
Prokuroria autorizon policinë të grumbullojë prova për ‘mungesën e trajtimit të mbeturinave’ në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata dhe prova në lidhje me “mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mosgrumbullimit të tyre”, njoftoi organi i akuzës.
“Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se “mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin me prioritet të çështjeve që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik”.
Tash e disa ditë Prishtina po përballet me mbeturina të shumta përreth kontejnerëve nga mosgrumbullimi i tyre.
Kompania “Pastrimi” ka thënë se e ka bojkotuar punën për shkak se komuna i ka borxh 2.7 milionë euro. Ndërsa Komuna e ka akuzuar menaxhmentin për situatën e krijuar.