punët më të vështira dhe më rëndësishme të qeverisë së re do të jetë krijimi i besimit të qytetarëve në shtet. Qeverisjet e kaluara e kanë dëmtuar këtë besim për shkak të injorimit të kërkesave për ngritje të kualitetit të jetesës dhe e kanë zymtësuar perspektivën për jetë në Kosovë, gjë që ka rezultuar me rritje të gatishmërisë së qytetarëve për largim nga vendi.

“Epoka e re”: Si e shihni ecurinë e dialogut, agjendës evropiane si dhe proceseve të tjera të rëndësishme në aspektin e brendshëm nën drejtimin e qeverisë Kurti?
Muhaxhiri: Përparësia e qeverisë Kurti do të jetë në faktin se nuk do të ketë shumë paqartësi as sa iu përket sfidave të brendshme, as atyre të jashtme. Do të mbetet çështje ekskluzive e saj se si do të rreshtohet karshi tyre, mirëpo nuk do të ketë të drejtë të befasohet. Në kontekstin e dialogut, investimi i shtuar amerikan me emisarët e posaçëm çon drejt presionit për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Maksimalizimi realist i përfitimeve politike për Kosovën përbrenda konstalacioneve gjeopolitike dhe gjeostrategjike do të duhej të ishte synim strategjik i qeverisë. Rrjedhimisht, niveli i konstruktivitetit në dialog do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në dinamikën e rrugës evropiane të Kosovës. Këto zhvillime do ta përcaktojnë në masë të konsiderueshme suksesin dhe jetëgjatësinë e qeverisë Kurti.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e ka falënderuar ish-udhëheqësin sovjetik,…