Prokurimi publik, me zhvillime të reja për transparencë më të madhe

17 dhjetor 2018 | 13:53

Risi të shumta janë prezantuar në fushën e prokurimit publik në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të procedurave të aplikimit, rritjes së transparencës, dhe lehtësimit të qasjes në të dhënat publike. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë të titulluar “Prokurimi Publik në Zhvillim të Vazhdueshëm”.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se bizneset jo rrallëherë kanë shprehur shqetësimet e tyre përkitazi me aktivitetet e prokurimit publik, duke vlerësuar si pozitive zhvillimet e reja të cilat janë mundësuar falë gatishmërisë së institucioneve përkatëse por edhe mbështetjes konkrete të programeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Stephen Carpenter, udhëheqës i ekipit, Aktiviteti i USAID-it për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë, ka thënë se publikimi i plotë i kontratave të tenderëve në sistemet elektronike për opinionin e gjerë rezulton në transparencë më të madhe, ndërsa zhvillimi i sistemi të prokurimit elektronik që përfshin të gjitha procedurat nga shpallja e ofertave deri të përzgjedhja e operatorëve ekonomik zvogëlon kontaktin fizik ndërmjet operatorëve dhe autoriteteve kontraktuese.

Ai ka vlerësuar si inkurajues gatishmërinë e komunave për bashkëpunim në këtë drejtim, ndërsa duke folur për transparencën në rritje, ai foli edhe për ndihmën që i është dhënë Organit të Shqyrtimit të Prokurimit, që do të mundësojë transmetimin përmes internetit të seancave dëgjimore të këtij organi.

Sami Uka, anëtar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ka thënë se ky institucion ka punuar ngushtë me aktivitetin e USAID në mënyrë që të zhvillojë më tej sistemin e prokurimit publik, njëkohësisht duke mundësuar rritjen e normave të transparencës përmes publikimit të të dhënave të procesit të prokurimit.

Ai njëkohësisht ka theksuar se KRPP-ja do të vazhdojë zhvillimet për t’i kontribuar një mjedisi më të mire të prokurimit publik në vend.

Ndërsa Blerim Dina, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, përmendi mes të tjerash zhvillimin e fundit të bërë nga ky institucion i cili mundëson transmetimin e drejtpërdrejt të seancave të prokurimit duke thënë se përmes kësaj synohet rritja e transparencës dhe qasja më e afërt me operatorët ekonomik.

Ai ka thënë se OSHP-ja po ashtu është angazhuar në publikimin e vendimeve të lëshuara si dhe në zhvillimin e sistemit elektronik të ankesave, zhvillime këto të cilat janë reflektuar edhe në rritje të numrit të ankesave të raportuara në këtë institucion.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë javës së kaluar, ka ngritur…