Prokurorja e quan të pabazë kërkesën e mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit për incizimet e dëshmitarëve

24 mars 2021 | 15:05

Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar një urdhër për Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të nxjerrë të gjitha regjistrimet video dhe audio për të gjitha intervistat e dëshmitarëve dhe të të akuzuarve.

Avokatët kanë kërkuar po ashtu që të gjitha regjistrimet audio dhe video që ndërlidhen me dëshmitarët dhe të akuzuarit të mund të nxirren brenda katër javëve.

Por, prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Clare Melany Laëson, ka thënë se një kërkesë e tillë është e pabazuar.

“Është një kërkesë që është bërë pa e ditur bazën ligjore, pra është e pabazuar. Sa i përket nëse ka apo jo incizime audiovizive për të gjitha intervistat e të gjithë dëshmitarëve them se nuk ka. Ka incizime audiovizive për pjesën më të madhe të intervistave që i ka bërë Prokuroria dhe kur janë bërë transkriptimet ato janë nxjerrë nga incizimet audio-vizive”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se vendimi në të cilin po mbështetet mbrojtja e Hashim Thaçit për ta bërë një kërkesë të tillë është ndryshe nga rasti i tanishëm, duke shtuar se mbrojtja ka në dispozicion transkriptimet e fjalëpërfjalshme në dy gjuhët(shqipe dhe angleze).

“Në përgjigjen e vet mbrojtja e Thaçit përpiqet që të mbështetet në një vendim të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të vitit 2010 që në fakt nuk është referimi i duhur për disa arsye. E para se është një vendim që është kundërshtuar nga jurisprudenca e mëpasshme dhe më e rëndësishmja është që vendimi në çështjen Katanga kishte të bënte me nxjerrjen e video incizimeve audio vetëm atëherë kur ishte nxjerrë një deklaratë e nënshkruar e dëshmitarit dhe jo transkripti fjalë për fjalë. Në rastin në fjalë ne e kemi rastin shumë më ndryshe, sepse ne i kemi vënë në dispozicion mbrojtjes transkriptimet në gjuhën shqipe dhe angleze që reflektojnë fjalët e thëna në intervistë”, ka thënë ajo.

Avokati i ish-kreut të UÇK-së Hashim Thaçi, David Hooper, ka ngritur dilemën se përkthimet nga gjuha shqipe në gjuhën angleze nga transkriptat e deklarimeve të dëshmitarëve mund të mos jene të sakta.

“Është më se e logjikshme që nëse nuk kemi incizim dëgjimor në dispozicion ose më saktë Prokuroria ka materiale të tilla audio-vizive duhet t’ia japë edhe mbrojtjes. Dua që të kontrolloj gjërat që janë të rëndësishme. I kuptoj vështirësitë, por nëse do të na jepej mundësia që të kontrollojmë një intervistë shumë të gjatë dhe ta kemi dhe audion, atëherë në fillim e dëgjon audion dhe ndërkohë e lexon intervistën se përndryshe çfarë kuptimi ka që Prokuroria mban materialet audio – që ta kontrollojë saktësinë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare…