PROF. DR. ANTON PANÇEVI, ALBANOLOG  DHE MIK I MADH I SHQIPTARËVE

26 shkurt 2020 | 11:22

Shkruan: Faton KRASNIQI

Profesor Anton Pançevi lindi  më 28 dhjetor 1978 në qytezën Srednogorie. Në vitin 1997 filloi studimet themelore në drejtim Shkenca politike në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku i ka përfunduar me shumë suksese studimet në drejtimin Shkenca politike (2003) dhe Ballkanistikë (2007). Ka doktoruar (2012) në Universitetin e Sofjes me temë Mbi zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991. Ka ndjekur kurse për mësimin e greqishtes në Greqi dhe kursin e gjuhës shqipe e ka ndjekur një semestër në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2009 punon si profesor asistent në Departamentin e Ballkanistikës, ku është lektor i lëndëve: Gjuhë shqipe, Politikat e vendeve ballkanike.

Profesor Anton Pançevin shpeshherë shqiptarët, por edhe bullgarët, me të cilët komunikon, e pyesin: “Pse e ke zgjedhur gjuhën shqipe për profesion?”. Profesor Anton Pançevi e ka një shpjegim: E vërteta është se kur ishte student në Departamentin e Ballkanistikës i preferonte greqishten dhe rumanishten dhe kishte ndërmend të merrej me këto gjuhë, por në vitin 2005, me rekomandimin e profesoreshës së tij të gjuhës shqipe, Rusana Bejleri, kishte ardhur për herë të parë në Kosovë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare dhe ishte mahnitur shumë nga mikpritja e shqiptarëve, nga optimizmi i tyre, ndonëse pasojat e luftës ende ndiheshin. Këtu duhet përmendur që Albanologjia, në kuptimin e gjerë të këtij termi, ka tradita shumë të mira dhe të vjetra. Që nga gjysma e dytë e shek. XІX gjuhëtarë dhe historianë bullgarë janë marrë në mënyrë profesionale me shqipen dhe me historinë e shqiptarëve. Vlen të shënohen emrat e Grigor Përliçevit, Kuzman Shapkarevit, Stefan Mladenovit, Ivan Shishmanovit, Vladimir Georgievit etj.

1) Mësimdhënës i gjuhës shqipe

Gjuha shqipe është ndër lëndët kryesore në Departamentin e Ballkanistikës në kuadër të Universitetit të Sofjes dhe çdo vit pranohen 15 studentë. Shqipja mësohet në Universitetin e Sofjes që nga viti 1962, por me krijimin e Ballkanistikës në vitin 1994 mësimi i saj mori hov të madh. Gjatë këtyre 25 viteve janë përgatitur dhjetëra specialistë, të cilët punojnë në fushën e diplomacisë, në gazetari, si përkthyes, në biznesin privat etj. Pra, mësimi i shqipes jep perspektiva të mira profesionale në Bullgari dhe të gjithë studentët e mirë kanë perspektivë dhe mund të gjejnë punë Bullgari. Prof. dr. Anton Pançevit, mësimdhënia e shqipes i jep shumë kënaqësi, sepse sheh njerëz të rinj që janë plot me kureshtje dhe zili që ta mësojnë dhe ta përmirësojnë shqipen e tyre. Gjithmonë ndihet krenar kur në seminaret dhe kurset e gjuhës shqipe në trojet shqiptare, studentët bullgarë çdoherë janë ndër më të mirët. Për Departamentin e tij është kënaqësi dhe mundësi të madhe që në vitet e fundit kanë pesë doktorantë nga Kosova në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë. Puna e tyre e përbashkët i pasuron në aspekt shkencor dhe kulturor.

2) Hulumtime dhe punime shkencore

Arkivat e Bullgarisë janë tepër të pasura me dokumente nga karakter të ndryshëm për shqiptarët – për gjuhën, historinë, etnografinë etj. Këto pasuri dokumentesh dhe matertialesh u japin shumë mundësi studiuesve nga fusha të ndryshme të bëjnë punime të çmuara. Në Bullgari punojnë shkencëtarë të shkëlqeyshëm në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë, si Petja Asenova, Rusana Bejleri, Ekaterina Tërpomanova, Ludmil Stankov etj., të cilët vazhdojnë të kontribuojnë shumë. Nga ana tjetër, punojnë edhe disa historianë, të cilët publikojnë libra të rëndësishëm për historinë shqiptare dhe për lidhjet bullgaro-shqiptare si Georgi Georgiev, Teodora Toleva, Marjana Stamova, Iliana Ilieva, Bojan Gyzelev etj. Të çmuara janë edhe hulumtimet e politikologëve dhe gjeografëve si Anton Përvanov, Stefan Karastojanov etj.

Duke u bazuar mbi këto dokumente dhe studime të shumta, edhe prof.dr. Anton Pançevi përpiqet të bëj hulumtime në fushën e historisë, të politikologjisë dhe të gjuhësisë. Deri tani ka publikuar rreth 50 punime kryesisht në gjuhën shqipe, por edhe në bullgarisht dhe anglisht. Hulumtimet e tij në fushën e gjuhësisë janë përqendruar mbi marrëdhëniet gjuhësore bullgaro-shqiptare – E folmja e fshatit shqiptar në Bullgari (Mandrica), mbi gjuhën e rilindësve shqiptarë në Bullgari, mbi ndikimin e shqipes ndaj të folmeve të fshehta të muratorëve në Bullgari.

Veprimtaria e kolonisë shqiptare në Sofje. Sipas disa të dhënave, në fund të shekullit XІX në Sofje kanë jetuar më shumë se 500 familje shqiptare. Shumica prej tyre ishin punëtorë, por ka pasur mjaft njerëz të cilët merreshin me zejtari, me tregti dhe me veprimtarinë ekonomike krijuan një mjedis të begatshëm dhe të përshtatshëm për aktivitete kulturore. Këta njerëz kanë përcjellë me interes të madh zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore në atdheun e tyre të robëruar dhe kanë kontaktuar vazhdimisht me qendrat kryesore të Rilindjes shqiptare si në Shqipëri, ashtu edhe në Stamboll, në Bukuresht etj. Me këtë mënyrë, shqiptarët në Bullgari mblodhën përvojë organizative dhe kulturore dhe ndërmorën hapa më të mëdhenj drejt veprimtarisë së tyre atdhedashëse. Shqiptarët në Bullgari filluan të merreshin me lexim dhe shkrim në gjuhën amtare. Ndoshta Dhimitër Molle i ka sjellë në Sofje librat e parë shqip në vitin 1886 dhe kështu filloi aktiviteti kulturor në koloninë shqiptare në Sofje. Organizata kryesore e shqiptarëve të Bullgarisë ka qenë shoqata “Dëshira” e cila u themelua më 1 janar 1893. Qëllimi kryesor i shoqatës ka qenë të shpërndante diturinë dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe të hapte shkolla shqiptare në Shqipëri, ndërsa statuti i “Dëshirës” kërkonte nga anëtarët e saj të punonin “për lulëzimin e gjuhës shqipe”. Shoqata e ka përdorur si alfabetin e vetëm dhe zyrtar alfabetin e  Shoqërisë së Stambollit nga viti 1879 dhe mes veprimtarëve të kolonisë më me edukatë kanë qenë Shahin Kolonja dhe Midhat Frashëri (Lumo Skendo).

Mbi të folmen e Mandricës ka disa hulumtime të rëndësishme falë punës hulumtuese të shkencëtarëve shqiptarë dhe bullgarë si Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Bojka Sokolova, Ludmill Stankov, Rusana Bejleri edhe disa të tjerë. Duhet theksuar se e folmja e Mandricës është hulumtuar realtivisht mirë dhe ka mjaft materiale, të cilat lejonjë zhvillimin e studimeve.

Kolonia shqiptare në Bullgari, kryesisht në Sofje, por edhe në qytete të tjera, ka zhvilluar aktivitete të ndryshme në fushën e arsimit, të kulturës, të gazetarisë. Rilindësit shqiptarë në Bullgari kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitete të mëdha letrare, publicistike, përkthyese, politike nga epoka e Rilindjes. Ata kanë lënë pas tyre një thesar të vërtetë punimesh. Disa autorë kanë hulumtuar idetë dhe qëndrimet e paraqitura në shkrimet e tyre, qoftë në gazeta, qoftë në libra ose në punime të tjera, në lidhje me çështje të rëndësishme të luftës politike dhe kulturore të popullit shqiptar.

Në Bullgari ka shumë dokumente arkivore për lidhjet historike ndërmjet bullgarëve dhe shqiptarëve. Në zonat e Maqedonisë së sotme perëndimore, veriore dhe qendrore shqiptarët kanë qenë në kontakt të ngushtë me bullgarët që nga Mesjeta deri fundin e Luftës së Dytë Botërore. Ka pasur edhe zona të tjera të kontaktit midis këtyre popujve në Gadishullin Ballkanik. Për këtë arsye, ka shumë dëshmi dhe dokumente bullgare, të cilat tregojnë për gjendjen politike, ekonomike, sociale, kulturore në këto pjesë ku shqiptarët dhe bullgarët kanë qenë në kontakt.

Natyrisht, kjo rrjedhë prej dokumenteve u shtua shumë pas krijimit të shtetit bullgar në vitin 1878. Institucionet e ndryshme të shtetit të ri kanë filluar punë për realizimin e idealit të atëhershëm bullgar – në vend të parë bashkimi i trojeve të Maqedonisë (nuk bëhet fjalë për territorin e Republikës së Maqedonisë së sotme, por për territorin gjeografik të kësaj krahine në Perandorinë Osmane). Me dokumentet nga fusha të ndryshme në Sofje janë mbledhur informacione jo vetëm për bullgarët, por edhe për popullsitë e tjera në këtë krahinë. Shpejt u bë qartë se “Çështja Maqedonase” nuk mund të shqyrtohej ndaras nga “Çështja Shqiptare”. Prandaj, në fund të shek. XІX dhe në fillim të shek. XX në Bullgari nisën që të mbledhin shumë informacione për zhvillimet politike, sociale, kulturore te shqiptarët në Maqedoni dhe në përgjithësi. Në këtë periudhë informata për shqiptarët ka ardhur në Bullgari nga burime të shumta:

– Konsujt dhe përfaqësuesit bullgarë në disa qytete të Maqedonisë së sotme, por edhe më gjerë, si Shkup, Manastir, Selanik, Cetine etj., kanë dërguar në Sofje shumë raporte për zhvillimet te shqiptarët;

– Kryesuesit e organizatave revolucionare bullgare gjithashtu kanë marrë parasysh shtimin e veprimtarisë së lëvizjes çlirimtare shqiptare dhe kanë kontaktuar me liderët shqiptarë në të dyja dekadat e para të shekullit XX. Dokumentet e VMORO-s dhe kujtimet e kryetarëve të saj janë një burim i çmueshëm për historinë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare;

– Shumë fakte interesante paraqiten nga shkencëtarët bullgarë, të cilët i kanë hulumtuar viset e Maqedonisë dhe të Kosovës në këtë periudhë;

– Organizata kishtare e bullgarëve – Ekzarkia gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm për mbledhjen e dokumenteve, të cilat u janë kushtuar shqiptarëve;

– Nuk duhet të harrohet edhe puna e shkollave bullgare në pjesët e Perandorisë Osmane, ku kanë jetuar bullgarë. Në këtë lidhje duhet të përmenden edhe raportet e mësuesve, të inspektorëve të shkollave etj.;

– Një arkiv tepër të rëndësishëm ka mbetur edhe nga veprimtaria e kolonisë shqiptare në Sofje;

Prandaj, në arkivat dhe bibliotekat bullgare ka shumë dokumente, të cilat mund të kontribuojnë për ndriçimin e shumë aspekteve të historisë së shqiptarëve, kryesisht në Maqedoninë e sotme, por edhe në Kosovë dhe në Shqipëri nga fundi i shekullit XІX dhe në dekadat e para të shekullit XX.

Sipas prof. dr. Anton Pançevit këto burime dhe dokumente të shumta janë organizuar në disa dikastere kryesore. Në vend të parë është Arkivi Qendror i Shtetit, ku ndodhen dokumentet diplomatike dhe shumë burime të tjera. Në Arkivin Ushtarak-Historik të Shtetit janë organizuar burimet arkivore nga luftërat e ndryshme në Ballkan dhe ka shumë informata për shqiptarët sidomos nga Lufta e Parë dhe nga Lufta e Dytë Botërore. Arkiva të tjerë të rëndësishëm janë ata si Arkivi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme etj.

3) Përkthimet

Lidhjet kulturore midis bullgarёve dhe shqiptarёve kanё shumё dimensione dhe janё rezultat nga bashkёpunimi shumёvjeçar nё tё gjithё fusha tё kulturёs. Problemet gjeopolitike dhe ideologjike jorrallё kanё pasur ndikime negative mbi lidhjet tona shqiptaro – bullgare, por nuk e kanё ndёrprerë interesin ndёrsjelltё. Prof. dr. Anton Pançevi kur flet pёr “letёrsinё shqiptare” nё kёtё tekst i ka parasysh autorët shqiptarë pa dallim nёse janё nga Kosova apo prej Shqipёrisё apo nga viset tjera shqiptare, sepse pёr lexuesit bullgarë nuk ka diferencё midis atyre dhe shkrimtarёt pranohen vetёm si “shqiptarё”.

Ёshtё njё fakt interesant p.sh. se pёrkthimi i parё të romanit tё Kadaresё “Gjenerali i ushtrisё sё vdekur” nё një gjuhё tё huaj ёshtё në bullgarisht. Pёrkthimet e rregullta tё librave shqiptare, sidomos tё Kadaresё dhe tё Agollit, vazhdojnë deri në fund të viteve tetёdhjeta. Pastaj sistemi i centralizuar për përkthime dhe botime u prish dhe receptimi i letёrsisё shqiptare nё Bullgari në vitet e fundit bёhet kryesisht pёrmes veprimeve individuale tё albanologëve bullgarë. Por këtë fakt nuk i ka zvogëluar përkthimet e letërsisë shqiptare në Bullgari.

Sipas Robert Elsit p.sh., nё vitet e fundit, nё gjuhёn bullgare ёshtё pёrkthyer mё shumё letёrsi shqiptare sesa nё gjuhёt e tjera ballkanike, madje nё dhjetёvjeçarin e fundit pёrkthimet nё bullgarisht janё mё tepёr sesa nё tё gjithe gjuhё ballkanike bashkёrisht.

Duke u mbështetur mbi këtë traditë të begatshme, edhe prof. dr. Anton Pançevi ka përkthyer disa libra nga gjuha shqipe në  gjuhën bullgare – p.sh. poezinë e Kujtim Paçakut, studime historike nga Frashër Demaj dhe Milazim Krasniqi, hulumtimin e Fetnete Ramosajt mbi veprimtarinë e organizatave ekstremiste serbe në Kosovë etj. Ka përkthyer edhe dy libra nga bullgarishtja në gjuhën shqipe me tematikë historike. Ka edhe përkthime të shumta të teksteve të ndryshme shkencore. Prof. Anton Pançevi ka edhe disa përkthime të përbashkëta me studentët e tij, si Magdalena Dimitrova, Kristina Kushlova, Elica Zvezdova, Denislava Borisova etj., kanë përkthime të shkëlqyera letrare.

4) Veprimtaria analitike

Një fushë tjetër e interesimit të tij  përfshin analizat politikologjike mbi politikën e Bullgarisë dhe lidhjet e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe më saktë, në fokusin e hulumtimeve të tij janë vënë marrëdhëniet politike bullgaro-shqiptare. Vetëm në vitet e fundit prof. dr. Anton Pançevi ka mbi 30 pjesëmarrje në mediat elektronike bullgare me komente dhe analiza për zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, për politikën e BE-së dhe Rusisë ndaj rajonit tonë. Prof. dr. Anton Pançevi është pronar i uebfaqes www.obshtestvo.net, e cila është specializuar në analiza dhe intervista me ekspertë dhe politikanë nga rajoni, ku bën përpjekje  që të prezantojë pikëpamjet e shqiptarëve në lidhje me proceset në rajon. prof.dr. Anton Pançevi është pjesë ekipit të  Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje, ku shkruan analiza për proceset politike në Ballkanin Perëndimor për Buletinin e Institutit.

Natyrisht, më shumë merret me ndjekjen e proceseve politike dhe gjeopolitike, të lidhura me Kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut. Në qendrën e politikës bullgare natyrisht ka qenë Maqedonia, por me zhvillimin e proceseve politike në Krahinën autonome të Kosovës, edhe çështja shqiptare në Jugosllavi ka hyrë në fokusin bullgar. Interesimi i Bullgarisë ndaj Çështjes së Kosovës daton që nga vitet 70-ta të shek. XX, kur janë realizuar kontaktet e para joformale ndërmjet liderëve bullgarë dhe udhëheqësve shqiptarë të Krahinës. Shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë dhe operacioni i NATO-s për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 çuan deri përfshirjen e Bullgarisë në aspektet politiko-ushtarake të krizës dhe e kanë kthyer Kosovën në prioritet kryesor të politikës së jashtme bullgare. Sjellja e autoriteteve bullgare gjatë luftës së Kosovës ka qenë me karakter vendimtar për integrimin euroatlantik të Bullgarisë dhe ka qenë tregues për pjekurinë e shoqërisë bullgare. Edhe pas përfundimit të operacionit ushtarak të NATO-s, Bullgaria ka vazhduar të luante një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të lidhura me Kosovën. Shteti bullgar ka marrë pjesë në operacionin paqeruajtës në Kosovë dhe i ka përkrahur përpjekjet për ndërtimin e institucioneve të vendit dhe shpalljen e pavarësisë më 2008. Mbështetja bullgare ndaj Pavarësisë së Kosovës është paraqitur në forma të ndryshme, përfshirë edhe me deklaratën pozitive në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 Bullgaria, si kryesuese e Këshillit të BE-së, deklaroi si prioritet kryesor integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në periudhën e Presidencës së Këshillit të BE-së gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 Bullgaria e vuri fokusin pikërisht mbi Ballkanin Perëndimor dhe mbi përshpejtimin e integrimit të shteteve prej rajonit në Bashkimin Evropian, sepse integrimi evropian dhe evroatlantik shihet si vegël të rëndësishme për zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore dhe ndëretnike në rajonin tonë.

Institucionet bullgare ndërmorën disa nisma, të cilat kanë ndikim direkt mbi zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës. Gjatë tërë kësaj periudhe, marrëdhëniet politike ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës janë në nivel shumë të lartë dhe vazhdojnë të zhvillohen.

Pikërisht këto procese dhe zhvillime politike prof. dr. Anton Pançevi i hulumton dhe përpiqet ta njoh publikun bullgar dhe atë shqiptar me problemet dhe mundësitë për ngritjen e marrëdhënieve tona. Hulumtimi i historisë ballkanike, sidomos i asaj të shek. XX, prof. dr. Anton Pançevin e ka bindur se bullgarët dhe shqiptarët duhet të krijojnë një aleancë strategjike, sepse vetëm kështu mund të ndërtohet baza e fortë dhe stabile për shuarjen e konflikteve në Ballkan dhe për garantimin e orientimit evropian të të tërë rajonit.

Prof. dr. Anton Pançevi kudo ku është i pranishëm në konferenca dhe mbledhje të ndryshme ka një thirrje për studiuesit e rinj bullgarë dhe shqiptarë nga fusha e historisë, e gjuhësisë, por edhe nga sfera të tjera – nga njëra anë ka shumë perspektiva profesionale dhe shkencore në hulumtimet e lidhjeve ndërmjet bullgarëve dhe shqiptarëve, derisa, nga ana tjetër, arkivat, si e dhe studimet e shkencëtarëve bullgarë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë shumë të dobishme për hulumtimin e historisë, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Për zhvillimin e kontakteve shkencore, arsimore dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve me rëndësi është aktivizimi i lidhjeve midis institucioneve përkatëse në vendet tona. Janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi midis disa institucioneve kosovare dhe bullgare, që mundësojnë krijimin e rrjeteve të shkencëtareve për realizimin e projekteve të përbashkëta. Një shembull i mirë në këtë drejtim është bashkëpunimi midis Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje dhe Institutit Albanologjik në Prishtinë, që përmes pjesëmarrjeve në konferenca, prezantimit të librave dhe nismave të tjera realizojnë një veprimtari të frytshme.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë jetës së tij Kirk Douglas gjithmonë ka financuar shoqata…