PROPOZIMI FRANKO – GJERMAN 2.0 ËSHTË SI KOSOVA 2.0

09 dhjetor 2022 | 14:19

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Oportunizmi, si refleks për të ruajtur pushtetin: I ndjeri Ramush Tahiri të cilin askush nuk e përmend më ndonëse ishte njohës i jashtëzakonshëm i historisë shqiptare, që e mbronte pa asnjë mëdyshje identitetin shqiptar përballë një identiteti që ishte legalizuar në Kuvendin e Përgjithshëm të mohuesve të kombit në Gjylekare e që u emërtua si “komb” kosovar sikur që ishte njohës i mirë i politikës, sidomos kësaj në Ballkan, e ka pasur vetëm një të “metë” të vogël, kishte problem t’i prente gjërat e që terminologjinë politike njihet si oportunizëm, e kishte mendimin e qartë por se nuk donte të konfrontohej me të tjerët në mbrojtje të mendimit edhe në rast se kishte të drejtë 100%. Në disa shkrime të mëhershme e pata shpallur si kampion të oportunizmit. Ramushi më mungon edhe sot sepse kishte nivel të diskutimit krahasuar me nivelin e sotëm ku, një pjesë jo e vogël e kanë nivelin e baushtellës. Pastaj, doli në skenë një politikan shqiptar e jo kosovar, me të kaluar të ndritshme, me një kontribut të madh politik dhe kombëtar, me emër dhe mbiemër të njohur të cilit ia shtoi edhe një mbiemër tjetër që u shndërrua në oportunist monumental duke e lënë Ramushin krejtësisht në hije. Tash, Ramush Tahiri doli të jetë mikrooportunist krahasuar me protagonistin e ri të oportunizmit. Nëse prej Ramush Tahirit nuk është pritur të marrë vendime të mëdha sepse nuk ishte vendimmarrës në politikë sikur që nuk kishte as një post të vetëm me peshë specifike vendimmarrëse, madje edhe e lanë të papunë duke i premtuar poste e poste, deri të qenit edhe kryetar i Burkina Fasos, prej elefantoportunistit ishin pritje të mëdha, sidomos nëse mbështetemi në të kaluarën e tij patriotike dhe politike që ishte e pastër si kristali. Me ardhjen e gjeneratave të reja të cilat kapitalin politikë e kishin të trashëguar nga paraardhësit, oportunizmi u mbështoll me një mbështjellës që shkon me kohën, që përkohësisht mbulon lakuriqësinë e mendimit dhe të veprimit e që, edhe në rast kur fryejnë erërat edhe më të buta, këtë lakuriqësi e shndërrojnë në pornografi politike, njerëzore, kombëtare dhe morale që përdoret si kusht për të ardhur në pushtet dhe për ta ruajtur pushtetin me të gjitha mjetet që (s) i lejon imoraliteti njerëzor. Nëse e bëni një skanim, qoftë edhe sipërfaqësor sepse nuk ka nevojë për një më të thellë, lehtësisht e shihni se në qeverinë Kurti 2 ka të tillë që nuk kanë asnjë të kaluar kombëtare, që nga koha e dinastisë së Nemanjiqëve e deri më sot, se ka urrejtës patologjikë ndaj luftës së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se janë urrejtës të papërmbajtur të ish-të burgosurve politikë shqiptarë dhe se këtë urrejtje e kanë si vazhdimësi të perit gjenetik që e kanë trashiguar nga parardhësitë e tyre që qençe i kanë shërbyer Titos, Jugosllavisë dhe Serbisë. Në asnjë qeveri të mëparshme, që nga koha e Rrahman Morinës  nuk mund të gjeni urrejtës më të mëdhenj të Jetës dhe Veprës, Kuptimit dhe Përmbajtjes së Luftës për Liri, Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, të Amshueshmit, Bacë Adem Demaçi.

Propozime dhe propozime: Opinioni në Kosovë, qe një kohë të gjatë po dhunohet me disa propozime që nuk janë për njohje të Kosovës nga Serbia por për normalizim të marëdhënieve të paketuara herë si modeli i dy gjermanive, propozimi i Ishingerit në emër të Trojkës me në qendër rusin Harçenko, propozimi franko – gjerman i cili përditësohet varësisht si reagon Aleksandar Vuçiqi dhe, së fundi doli një propozim franko – gjerman 2.0, propozim biseksual politik që shitet dhe blehet ashtu si duan propozuesit dhe, nëse do të jetë i përshtatshëm për Serbinë, përfundimisht do të noterizohet nga Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Kurti asnjë propozimi nuk i ka gjetur vërejtje për ta refuzuar duke ofruar një qëndrim oportunist dhe pa parime, është bazë e mirë për marrëveshje përfundimtare. Deri  vonë, presidentja Vojsa Osmani nuk ka pranuar se ekziston një propozim i tillë ndërsa, kur dolën duqat nga pampersat e Borrellit, i njohur si Rrahman Morina i Katalonisë dhe Mirosllav Llajçak, i njohur si pobratim i Vuçiqit, po kjo presidente thotë se Kosova duhet të bëjë kompromise! Çfarë, nuk e thotë por se vetëm mund të paramendohen. Glauk bin Sherifi, kryetar i Mexhlisit të Kosovastanit, për të gjitha propozimet ka thënë se janë shumë të mira dhe vetëm një gisht mungon që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, madje, këtë e paska pranuar Serbia por se këtë do ta bëjë publike pas njërit nga dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Kjo ma kujton vajtimin e një plake rome që i kishin vrarë djalin diku para 50 vjetëve në Podujevë, ditën e shtunë që ishte edhe ditë tregu gjatë varrimit: “O azgani i nanes Xhivri, t’kishte shku plumi nji gisht mi ballë, nana do të kishte sot të gjallë he kuku për mu e për Mihrinë që nuk e di qish ka me i rritë fminë…”. Pra, gishti i nanes Xhivri po përsëritet në gishtin e Glauk bin Sherifit me një dallim se Nëna Xhivri e kishte vuajtjen e shpirtit e Glauku e ka vuajtjen e pushtetit! Ajo me i ruajtë mendtë e kokës kurse Glauku me e ruajt karriken e b…s. Për koincidencë , vitin e kaluar kur shkova në Besianë në një kovaçhane për t’i rregulluar do vegla të punës për kopsht dhe oborr, e takova mjeshtrin që përngjante, si të ishte printuar nga fotokopja gjyshit të vrarë dhe babait që i njihja dhe e pyeta: “a je djali i Filanit dhe a e ke pasur  gjyshe Xhivrinë dhe nënë Mihrinë…? Ma pohoi me habi se si i njihja. Mjetet e punës i kishte të njëjta që i kishin pasur babai dhe gjyshi me të cilat kishin mbajtur familjet. Më shkoi mendja te çifutët që janë përpunues të diamanteve në Holandë dhe që mjetet e punës si dhe tekniken e përpunimit i kanë të pandryshuara me qindra vjet. Glauk bin Sherifi foli fjalë edhe më të mira për propozimin e përditësuar me vulën franko – gjermane, me një shtojcë 2.0 sikur që është edhe Kosova 2.0, platformë me përmasa brilante për të drejtat e komunitetit LGBT.

Deri më sot nuk më ka rënë të lexoj apo dëgjoj se dikush nga pushteti ta ketë kundërshtuar cilindo propozim franko – gjerman kurse, me entuziazëm, duket po e presin ta nënshkruajnë marrëveshjen sipas propozimit franko – gjerman 2.0. Kënaqësia do të ishte edhe më e madhe që kjo marrëveshje të nënshkruhet ditën kur do të votohet Kodi Civil me Kosovën 2.0 në qendër, në vend të njohjes reciproke. Për ndërkombëtarët do të ishte lajm fantastik. Si në Romën e vjetër; kur të gëzohen udhëheqësit, pse mos të gëzohet populli! Memli bin Milazimi, në emër të xhematit që e udhëheq ka dalë me pesë ajete negociuese si kusht për arritje të një marrëveshjeje. Nëse i përmbahet deri në fund, nuk do të kundërshtohet nga askush, do të admirohet, nëse kapet pas 2.0 duke e përkrahur edhe ai do të përfundoi në marrëveshje me Kosovën 2.0 në qendër! Lumi i Xhikes nuk po dëgjohet, në emër të tij po fletë Vojsa Osmani, disi janë ofruar shumë, jo në publik por; “nën hije limoni o me portokalle…”. Pse nuk e bëjnë publik këtë propozim që qenka aq i mirë për Glauk bin Sherifin dhe Albin bin Zaimin dhe e dërgojnë në Bruksel një mashtrues të padijshëm, pa asnjë të kalur kombëtare dhe politike, që nga dyndja e madhe në me krye Arsenie Çernojeviqin e që, paturpësisht (çka paraqet turpi për te) deklaron se e di përmbajtjen e propozimit por nuk guxoj të flasë nga Borrelli dhe Lajçaku duke e kontrabanduar si ruajtje të konfidencialitetit për të mos dëmtuar bisedimet!! Pse na dëmtonë neve dhe ata që kanë lënë asht e rashtë për këtë vend, nuk paraqet problem. A e kemi merituar që, symbyllazi të na fusin në Varkën e Noas, me një drejtues injorant dhe shpirtkeq e të na shetisin andej – këndej për t’u ankoruar, pas njërit nga dhjetëvjetëshit e ardhshëm në ndonjë port të Serbisë, si federatë apo konfederatë, aspak nuk ka rëndësi!

Kur shpresa vdesë e parafundit: Në veri të Kosovës situata po vlonë nga pordhët e Petkoviqit dhe fendët e Vuçiqit. Po flitet për 1000 policë serbë, me numër identifikues Rezoluta 1244 do t’i mësyjnë Kosovës. Gjallë Xhela, serbët nuk do të shkelin në Mitrovicën e Jugut. Në Mitrovicen e Veriut le të bëjnë çka të duan, edhe ashtu po e bëjnë. Rada Trajkoviqi , mprehësja e lapsit të Nenad Rashiqit urgjentisht po kërkon që policët serbë të kthehen në vendet e punës sepse nuk paska siguri për serbët e Veriut. Kjo Radmilla, ish-kojshikja ime në Podujevë, ose nuk e di ose nuk do ta thotë se policët serbë janë shumë të angazhuar në Veri duke hedhur bomba, duke i vënë flakën veturave, shtëpive  dhe duke gjuajtur me armë të gjata policët shqiptarë, kolegë të deridjeshëm. Kjo Rada po pëson transformim të shpejtë; nga “serbja e Albinit” po bo i kthehet origjinës duke u bërë serbe e Vuçiqit… Rada duhet ta ketë të qartë se nuk bëhen dy punë në të njëjtën kohë, edhe me qenë policë të Kosovës, edhe policë të Serbisë, edhe me gjuajtur bomba, edhe me i ndjekë boshkobuhët (hedhësit e bombave). Rado, llepa Rado…!

Do të më kishte kapur paniku patjetër për gjendjen në veri po të mos e shihja patriotin e madh dhe të dëshmuar për bashkim kombëtar me Adem Hodzen, të madhërishmin Alim Rama, me flamurin kombëtar të Kosovapetrolit i shoqëruar nga komandantët e shquar të UÇK-së së Kragujevcit dhe Svetozareves, Teneqe Rati, Mad Mali, Kushtqiu Abazoviqi dhe shumë trima të tjerë që ison ua mbanin Shkurte Pal Vata nga Gërnçari i Leskovcit si dhe Humbëse Macolla nga Brusi i Prokupes. Prandaj, jam i sigurt se ende nuk kemi ardhë në situatë të kemi frikë se shpresa vdesë e fundit, në rastin tonë vlenë se shpresa vdesë e parafundit, po marrim frymë më lirisht. I kam dy djemë që Bacën Adem e thërrisnin gjeneral (vërtetë e konsideronin si gjeneral të shpirtit, mendjes, sakrificës dhe patriotizmit) kurse Baca i thirrte ushtarë të tij e që, me eskalimin e situatës po kërkojnë të mobilizohen për të shkuar në veri. Iu vura vetëm një kusht për t’iu dhënë bekimin; Vetëm nëse rreshtohen pas patriotëve të mëdhenj të dëshmuar për patriotizëm, sakrificë dhe vetëflijim; Hekuran Muratit, Dimal Bashës, Haki Abazit dhe shokëve të tyre. Këta do të ishin frymëzim ushtarakë për rekrutët e rinj kurse, si komisar politik e kishin kusht t’i nënshtrohen vetëm autoritetit të Besnik Bislimit, askujt tjetër. Thashë, mos përmendni kurrsesi Adem Demaçin, Adem Jasharin, Rexhep Malën, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Agim Ramadanin dhe të tjerët se na q…nëna. M’u përgjigjen se asgjë nuk paska mbetur nga patriotizmi im dhe qëndresa në burg, për të cilën i kam gënjyer se ka qenë heroike dhe se, në fakt as unë e as Baca Adem nuk kemi qenë në burg por në një hotel në Detin Adriatik, në Kroaci . Po ta pranojnë këtë arsyetim timin, do të pranohen pa asnjë problem në Brigadën e Veriut nën udhëheqje të Veteranit të Vërtetë, Hekuaran Murat, nuk do t’iu hynte as edhe një therrë në këmbë dhe, pas nënshkrimit të marrëveshje me Kosova 2.0 në qendër do të kishin një të ardhme të ndritshme. Sikur të gjithë bijtë dhe bijat e spijve që i gëzojnë sot të gjitha privilegjet në regjimin aktual! Vdekje patriotëve dhe luftëtarëve, lavdi të poshtërve dhe tradhtarëve!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen…