
Projekti i ri i Trumpit: Çdo e dhënë personale në një sistem të vetëm
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përgatit vendosjen e një sistemi të ri kombëtar, i cili do të mbledhë dhe arkivojë çdo të dhënë të qytetarëve amerikanë. Ky projekt ambicioz ka ngjallur reagime të ashpra, sidomos nga radhët e demokratëve – megjithëse ata ndodhen në pakicë në Kongres dhe ndikimi i tyre është i kufizuar.
Disa vendime gjyqësore kanë arritur përkohësisht të frenojnë elementë të këtij projekti, por sinjalet e fundit nga Gjykata Supreme lënë të kuptohet se edhe barrierat ligjore mund të mos jenë të qëndrueshme për gjatë.
Plani i Trumpit, që është krahasuar nga “Corriere della Sera” me konceptin e “Vëllait të Madh”, synon të integrojë të dhëna nga burime të ndryshme përfshirë informacione fiskale, shëndetësore, arsimore, bankare dhe të punësimit në një sistem të unifikuar. Ngjashmëritë me Sistemin e Kreditit Social të Kinës janë të dukshme: një profil i plotë i çdo individi, i përdorur potencialisht për ndëshkim apo shpërblim bazuar në “dobinë sociale”.
Me sloganin “Të thyejmë siloset e burokracisë së të dhënave”, Trump e paraqet këtë projekt si një reformë administrative që do të luftojë abuzimet me fondet publike dhe do të rrisë efikasitetin qeveritar. Por kritikët paralajmërojnë për një rrezik real ndaj privatësisë dhe lirive qytetare.
Kjo nismë vjen në vijim të një vendimi të mëparshëm për t’i dhënë kompanisë “Doge” të Elon Musk qasje në të dhëna sensitive si statusi tatimor i qytetarëve. Edhe pse Musk është larguar nga bashkëpunimi, institucionet federale kanë vazhduar kërkesat për të dhëna personale. Departamenti i Bujqësisë, për shembull, ka kërkuar informacione të detajuara për 42 milionë përfitues të kuponëve ushqimorë, me synimin për të identifikuar abuzimet dhe përfitimet e padrejta nga emigrantët e paligjshëm.
Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë mohon çdo prirje autoritare, duke theksuar se synimi është kursimi i parave të taksapaguesve dhe kontrolli më i rreptë i emigracionit të paligjshëm, veçanërisht në shtete si Illinois, Kalifornia dhe Uashingtoni, ku dyshohet se fondet federale përdoren për të ndihmuar emigrantët.
Ironikisht, më të shqetësuarit nuk janë vetëm liberalët. Disa nga përkrahësit më të zëshëm të Trump, përfshirë figura si Hodgetwins, The Patriot Voice dhe Nick Fuentes kanë shprehur hapur pakënaqësinë, duke e quajtur këtë hap një “tradhti”. Ish-kongresmeni Justin Amash ka paralajmëruar për ngritjen e një “shteti mbikëqyrës”, ndërsa shumë konservatorë me prirje libertariane ndihen të zhgënjyer.
Aktualisht, projekti është ende në fazën e ndërtimit të bazës së të dhënave, por për shumë qytetarë amerikanë, kjo është vetëm hyrja në një epokë të re kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Alarmet janë ndezur dhe debati është më i gjallë se kurrë.