
Profesor Hajdari boton libër nga fusha e prokurimit elektronik
Ka dalë nga shtypi libri i prof. ass. dr. Besnik Hajdari, “Domosdoshmëria e zbatimit të prokurimit elektronik në Republikën e Kosovës, mundësitë dhe sfidat”, i pari libër në Kosovë i botuar nga fusha e prokurimit elektronik në Kosovë. Në këtë libër janë bërë hulumtime dhe paraqitur vlerat dhe avantazhet që ka aplikimi i prokurimit publik elektronik në Kosovë, po ashtu edhe problematikat dhe sfidat që dalin për funksionimin sa më efikas dhe të rregullt të tij. Autori vë në pah se zhvillimi i gjithanshëm i vendit, ecja e tij në drejtim të progresit, në kuadrin e ekonomisë së tregut, kanë nxjerrë në pah nevojën e shfrytëzimit të teknologjisë së avancuar informatike edhe në fushën e prokurimit publik, për ta zëvendësuar formën tradicionale të prokurimit, të bazuar në letër, me formën më të përparuar dhe bashkëkohore, prokurimin elektronik. Digjitalizimi i tërë dokumenteve dhe i procedurave të këtij procesi përmes përdorimit të internetit dhe të pajisjeve elektronike të komunikimit është bërë tani një prioritet i punës së institucioneve qeveritare dhe i administratës publike në Kosovë.
Prokurimi elektronik është transformimi i praktikave dhe i procedurave të prokurimit nga forma fizike në atë elektronike. Përmes këtij sistemi të gjitha kërkesat e prokurimit publikohen përmes internetit. Ky sistem i menaxhimit të prokurimit publik mundëson ruajtjen elektronike të të dhënave dhe vlerësimin teknik dhe financiar të ofertave.
Vend të posaçëm në libër zë trajtimi i aspektit juridik, legjislacioni që rregullon sistemin e prokurimit publik në tërësi dhe të prokurimit elektronik në veçanti. Studimi është i bazuar në kornizat ligjore të prokurimit publik, të vendosura nga sistemi legjislativ i Kosovës, konkretisht në legjislacionin primar, përkatësisht Ligji për Prokurimin Publik dhe në legjislacionin sekondar, që përfshin aktet nënligjore, siç janë udhëzimet dhe rregulloret e brendshme të punës.