PROFESOR ISAK SHEMA: PORTRETI I EDUKATORIT

21 maj 2023 | 11:23

Prof. dr. Begzad Baliu

I. Njohja

Më ka rënë radha të flas për Profesorin tim të motshëm Isak Shemën! Jam formuar në shkollën e fillore dhe të mesme me tekstet shkollore të tij e të bashkëkohësve të tij, e kam njohur Profesorin të urtë e buzagaz në vitet studentore(1988-1992), jemi njohur në vitet ’90-të, kur unë kisha vënë kontaktet me miqtë e tij të vjetër në Shkodër, Profesor Jup Kastratin, Profesorin e trungut të arbëreshëve Aleksandër Stipçviq, kur po bëja kërkime në Arkivin e Profesor Eqrem Çabejt në Tiranë etj., dhe ndërsa kërkimet e mia prej fillestari ia rrëfeja me pasionin e të riut, ai i plotësonte ato me rrëfime të tjera, me fotografi të tjera, me dokumente të panjohura, me shpjegime të reja, sikur të kishte qenë me mua, sikur të ishte pas meje në Shkodër, Tiranë e Zagreb, kudo dhe kurdo!
Kudo ndalej dhe kudo bisedonim, për Shkupin e Tiranë, Shkodrën e Parisin, Brukselin e Vjenën. Unë i flisja për Ilinden Spassen të cilin sapo e kisha takuar, e ai për babain e tij dhe shkrimtarin e mikun e tij Sterio Spassen, unë i rrëfeja për takimin me Brikena Çabejn e ai për babain e saj dhe mikun e tij Profesor Eqrem Çabejn, unë i flisja për italianisten e përkthyesen e shquar studiuesen Mira Kastrati, e ai për babain e saj e mikun e tij Jup Kastratin. Nuk ishte një bisedë rasti, ishte një takim rasti, por që na e merrte orë të tëra, duke i harruar punët tjera, për të mos thënë edhe shqetësimet tjera të kohës.
Një ditë tek po i tregoja për botimin e veprës së Profesor Aleksandër Stipçeviqin, Censori i përsosur, bisedat tona morën një rrugë të gjatë, të gjatë historikisht dhe të gjatë profesionalisht. Gjatë tepër gjatë dhe jo vetëm njëherë kemi biseduar për arbëreshët e Zarës, për historinë e tyre, për fatin tragjik të tyre, për gjuhën e tyre dhe kontributin e Profesor Idriz Ajetit në studimin e saj, për letërsinë e tyre dhe shkrimtarët e kësaj kolonie; për kulturën e tyre dhe organizatat kulturore atje, për përfaqësuesit shkencorë, kulturorë e intelektualë të arbëreshëve dhe për enciklopedistët, artistët, sportistët e ushtarakët e kësaj ane; për veprat përfaqësuese të tyre dhe për veprat shkencore e letrare të botuara në Prishtinë etj. Një ditë u ndalëm gjatë aty ku Profesorit i shkonte gjuha, te më i madhi përfaqësues i letrave shqipe Josip Rela dhe vepra monumentale e tij, Nita, për autorin e të cilës Profesori ynë kishte mbrojtur doktoratën, duke gjurmuar rreth tri dekada dhe për jetën e veprën e të cilit nuk pushonte se gjurmuar tutje.
Por bisedat tona nuk mjaftonin. Profesori nuk ishte thjesht njeri i muhabeteve dhe qejfeve. Profesori Isaku ishte dhe mbeti njeri i lidhur me realitetin, me tokën, me punën me idetë dhe konkretizimin e tyre. Kërkonte të konkretizonim bisedat e tona. Heronjtë tanë për të cilët bisedonim kaq shpesh kërkonin monumentin e tyre, ndërsa monumenti në themelet e tij, në kuptimin tradicional, kërkonte edhe flijuesin në themelet e tij. Dhe e gjetëm.
Monumenti do t’i ngrihej Profesor Jup Kastratit në Prishtinë. Edhe kandidaten që do ta flijonim e gjetëm, bash si në mitologjinë shqiptare të Urës së Fshejt apo Kështjellës së Rozafatit. Ai i cili duhej ta mbante fjalën ishte Vëllai i vogël, pra unë, ndërsa flijimin do ta bënte gruaja ime.
Projekti i këtij monumenti do të quhej Studimet historiko-letrare të Profesor Jup Kastratit (tezë doktorate e kandidates Myrvete Dreshaj-Baliu), me mentor Profesor dr. Isak Shemën. Për pak kohë Myrveti e përgatiti projektin dhe e paraqiti në Departamentin e Letërsisë, të Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, ndërsa lejimin për miratimin e këtij Projekti e morëm në pasditën e 23 shtatorit 2003, kur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kishim organizuar Mbledhjen komemorative për vdekjen e Profesor Jup Kastratit, i cili ishte ndarë nga jeta një ditë më parë.
Po ja që nuk e kisha parë!
I tillë ishte Profesor Isak Shema!
II. Edukatori i shumë brezave
I lindur në vitin 1940 në fshatin Beguncë të Komunës së Vitisë, Profesor Isak Shema, po këtu ka mbaruar edhe mësimet fillestare, për të vazhduar klasën e parë të Shkollës Administrative Shqipe në Kaçanik dhe më tej Normalen e Prishtinës(1959), një diplomë të cilën e lakmonin të gjithë të rinjtë e asaj kohe.
E pra, Profesor Isaku, sikur kishte lindur për këtë mision.
I vendosur gjithashtu dhe tepër këmbëngulës për të ecur më tej.
Këtu fillon edhe shikimi largvajtës i tij në themelimin dhe organizimin e shkollës shqipe. Në një kohë që Sigurimi serb i Rankoviqit përgatiste listat e 300 mësuesve dhe arsimtarëve shqiptarë për t’i burgosur, Profesor Isak Shema dhe bashkëkohësit e tij përkatistin dokumentet për hapjen e shkollave të reja dhe dokumentet për tu regjistruar në brezin e parë të studentëve në Degën e Gjuhës Shqipe në Prishtinë (1960/1964) dhe madje studimet e posdiplomës në Universitetin e Beogradit(1965/1967), ku edhe mbrojti tezën e magjistraturës në vitin 1968.
Kush nuk e kujton sot kthesën e madhe të kësaj kohe (rënien e ministrit serb të Punëve të brendshme Aleksandër Rankoviq, 1966), hapjen e Institutit Albanologjik të Prishtinë(1967), Konsulten e Gjuhësore të Prishtinës(1968), Konferencën për Skënderbeun(1968), përvjetorin e Kongresit të Manastirit (1968) dhe në mënyrë të veçantë dekanin e parë shqiptar në Degën e Filozofisë Profesor Idriz Ajetin, për zgjedhjen dhe inaugurimin e të cilit më tregonte shpesh Profesor Isaku, sepse kishte dhënë kontribut vendimtar. A është e rastit që në këtë kohë të përlindjes kulturore, arsimore, shkencore e politike kombëtare, në vitin 1968 ai angazhohet në diskutimin e Projektit të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes”, me kumtesën Për unifikimin më elastik të trajtave gjuhësore të cilën e botoi në të përditshmen e kohës “Rilindja”, Pri¬shtinë, 6. VII. 1968.
Në këtë rrjedhë Profesor Isak Shemën e shohim tek angazhohet me gjithë përkushtimin e tij për të sforcuar Degën e Filozofisë dhe Katedrën e Gjuhës Shqipe, si dhe tek punon në themelet e Universitetit të Prishtinës, i cili do të kurorëzohet vetëm dy vjet më vonë, më 1970.
Këmbëngulës dhe i vendosur për përgatitjen e Programeve të drejtimeve të reja në shkollën shqipe, Profesor Isakun e shohim rreth një dekadë pune në drejtimin dhe përgatitjen e Kurrikulës së shkollës shqipe, në përgatitjen e Programeve të reja në Universitetin e Prishtinës etj. E shohim duke udhëtuar kudo në institucionet akademike të ish-Jugosllavisë dhe shumë vendeve të Europës, prej nga sillte përvojat më të mira europiane për t’i dhënë Universitetit tonë frymën bashkëkohore të asaj Përlindjeje Kombëtare, që po shpërfaqej pas vitit 1966 deri në vitin 1981. Por, përtej këtyre udhëtimeve në Jugosllavi dhe Europë, që në vitin themelues të Universitetit, Profesor Isakun e shohim tek udhëton e merr përvojë dhe frymë shprese e besimi në Universitetin e Tiranës.
Ndërmjet obligimeve managjuese në Universitetin e Prishtinës dhe rritës së shkollës shqipe në Kosovë, si dhe ligjëratave e punës së përditshme me studentët, Profesor Isak Shema gjen kohë të merret edhe me përgatitjen didaktike të teksteve arsimore. Veç tjerash përgatit e boton tekstet për shkollat e mesme të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë: Lexim letrar , I,II .
Kemi lexuar prej shtypit dhe kemi dëgjuar prej bashkëkohësve për rëndësinë e këtij komunikimi, por sfidat e këtij bashkëpunimi po i shohim tani në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe besoj do t’i shohim edhe më komplekse në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të ish-Jugosllavi, kur një ditë të hapen ato. Prej vlerësimit historik të kësaj epoke, ndërkaq, sot mund të themi se fjala është për atë periudhe rilindjeje, të cilën e përgatiti me përkushtim brezi i Profesor Idriz Ajetit, Ali Hadrit, Rexhep Qosjes, Isak Shemes, Agim Vincës, në frymën Demaçiane të rezistencës.
Kjo Lëvizjeje nacionale në Kosovën e Profesor Isak Shemës do të ketë edhe triumfin e saj, sikur e kishte në të gjitha Lëvizjet kombëtare në botë. Idetë iluministe dhe revolucionare të kësaj periudhe u kurorëzuan me Demonstratat e vitit 1981, prandaj ato kërkonin jo vetëm sakrificën po edhe mbrojtësit e tyre. Bashkëkohësit e tij, dëshmitarët me gojë dhe me shkrim, autorët e ditarëve e të memoareve, do të kujtojnë Profesor Isak Shemën tek diskuton pa fund në stilin ngre e mos e këput, në mbrojtje të kolegëve të tij, pa ia bërë askujt me gisht, përkundrazi. Kolegët e tij kujtojnë sot se si ai, në mbrojtje të tyre, e vente në plan të parë kontributin e tyre në fushë të arsimit, edukimit e misionit për të cilin ishin në vendin e punës.
Në qoftëse në fazën e parë të punës së tij (1959-1981) Profesor Isak Shema shquhej për avancimin e kurrikulës së gjuhës shqipe në shkolla dhe universitet, në fazën e dytë (1982-1999) do të shquhet për mbrojtjen e saj. Kush nuk i kujton diskutimet e tij në mbrojtje të letërsisë kombëtare gjatë përpjekjeve që ajo të rrudhet brenda së ashtuquajturës iniciativë për krijimin e Bërthamave të letërsisë jugosllave. Kush nuk i kujton tekstet vetanake dhe në emër të Degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Kush nuk e kujton angazhimin e tij, sikur kujton Profesor Qosja në Ditarin e tij , për të mbrojtur krijimtarinë letrare të Dritëro Agollit e të Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e Ndre Mjedës, Andon Zako Çajupit e Fan Nolit, kush nuk e kujton reagimin e tij në takimet ndër komisione të ndryshme qeveritare për kërkesën e disa gjysmëpolitikanëve për të hequr nga tekstet shkollore poezitë për gjuhën shqipe, Skënderbeun, lirinë, atdheun, vendlindjen, Bajram Currin etj., dhe zëvendësuar ato me poezi të shkrimtarëve rusë e sllavë, sikur ishin Lomonosovi e të tjerë .
Kush nuk e kujton më tej përkushtimin e tij për botimin e tekstit të Antologjinë historike të letërsisë shqipe nga Profesor Qosja, jo vetëm të prozës dhe poezisë, i cili doli për një kohë të shkurtës (1985), po edhe të dramës dhe të kritikës (i cili nuk u botua asnjëherë deri më tash). Kush nuk e kujton angazhimin e tij për organizimin e Universitetit të Prishtinës, në kushtet e okupimit klasik të viteve ’90 dhe modalitetet e organizimit të kurikulave të shkollës shqipe në Kosovë e Shqipërinë postkomuniste. Kush nuk e kujton sot intervistën e tij dhënë gazetarit të “Rilindjes” Afrim Maliqi, më 1995, i cili vetëm pak vite më vonë do të radhitet në mesin e martirëve të kombit. Duke saktësuar rezultatet konkrete të Komisioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, Profesor Isak Shema në cilësinë e ekspertit theksonte: “Në kuadër të procesit të integrimeve në lëmin e arsimit aktualisht janë hartuar disa nga planet dhe programet mësimore të përbashkëta për shkollën fillore dhe atë të mesme, siç janë: Programi i gjuhës dhe letërsisë shqipe për klasën II të shkollës fillore (1994), Programi mësimor i letërsisë për klasën V të shkollës fillore (1994), Programi mësimor i historisë për klasën IV (1994), Programi i gjuhës dhe letërsisë shqipe për gjimnaze, viti I (1994), Programi i gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat profesionale katërvjeçare, viti parë (1994), Programi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe për shkollat e mesme profesionale trevjeçare, viti parë (1994), Programi i gjeografisë fizike – gjimnazi dy drejtimesh, viti parë (1994), Programi historisë së popullit shqiptar për shkolla të mesme. Po ashtu janë përgatitur tekste shkollore të përbashkëta për klasën e dytë, të katërt dhe të pestë të shkollës fillore: Gjuha shqipe II (1994), Leximi 2 (1994), Leximi 5 (1994), Të njohim historinë e popullit tonë 4, Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme (1995), Libri i mësuesit 2 (1994) .
Në këtë rrjedhë do parë edhe përpjekjen e tij dhe të brezit të tij prej idealistësh në fushë të arsimit për të organizuar Kongresin Arsimor Kombëtar, për të cilin dha shumë intervista, mbajti ligjërata në institucionet arsimore e shkencore të hapësirës shqiptare dhe madje europiane. “Arsimi, – theksonte Profesor Shema në një nga intervistat e tij, – është çështje e madhe e kombit, prandaj organizimi i Kongresit Arsimor Kombëtar, ku do të shqyrtoheshin çështje të rëndësishme të arsimit kombëtar dhe do të merreshin vendime të pranueshme për të gjithë, do të shënonte një ngjarje historike për arsimin dhe jetën kombëtare. Vizioni perspektiv i arsimit tonë kombëtar në shekullin XXI do të realizohet në përmasa të reja, që i përgjigjen synimit të përgjithshëm për nivelizim të ri historik. Ideja për mbajtjen e Kongresit është pritur mirë, prandaj në të ardhmen, pas përgatitjeve të suksesshme, do të organizohej Kongresi i ri i arsimit kombëtar” .
Nuk e di a është e domosdoshme të thuhet se ky ishte viti i përmbysjeve të mëdha në Shqipëri dhe i fillimit të luftës në Kosovë, vetëm një vit më vonë, prandaj idealet e tij dhe të brezit të tij prej mësimdhënësish e atdhetarësh, për një Kongres të ri, morën tatëpjetën e madhe dhe të pakthyeshme.
Historianët e Universitetit të Prishtinës përmes dokumenteve, ndërsa bashkëkohësit e tij të Fakultetit të Filologjisë, do ta mbajnë mend gjatë dhe do ta shkruajnë në memoaret e tyre, qëndresën e tij, këmbëngultësinë e tij, insistimin e tij, për të mos thënë kundërvënien e tij, rektorit gjerman të Universitetit të Prishtinës, për moszbatimin 100% të Sistemit të Bolonjes në të gjitha degët, katedrat dhe programet, duke ju dhënë atyre vetëm karakterin didaktik trevjeçarë. I bindur se Fakulteti i Filologjisë kishte një përvojë të mirë akademike dhe një traditë të mjaftueshme të mësimdhënies Profesor Isak Shema mbrojti sistemin katërvjeçarë të Fakultetit duke ruajtur integritetin jo vetëm të Fakultetit po edhe të mësimdhënësve të saj.
I përkushtuar ndaj mësimdhënies dhe organizimit të saj, përgatitjes së kurikulave dhe institucioneve shkollore e akademike, profesor Isak Shema nuk është ndalur dhe nuk ndalet edhe sot. Përkundrazi! Ndërmjet botimeve shkencore, monografike, e kërkimeve në kritikën letrare, ai ka vazhduar së botuari veprat me shumë interes, në fushë të arsimit dhe të mësimdhënies, sikur janë: Çështje të arsimit kombëtar shqiptar, “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2000; Metodologji dhe teknikë e punës shkencore (Dispensë), Prishtinë, 2004; Studije albanske književnosti, “Dituria”, 2015, Prishtinë, 2015; Shkrimi akademik, Kolegji Iliria, Prishtinë, 2013; Letërsia shqiptare I, për klasën e parë dhe të dytë gjimnaz dhe për shkollat e mesme, Modeli C, Prishtinë, 2016; Mësimi i shqipes në Arbënesh të Zarës, Prishtinë, 2017 etj.
Prej kërkimeve dhe botimeve të tij në gjuhën shqipe dhe kroate të studimeve dhe veprave të tij, nuk është vështirë të shihet se si Profesor Isak Shema interesimet e tij, vlerësimet e tij dhe projektet e tij i ka zgjeruar nga përvoja për politikbërjen shkollore e universitare të Kosovës, te interesimi i tij për gjendjen e mësimdhënies dhe fatin e shkollës shqipe në diasporë, përkatësisht në diasporën e hershme të arbëreshëve në Zarë. Hiq disa përpjekje për të sjellë pamjen e mësimit të gjuhës shqipe ndër arbëreshët e Italisë së shekullit XIX dhe XX, vepra të tjera nuk kemi për kolonitë e shqiptarëve në Europë dhe Azi.
Prej pasurisë mendore, intelektuale, shkencore, didaktike e interdisiplinare që sjellin, mund të theksojmë se ato kapin rrafshe dhe dimensione të rëndësishme të historisë sonë: gjendjen e shkollës dhe mësimdhënies së gjuhës shqipe në Kosovën e gjysmës së dytë të shekullit XX, pamjen didaktike dhe metodologjinë e kërkimeve shkencore në fillim të shekullit XXI, orientimet e avancuara në kërkimet shkencore në institucionet universitare në Shqipërinë dhe Kosovën e shekullit XXI dhe përpjekjet për europeizimin e kësaj dijeje, si metodë dhe si koncept, pamjen konceptuale dhe konceptualizuese të letërsisë në shkollën arbëreshe të shekullit XXI, përpjekjet kurrikulare dhe qasja metodologjike e mësimdhënies së letërsisë shqipe në raportet historiko-letrare të saj etj.
III. Veprimtaria shkencore
Është një prirje e studiuesve të biografive, që personalitet e shquara të kohës t’i shohin ose si studiues ose si edukatorë. Edhe arsyetimet i kanë në maje të gjuhës. ‘Një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, prandaj nuk arriti të shquhej në fushë të shkencës’(!). Profesor Isak Shema sikur i afrohet këtij konstatimi, por bibliografia e tij nuk e arsyeton këtë konstatim.
Në të vërtetë, ata që kontributin e studiuesve e shohin në rrafshin e botimeve të veçanta, kjo sikur e dëmton pamjen shkencore të Profesor Isak Shemës, ashti sikur e dëmton, bie fjala edhe më shumë pamjen shkencore të Profesorit Hasan Mekuli dhe shumë profesorëve të tjerë, të cilët kanë shkruar dhe botuar në shtypin letrar e shkencor disa mija faqe po nuk kanë botuar as edhe një vepër të vetme për të gjallës, sikur ndodhi me profesorët Hasan Mekuli, Latif Berisha e të tjerë. Ky fat fillimisht e përcolli edhe Profesor Isak Shemën sado jo në këto përmasa. Në një kohë përpjekjesh në fushë të politikbërjes së arsimit fillestar dhe sidomos universitar, profesor Isak Shema do të angazhohet për përgatitjen e njërit prej vëllimeve themelvënëse të kritikës së letërsisë shqipe Bibliografi e kritikës letrare shqiptare 1944-1974 , (Bashkautor Ibrahim Rugova), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1976. Ribotoi Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997; si dhe bibliografinë e vëllimshme Bibliografitë e letërsisë dhe të kritikës letrare shqiptare, brenda vëllimit të veprës “Procedime letrare, Prishtinë 1999. Do theksuar që në fillim, që metodat e kërkimit shkencor i shquajnë pothuajse të gjitha veprat e Profesor Isak Shemës, për në rastin e theksuar më lart, nëse vëllimi i parë hapë siparin e kërkimeve të tij dhe madje përgjithësisht kritikës letrare shqipe, në Bibliografia e botuar së fundi, shpreh përmasën e kërkimeve të tij brenda një autori.
Pas një periudhe pune e përkushtimi në fushë të mësimdhënies dhe kërkimeve shkencore pa atë reflektimin dhe ndikimin krijues që i shquante disa nga bashkëkohësit e tij, Profesor Isak Sheme filloi së botuari veprat e tij me karakter monografik, përmbledhës, shkencor e letrar: Aspekte të letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1985; Vrojtime letrare dhe artistike, “Rilindja”, Prishtinë,1995; Vlerësime të letërsisë shqiptare, “Rilindja”, Prishtinë,1996; Procedime letrare,” Rilindja”, Prishtinë, 1999; Josip Rela- jeta dhe vepra, “Dukagjini”, Pejë, 2002; Letërsia shqiptare e shekullit XX, “Rozafa”, Prishtinë, 2005; Ismail Kadare fitues i Çmimit The Man Booker International Prize 2005, “Onufri”, Tiranë, 2006; Studime letrare, Universiteti AAB, Prishtinë, 2008; Identitet letrare I, Instituti Albanologjik, Pri¬sh¬tine, 2015; Kultura letrare bashkëkohore, Lidhja e Shkri¬m¬tareve te Kosovës, Prishtine, 2015; Identitete letrare II, Prishtinë, 2016; Josip V. Rela- Jeta dhe krijimtaria letrare, Prishtinë, 2016; Josip V. Rela- Jeta dh krijimtaria letrare, Zarë, Prishtinë, 2016; Josip V. Relja-Život i književno stvaralaštvo, Prishtinë, 2015; Faik Konica – Bruxelles 1896-1902, Prishtinë, 2019; Sterjo Spasse – Jeta dhe krijimtaria letrare, (Studim monografik), Prishtinë, 2019; Vështrime shkencore, Dituria 2015, Prishtinë, 2020; Prof. Dr. Isak Shema, Botim jubilar (80 vjetori i lindjes), “Illyricum”, 7-8, Zagreb-Prishtinë, 2020; Prof. Dr. Isak Shema, Arti letrar i Ismail Kadaresë, “Dituria”, 2015 etj.
Fjala është para se gjithash për veprat me karakter monografik kushtuar personaliteteve klasike në fushë të letrave shqipe: veprës letrare, didaktike e romanore, së cilës asnjëherë nuk i është ndarë, asaj të shkrimtarit të letërsisë realiste: Sterio Spasse; veprës jetësore, letrare, diturake, dramaturgjike dhe prozës së shkrimtarit arbëresh të Zarës, rilindësin, Josip Rela; krijimtarisë letrare e sidomos publicistike të Faik Konicës, dhe krijimtarisë letrare me paraqitje ndërkombëtare: Ismail Kadaresë.
Interesimet për Josip Vlahoviq Relen
Duke e bërë objekt kërkimi jetën dhe veprën e rilindësit të fundit të Arbëreshëve të Zarës, Profesor Isak Shema, përmbushte atë obligim të brezit të tij të gjysmës së dytë të shekullit XX, për të kërkuar referencat historike, etnike, gjeografike, gjuhësore, letrare e kulturore, të cilat përbëjnë shtyllat e formimit etnik, kombëtar e shtetëror të popullit shqiptarë. Brezi i tij në Kosovë, gjatë këtij gjysmë shekulli, qe përqendruar me vendosmëri për të studiuar bardët e Rilindjes Kombëtare dhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e cila kulmoi me projektin e madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Nuk qe e rastit që pothuajse të gjithë studiues më të shquar të kësaj kohe, kanë mbrojtur tezat e doktoratës e të magjistraturës, ose kanë shkruar monografi për këtë periudhë: Idriz Ajeti (E folmja arbëneshëve të Zarës); Rexhep Qosja (Asdreni-Jeta dhe vepra, Romantizmi I-III; Naim Frashëri etj; Agim Vinca (Noli e Kuteli); Emin Kabashi (Jeronim De Rada) etj. Brezi i tij, një e më shumë herë ka trajtuar veprën gjuhësore e letrare të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe postrilindasit tjerë të gjysmës së dytë të shekullit XX: Pashko Vasën, Mihail Gramenon, Fan Nolin, Hil Mosin, Lasgush Poradecin, Luigj Gurakuqin, Konstantin Kristoforidhin etj. Kësaj lëvizjeje mendore, shkencore, intelektuale, letrare dhe kulturore, ju bashkua fillimisht edhe Profesor Isak Shema me personalitetin, jetën dhe veprën letrare të një rilindësi të një krahu tjetër: Josip Reles dhe ju përkushtua jo një herë e jo një mot, por mote të tëra . Në rrjedhë të viteve, dekadave e moteve, sikur do të shpreheshin të motshmit tanë të diasporës, Profesor Isak Shema, e ka parë jetën dhe veprën e Josip Reles, në kontekst të historisë kombëtare, në kontekst të kulturës kombëtare, në interes të asaj kolonie historike kombëtare dhe si përbërës i trashëgimisë kombëtare, prandaj tekstet e tij i ka lexuar në Seminare vendore e ndërkombëtare, në konferenca shkencore në Kosovë dhe në Kroaci, prandaj i ka botuar ato në botime të Prishtinës dhe të Tiranës, kur mendimi për Josip Relen dhe veprën e tij ishte ende modest në studimet shqiptare. Në këtë rrjedhë ai ka studiuar jo vetëm veprimtarinë letrare e publicistike për Josip Relen dhe veprën e tij, po edhe për bashkëkohësit e tij, sikur ishte shkrimtari Shime Deshpali.
Interesimet për Sterjo Spassen
Sterjo Spasse është shkrimtari, me të cilin është identifikuar posaçërisht shumë, Profesor Isak Shema, madje që në fillimet krijuese të tij. Bashkëkohësit e ndërlidhin këtë me përkushtimin e Profesor Isakut ndaj arsimimit, shkollës dhe mësimdhënies. Nëse Profesor Shema ishte një edukator tipik i kohës, veprat e para letrare të Sterjo Spasses dhe konceptet pedagogjike të gjysmës së parë të shekullit XX, e bënin atë iluminist të llojit të tij në Kosovën e gjysmës së dytë të shekullit XX. Megjithëse monografinë e parë për jetën dhe veprën e tij do ta botoj ashtu me vonesë(2019) , interesimet e tij për krijimtarinë letrare janë të hershme, prej më shumë se gjysmë shekulli . Kërkimet në jetën dhe veprën e Sterjo Spasses janë të shumanshme dhe po kaq të gjera e të thella sa edhe gjithë vepra e tij kërkimore. Sterjo Spasse ishte shkrimtar me ndikim në jetën letrare dhe shkencore në Shqipëri e në Kosovë për më shumë se një gjysmë shekulli, prandaj interesimet e tij për Sterjo Spassen ishin interesime të mendimit shkencore e sidomos historiko-letrare në letërsinë dhe kritikën letrare të kohës. Konceptet pedagogjike të Sterjo Spasses që nga vitet ’30, në raport me bashkëkohësit ishin të karakterit iluminist, kombëtar dhe nacional, prandaj interesimet e Profesor Shemës ishin komplementare me punën e tij prej iluministi në shkollat e Kosovës. Përtej krijimtarisë letrare me karakter iluminist, çfarë ishin romanet më me ndikim të kohës, Afërdita dhe Afërdita përsëri në fshat, Sterjo Spasse botoi edhe ciklin romanor “Rilindasit”, me të cilin bashkoi trinomin e madh historiko-iluminist dhe kombëtar, në periudhën më të lavdishme të popullit shqiptar. Sterjo Spasse ishte shkrimtar me njohje të gjerë të mendimit teoriko-letrar të kohës, jo vetëm në hapësirën kombëtare po edhe ndërkombëtare, prandaj në veprën e tij letrare, Zgjimi, Ata nuk ishin vetëm etj., ai diti t’i bashkojë edhe disa përbërës ballkanik e ndërkombëtar me ndikim në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
A është e rastit pse një Profesor universitar, një edukator i përkushtuar dhe një studiues si Profesor Isak Shema, merrej dhe merrej gjatë me veprën letrare, me motivet historike e bashkëkohore, me përbërësit ballkanik të kësaj historie dhe me ndikimin teoriko-letrare të kohës në veprën letrare të Sterjo Spasses. Dhe a është e rastit pse tekstet për veprën letrare të Sterjo Spasses i ka lexuar në tryezat shkencore të Prishtinës, në Konferencat shkencore me karakter ndërkombëtar në Prishtinë e më gjerë dhe në konferencat ndërkombëtare në Ballkan, përkatësisht në Europën Juglindore, si dhe i ka botuar në gazetat ditore, revistat letrare dhe buletinet shkencore të kohës.
Interesimet për Faik Konicën
Lexuesit e veprës shkencore të Profesor Isak Shemës besoj e kanë të njohur një veçori të punës së tij prej kërkuesi në letrat shqipe. Ai është një nga studiuesit e radhëve të para në studimet koniciane. Besojmë se arsyet janë të shumta dhe janë objektive e subjektive. E para, studimet letrare të Faik Konicës janë shkruar në gjuhën frënge, në të cilën gjuhë ka mundur të komunikojë edhe Profesor Shema; e dyta, kërkimet në fundin pak a shumë të njohur të Faik Konicës, ishte kërkim në fondin më të madh bibliografik të kritikës letrare shqipe dhe letërsisë përgjithësisht; e treta, kërkimi në jetën dhe veprën e Faik Konicës, në Shqipëri ishte i ndaluar ndërsa në Kosovë, pak a shumë interesimet për të mbaheshin nën rrogoz; e katërta, studimet historiko-letrare në letërsinë shqipe nuk mund të merreshin me mend pa mendimin kritik letrar, themelues i të cilit ishte Faik Konica; e pesta, në studimet bashkëkohore, Faik Konica, në vitet ’70, konsiderohej bardi i mendimit modern në letrat shqipe etj. Ky fond dhe këto kërkime mund të bëheshin në Paris, në Vjenë, në “Vatrën” e Amerikës dhe në ndonjë institucion tjetër ku pati qëndruar Faik Konica nëpër botë, e megjithatë Profesor Isak Shema zgjodhi të bënte kërkime Brukselin dhe Fondin e revistës më të pasur të kohës “Albania”. A është e rastit që ndër studimet e para për Faik Konicën në Kosovë dhe ndër studimet e para të Profesor Isak Shemës që botohet në revistën shkencore dhe autoritative të Prishtinës “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike” (1975) është kërkimi bibliografik Të dhëna të reja lidhur me botimin e revistës “Albania” në Bruksel (1897-1902). Më tej, kërkimet e tij në arkivat ndërkombëtare, sidomos në Arkivin Faik Konitza në Archives Generales de Royaume, Bruxelles, do të bëhen me qëllime kërkimi edhe për studime të tjera, por do të kulmojnë me veprën Faik Konica – Bruxelles (1896-1902), Prishtinë, 2019. Karakteristikë e kërkimit të tij të parë dhe e veprës së parë është përqendrimi i tij në dosjen dhe periudhën e Brukselit (1896-1902), ndërsa veçori e brendshme e këtyre studimeve është përqendrimi në disa përbërës universal të jetës së tij dhe botës së tij intelektuale: erudicioni intelektual, – si një pasuri e tij e veçane kulturor; raportet e tij me personalitetet e kohës dhe kulturën europiane; raportet e tij me bashkëkohësit dhe nderimi, vlerësimi e mendimi kritik për krijimtarinë letrare të tyre, sikur ishte ai për Jeronim De Radën; pasuria bibliografike e revistës “Albania”, si një thesar i veçantë i mendimit politik dhe kulturor në historinë e popullit shqiptar etj.
Le të thuhet në fund të kësaj sinteze se kërkimet e Profesor Isak Shemës në jetën dhe veprën e Faik Konicës janë bërë në kohën kur për Faik Konicën nuk ishte shumë e lavdishme të bëheshin kërkime dhe të shkruhej, si dhe në kohën kur kërkimet dhe studimet e botimet për Faik Konicën dhe veprën e tij ishte në modë dhe synim kërkimor i të gjithë studiuesve. Për këtë arsye, sot mund të themi se rezultatet kërkimore të Profesor Shemës shfaqen dyanshëm: në themelet dhe në kulmet e saj.
Interesimet për Ismail Kadarenë
Në letërsinë shqipe është i vogël numri i profesorëve universitarë, studiuesve, kritikëve dhe madje publicistëve, të cilët nuk kanë shkruar për Ismail Kadarenë. Pjesa më e madhe e tyre kanë shkruar tekste përgjithësuese, portrete, vlerësime për veprat e veçanta, sinteza për gjini a lloje letrare, të cilat i ka lavruar ai, e kështu me radhë. Por, shumë nga studiuesit e përkushtuar ndaj veprës së tij janë përpjekur që të shkruar tekste a trajtesa letrare e shkencore me të cilat janë interesuar të përmbushin ato anë mendore, intelektuale e shkencore, me të cilat nuk janë marrë të tjerët.
Profesor Isak Shema është profesori, studiuesi, bibliografi, kritiku e edukatori, i cili jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë e ka parë në kontekste të ndryshme: jetësore e krijuese, kombëtare e ndërkombëtare, personale e universale. E ka studiuar në kohën kur Kadare bënte përpjekjet për të zënë vend në hapësirat kulturore europiane dhe në kohën kur me veprën e tij prekte majat e universit letrar, në kohën kur vepra e tij shihej si njësi më vete dhe në kohën kur vepra e tij shuhej si arti në proces, në kohën kur për jetën dhe veprën e Kadaresë ishte vështirë të shkruhej dhe në kohën kur për të diskutuar në konferencat shkencore për Kadarenë ishte vështirë të zije vend; në kohën kur për Kadarenë nuk flitej vetëm për kontekstin letrare dhe në kohën kur për veprën letrare të Kadaresë nuk mund të flitej pa përbërësit politik të ideologjisë së kohës.
Në rrethana të sotme, puna e tij kërkimore dhe shkencore ka kulmuar me veprat Ismail Kadare fitues i Çmimit The Man Booker International Prize 2005, “Onufri”, Tiranë, 2006 dhe Arti letrar i Ismail Kadaresë, “Dituria”, Prishtinë 2021. Por, po të shihet me syrin e mendimit shkencor, vepra më vete në studimet monografike të tij, do të zinin edhe sintezat e tij me interes për kërkimet e mëtejme shkencore Proza e Ismail Kadaresë (Botimi i serisë së veprave në versionin përfundimtar), proza e Ismail Kadaresë; Versionet e poezisë së Ismail Kadaresë etj. Fjala është për indiecie historike, për dokumente letrare dhe për struktura kërkimore ne veprën letrare të Kadaresë, për jetën krijuese të tij, për botën estetike dhe ndjeshmërinë semantike të temave të tij, për bartjen e mesazheve nga poezia te tregimi e romani; nga tregimi te romani, drama e skenari televiziv; nga romani te varianti i tij e kështu me radhë. Le të jetë prandaj përkushtimi i tij për letërsinë bashkëkohore në përgjithësi dhe veprën letrare të Ismail Kadaresë në veçanti një arsye e madhe edhe për veprat e tjera kushtuar këtij personaliteti të letrave shqipe dhe personaliteteve të tjera si ai .
Interesimet për letërsinë nacionale
Ashtu si edhe brezi i tij i profesorëve universitarë dhe studiuesve e kritikëve të letërsisë shqipe edhe Profesor Isak Shema kishte përkushtimin e studimit të letërsisë së formimit nacional, e kjo do të thotë letërsisë së romantizmit dhe letërsisë së gjysmës së parë të shekullit XX (romantizmit, klasicizmit, realizimit dhe asaj moderne), si dhe letërsisë së gjysmës së dytë të shekullit XX, prozën dhe dramën e së cilës e ligjëronte në Universitetin e Prishtinës. Përkushtimi ndaj disa autorëve të letërsisë nacionale dhe veprave të tyre madje do të zë radhët e para në listën fillestare të bibliografisë së tij, qoftë pse ata ishin shkrimtarë me dhunti të madhe krijuese (Asdreni); qefte pse vepra e tyre përfaqësonte shkallën më të lartë të realizimit estetik (Migjeni), qoftë pse disa të tjerë ishin shkrimtarë me ndikim të madh në jetën shoqërore dhe krijuese (Sterjo Spasse) etj.
Nuk është e rastit pse në arkivin e tij të pasur personal të vitit 1963, gjejmë një tekst të shaptilografuar me titull Proza e Migjenit, ndërsa në bibliografinë e tij të botimeve në gazeta e revista letrare edhe shumë tekste të karakterit përgjithësuese për shkrimtarë, vepra dhe tema të karakterit letrar, historik e sociologjike. Në këtë rrjedhë kemi parasysh një artikull simbolik për kohën Asdreni – poet i vegjëlisë, një portret të arbëreshit me shenjë (dramaturgut të parë) Anton Santorit, një studim mbi përbërësit e letërsisë popullore të letërsisë shqipe, një sprovë teoriko-letrare e historiko-letrare për disa çështje të periodizimit të letërsisë sonë, një analizë letrare dhe jo vetëm letrare për mendimet aforistike të Sami Frashërit, një ese kujtimi e nderimi për Migjenin, një studim mbi Vizioni realist i Migjenit në letërsi, një paraqitje nderimi e vlerësimi për objektin letrar dhe subjektin historik, pra një kundrim mes poemës së Komninos dhe Naim Frashërit, një studim themeltar mbi konceptet a pikëpamjet letrare dhe historike të Gjergj Fishtës për Lidhjen e Prizrenit, një shënim brilant mbi Pamfletet e Mitrush Kutelit, një paraqitje me interes për letërkëmbimin e Gjergj Fishtës, mbi raportet personale dhe krijuese mes Profesor Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradecit, mbi vendin e kryerilindësit Naum Veqilharxhi në Historinë e letërsisë shqiptare, mbi vendin e Jeronim de Radë në rrethet krijuese të letërsisë europiane etj. Prej studimeve, trajtesave, eseve dhe pikëpamjeve të tij intelektuale, krijuese dhe historiko-letrare me temë autorët dhe veprat e letërsisë nacionale të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe postromantike, nuk është vështirë të shihet përkushtimi i tij intelektual prej edukatori, për të ruajtur në themelet e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare frymën kombëtare .
Interesimet për letërsinë bashkëkohore
Bashkëkohësit dhe studentët, përkatësisht brezi ynë e kujton Profesor Isak Shemën për përkushtimin e tij në ligjëratat për letërsinë bashkëkohore (Prozën), ndërsa studiuesit dhe kritikët e letërsisë do ta kujtojnë Profesorin tonë për studimet monografike, sintezat historiko-letrare, portretet për bashkëkohësit e caktuar dhe vlerësimet për vepra të caktuara të letërsisë bashkëkohore. Lexuesit e shtypit letrar e shkencor e kujtojnë Profesor Shemën për trajtesën sociologjike, topike për studimet e kohës mbi ngritjen dhe ndërlikimet e konflikteve letrare, për diskutimin mbi mbi kriteret kombëtare, klasore dhe universale të letërsisë, mbi përmasën sociologjikr të letërsisë, mbi poetikën e shkrimtarit Shevqet Musaraj, i cili në krijimtarinë letrare u shqua, sa për prozën epike po aq edhe për poezinë satirike, mbi krijimtarinë letrare të bardit të letrave shqipe në ish-Jugosllavi Esad Mekulit dhe pikëpamjeve të tij për letërsinë, mbi pikëpamjet e Hivzi Sulejmanit për letërsinë, mbi kritikën letrare për romanin shqiptar dhe rrolin e saj në kontekstin historiko-letrar, studimin mbi disa çështje të terminologjisë së letërsisë, mbi krijimtarinë atdhetare dhe vendin e saj në tekstet shkollore e antologjitë letrare, mbi dramën bashkëkohore dhe mendimin kritik rreth prirjeve artistike të saj, mbi portretin human, krijues, letrar e atdhetar të Latif Berishes dhe prirjet studimore në veprën e tij, mbi kritikën letrare të Hasan Mekulit, mbi krijimtarinë letrare të njërit prej prozatorëve më të mirë të letërsisë bashkëkohore Naum Priftit, mbi jetën, veprën dhe përbërësit letrarë të veprave të Hivzi Sulejmanit, mbi konceptet moderne në letërsinë bashkëkohore, mbi studimet e Rexhep Qosjes për romanin shqiptar, mbi prozën e shkrimtarit pak të njohur po shumë të vlerësuar Ramadan Rexhepit, studimin monografik dhe gjithëpërfshirës mbi krijimtarinë letrare të Shime Deshpalit, studimin letrar dhe esenë përkujtimore për shkrimtarin Ramiz Kelmendi, studimin mbi konceptet krijuese letrare dhe shkencore të shkrimtarit Martin Camaj, portretin krijues, intelektual e shkencor të profesorit Gani Luboteni, përbërësit etno-kulturor e identitar të poezisë së Fatos Arapit dhe të Ali Podrimjes, vendin e romanit shqiptar në letërsinë europiane etj . Le të thuhet ndërkaq këtu se shumë prej studimeve të theksuara më lartë, sikur janë ato për romanin bashkëkohor shqiptar, dramën bashkëkohore shqiptare, portretin e Latif Berishës, Ramiz Kelmendit, Gani Lubotenit e ndonjë tjetër si këto, përbëjnë strukturën shkencore të kërkimit për një monografi shkencore, përkatësisht një sinteze shkencore në mendimin historiko-letrare të letërsisë dhe kritikës shqipe.
Mentori i Kosovës
Nëse në fazën e parë të punës së tij mision i punës së tij ishte përgatitja e tyre për shkollën shqipe dhe atë Universitare në Kosovë, në periudhën e dytë, pas çlirimit të Kosovës ai ju qas me gjithë përkushtimin e tij për organizimin e sistemit arsimor në institucionet akademike private; dhe më tej, nëse në fazën e parë dhe të dytë përkushtimi i tij i takon hapësirës nacionale, në fazën e tretë, pra në dy dekadat e fundit, ai i është përkushtuar punës për përgatitjen e teksteve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare për të huaj, një punë të cilën zakonisht e bëjnë institucionet akademike shtetërore dhe të specializuara për këtë fushë.
Pa dashur të merremi gjerësisht me këtë temë më tutje, dua të them se Profesor Isak Shema, si askush prej nesh, dy dekadat e fundit po punon për europeizimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, jo rrallëherë lavdërohen për suksesin…