Prokurori i Shtetit: Vetëm dy raste me elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit

12 tetor 2025 | 21:20

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm dy prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.

“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu, për veprën penale: ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

“Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në Kllokot – Gjilan, për veprën penale: ‘Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po vazhdon numërimi i votave për kryetar të komunave, nga…