
Promovohet “Vajza e Diellit” e autores së re Erblina Luma
Letërsia shqipe u pasurua me një zë të ri, të brishtë e njëkohësisht të guximshëm. Erblina Luma ka promovuar sot librin “Vajza e Diellit”, e cila përmbledh 78 poezi, të ndara në dy pjesë me nga pesë kapituj secila, ku shpalosen tema që prekin thelbin e ekzistencës lindjen, vdekjen dhe ringjalljen. Në promovimin e librit të saj, autorja Luma theksoi ngjyrimin personal dhe simbolikën e veçantë të veprës. ‘Vajza e Diellit’ për mua ka një rendësi të veçantë. Është një libër me shumë shenja autobiografike. Libri hapet me një thënie që definon mënyrën si unë e shoh jetën dhe rrugëtimin tim. Pas thënies vjen një poezi ode për një vegim. Libri ka dy ndarje me dhjetë kapituj, pesë prej tyre janë më ndër-personal… Mendoj që kudo që ndodhet arti na frymëzon të gjithëve, nëse diçka keni të merrni prej këtij libri, do të frymëzoheni për diçka”, tha Luma.
Një emocion të veçantë ndau edhe babai i saj, Muzafer Luma, i cili falënderoi të pranishmit për mbështetjen.
“Ju falënderoj nga zemra për kohën që keni ndarë, për mundin që keni marrë për te qenë pjesë e kësaj ngjarje të veçantë për familjen tonë, por edhe, por edhe më gjerë, sepse çdo vepër arti, çdo talent, kontributi në letërsi është vlerë dhe pasuri për një shoqëri”, tha Luma.
Recensenti i librit Hashim Baftijari e cilësoi veprën e autores Erblina Luma si një nisje të fuqishme poetike.
“Ajo që më pëlqen tek Erblina për atë që e thotë me plot gojë dhe kjo është shumë mirë për ju, ka një siguri, standard, qartësi ne ligjërimin poetik. Vëllimi poetik “Vajza e Diellit” është një vepër poetike e fuqishme. Autorja i ka hyrë kësaj aventure shpirtërore, me vetëdije dhe me plot guxim. Është më shumë se një përmbledhje që kalon në lindje si një feniks deri te pajtimi me amshimin dhe përjetësinë. Poezitë e Lumës lidhin procesin e vdekjes dhe lindjes”, tha Baftijari.
Një fjalë rasti në përurimin e këtij libri mbajti edhe zëvendësdrejtori i gjimnazit “Xhevdet Doda”, Bardhyl Kabashaj, i cili u shpreh krenar për arritjen e nxënëses së kësaj shkolle në kryeqytet.
“Nxënësit, të cilët na përfaqësojnë me rezultate dhe vlera të shtuara në raport me punën dhe angazhimin në karrierë, na bënë të ndihemi krenarë”, tha ai.
Përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Dija”, Kujtim Lepaja, tha se ndihen krenarë që kanë mundësinë t’ua sjellin lexuesve në dorë një libër të autores së re në fushë e letërsisë.
“Padyshim, ky libër është një udhëtim i bukur. Ne si shtëpi botuese që nga viti 1990 kemi pasur qëllim botimin e klasikëve dhe rilindësve, mirëpo tash u kemi hapur hapësirë talentëve tjerë që duan t’iu dëgjohet zëri përmes të të shkruarit. Një vajzë që përjeton bukurinë dhimbjen dhe misterin e jetës. Si botues ndihemi krenarë që kemi mundësinë të sjellin në duart e lexuesve këtë botim”, tha Lepaja.
Libri “Vajza e Diellit” është edhe një pasqyrë shpirtërore që fton lexuesin të ecë ndërmjet dhimbjes dhe shpresës, duke e parë jetën si një udhëtim drejt dritës.