Profesori amerikan për veriun: Situata është shumë e rëndë, Kurti dhe Osmani të bëhen burrështetas

16 qershor 2023 | 13:58

Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia, gjë e cila ka ngjallur shumë reagime.

Në shkrimin e tij për “Foreign Policy”, të titulluar “ShBA-ja po krijon një krizë në Kosovë’’, profesori amerikan e ka quajtur dëshirën e aleatëve për sanksione ndaj Kosovës si “një gabim serioz”.

“Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokrat në Prishtinë, e mbështetja e një autokrati pro-rus e manipulues si ‘partner më i mirë’, siç tha ambasadori Hill, duhet t’i jap një pauzë sekretarit Antony Blinken”, ka shkruar Joseph.

Ndërsa në intervistën për “The Geopost”, Joseph ka theksuar edhe njëherë se ShBA-ja ka gabuar duke i lënë gjithë këtë faj Prishtinës.

Sipas tij ShBA-ja bashkë me BE-në nuk janë duke e trajtuar në mënyrë strategjike çështjen e Kosovës.

Ndërsa për kidapimin e policëve, ai ka thënë se me marrëveshjen e Kumanovës në mes të Serbisë dhe NATO-s, ka thënë se policia serbe duhet të qëndrojë 5 kilometra larg kufirit që e ndan Kosovën me Serbinë, duke e theksuar se “zona e gjelbër” është një pikë shumë të rëndësishme.

“Situata madje është përshkallëzuar në 24 orët e fundit me arrestimin e këtyre tre policëve të Kosovës. Dhe unë, si të tjerët, theksoj Marrëveshjen e Kumanovës. Kjo është marrëveshja Beograd-NATO që i dha fund bombardimeve 20 vjet më parë, Marrëveshja e Kumanovës, që krijon këtë zonë sigurie prej 5 kilometrash në terren. Është në anën tjetër të kufirit. Kjo do të thotë se policia serbe nuk duhet të jetë as brenda 5 kilometrave. Dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme”, ka thënë Joseph.

Joseph ka theksuar se kjo çështje tani është në duart e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët sipas tij duhet të përdorin gjykimin e tyre profesional mbi këtë çështje.

Ai tha se edhe nëse NATO e KFOR-i nuk duan ta thonë publikisht, duhet që privatisht ta informojnë ShBA-në dhe BE-në mbi këtë çështje.

Ndërsa për  situatën në veri, ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të ngrihen mbi nivelin e një politikani të zakonshëm, të arrijnë në nivelin e një lideri të madh në kohë kritike, ose siç quhet ndryshe, “burrë shteti”.

“Numri dy është ajo që duhet të bëjë Prishtina dhe çfarë duhet të bëjnë kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani. Dua të them që ju përdorni një fjalë: ‘burrë shteti’. ‘Statesmanship’, kjo është fjala që përdorim në anglisht. Do të thotë të ngrihesh mbi nivelin e një politikani të zakonshëm. Do të thotë të arrish nivelin e një lideri të madh në një kohë kritike. Sepse kjo është një situatë shumë e rëndë”, ka thënë Joseph.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një video skandaloze po qarkullon në rrjete sociale ku kryebashkiaku…