Protagonizmi i Thaçit dhe Haradinajt në dialog po e dëmton Kosovën

26 qershor 16:10

Anëtari i Delegacionit Shtetëror i Kosovës për Bisedime me Serbinë, Visar Ymeri, ka bërë me dije se ky delegacion nuk ka qenë fare i përfshirë as në takimin e Berlinit dhe as në përgatitjet e takimit të Parisit, i cili ka dështuar të mbahet.

Ai ka kritikuar për protagonizëm presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) ka thënë se kjo qasje e ka dëmtuar Kosovën dhe duhet të ndalet.

“Ndërsymja protagoniste ka qenë tejet e dëmshme në secilën nevojë e secilin aktivitet të politikës së jashtme të Kosovës. Këtë protagonizëm e personalizim të politikës e kemi parë të shquhet shumë nga presidenti Thaçi (UNESCO, takimet me Vuçiqin e idetë që dilnin nga këto). Në ndërkohë, edhe nga kreu i Qeverisë, Haradinaj. Kjo qasje e ka dëmtuar Kosovën. Prandaj edhe nuk duhet vazhduar”, ka thënë Ymeri. Ai ka bërë me dije se dialogu dhe marrëveshja me Serbinë janë çështje tejet të ndjeshme dhe të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, këto çështje nuk duhet të diskutohen në takime të fshehta. “Takimet e mëhershme të presidentit Thaçi, për të cilat dëgjonim vetëm në formën e ideve të diskutuara dhe këto tashmë të përfaqësuesve të kryeministrit, nuk janë të pranueshme, të dobishme dhe të shëndosha. Përfaqësimi politik, e veçanërisht ai institucional në Kosovë, duhet ta kuptojë demokracinë jo si fjalë boshe dhe as vetëm si procedurë, por si sistem kompleks dhe legjitim i vendimmarrjes”, është shprehur ai, duke shtuar se takimet larg syve të publikut janë e kundërta e demokracisë dhe nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm.

Deputeti i PSD-së ka folur edhe për mocionin e opozitës ndaj qeverisë. “Mendoj se po rriten gjasat për suksesin e një mocioni të tillë. Për ne është tejet e rëndësishme jo vetëm si arrijmë deri te mocioni, por çfarë ndodh pas tij (pas zgjedhjeve)!? A do të ketë ndryshim pas zgjedhjeve? Apo vetëm përsëritje të së njëjtës mendësi e cilësi të politikëbërjes dhe vendimmarrjes”, ka deklaruar ai.

“Epoka e re”: Z. Ymeri, mbajtja e takimit të Parisit, i cili shihej si një rast i mirë për zhbllokimin e dialogut Kosovë – Serbi, dështoi. Si anëtar i ekipit negociator, a keni ndonjë informatë pse dështoi ky takim?
Ymeri: Delegacioni shtetëror nuk ka qenë fare i përfshirë as në takimin e Berlinit e as në përgatitjet e atij të Parisit. Nuk duhet harruar se si Rezoluta, ashtu edhe ligji që e themelojnë dhe e rregullojnë punën e kompetencat e dialogut, kanë paraparë një dialog tjetër fare. Për dallim nga dialogu i zhvilluar në Bruksel nga viti 2011, kjo fazë e dialogut e drejtuar nga delegacioni shtetëror ka pasur qëllim dhe strategji të qartë: dialog për njohje (e jo dialog pa krye), dialog me parime dhe jo i hapur ndaj çdo gjëje. Për dallim prej dialogut të drejtuar nga presidenti Thaçi, dialogu i udhëhequr nga delegacioni shtetëror ka qenë i udhëhequr nga parimi i transparencës dhe legjitimitetit demokratik dhe koncensual, si dhe në kuadër të parimeve bazë kushtetuese të Republikës së Kosovës: të sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe barazisë së qytetarëve. Ndërsymja protagoniste ka qenë tejet e dëmshme në secilën nevojë e secilin aktivitet të politikës së jashtme të Kosovës. Këtë protagonizëm e personalizim të politikës e kemi parë të shquhet shumë nga presidenti Thaçi (UNESCO, takimet me Vuçiqin e idetë që dilnin nga këto). Në ndërkohë, edhe nga kreu i qeverisë, Haradinaj. Kjo qasje e ka dëmtuar Kosovën. Prandaj nuk duhet vazhduar.

“Epoka e re”: Para disa ditësh, pa ndonjë paralajmërim, në Berlin janë takuar disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë. Keni pasur ftesë si ekipi negociator për këtë takim dhe a jeni informuar se çfarë është diskutuar në këtë takim?
Ymeri: Dialogu me Serbinë, marrëveshja me të (për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen), përmbajtja e saj, janë çështje tejet të ndjeshme dhe të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës, Si të tilla, këto duhet të jenë rezultat i diskutimit të hapur të brendshëm politik dhe shoqëror. Aspak e asnjëherë tema të takimeve të fshehta. Takimet e mëhershme të presidentit Thaçi, për të cilat dëgjonim vetëm në formën e ideve të diskutuara dhe këto tashmë të përfaqësuesve të kryeministrit, nuk janë të pranueshme, të dobishme dhe të shëndosha. Përfaqësimi politik, e veçanërisht ai institucional në Kosovë, duhet ta kuptojë demokracinë jo si fjalë boshe dhe as vetëm si procedurë, por si sistem kompleks dhe legjitim i vendimmarrjes. Debati i hapur e veprimi, sipas tij, është thelbi i një vendimmarrje demokratike. Takimet e pajtimet larg syve të publikut janë e kundërta e demokracisë dhe nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm.

“Epoka e re”: Ndonëse partnerët ndërkombëtarë të Kosovës vazhdojnë të insistojnë që marrëveshja historike në mes të dy shteteve të arrihet këtë vit, zhbllokimi i këtij procesi duket larg. Si e shihni vazhdimin e këtij procesi?
Ymeri: Gjëja më e rëndësishme është t’i bashkojmë përfaqësuesit politikë e shoqërorë në Kosovë në mënyrë që ta kemi një qëndrim të qartë për synimet e kërkesat tona në dialog si dhe qëllimin që duam ta arrijmë. Kemi humbur shumë kohë në këtë drejtim. Platforma shtetërore e miratuar në Kuvendin e Republikës e bën pikërisht këtë. Do të duhej që të arrijmë qëndrim konsensual rreth saj. Vetëm atëherë do ta kemi më të lehtë në dialog e do të jemi më të suksesshëm në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Bllokimi i procesit të dialogut ka ardhur si rezultat i kushteve nga Serbia. Uniteti ynë i brendshëm na bënë më cilësorë dhe më të fortë në kërkesat tona jashtë.

“Epoka e re”: Tashmë opozita i ka mbledhur të gjitha nënshkrimet për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Sa janë gjasat që përmes këtij mocioni të rrëzohet qeveria?
Ymeri: Partia Socialdemokrate ka qenë e para që i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve të vet për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Që prej atëherë ne kemi qenë në përkrahje për një mocion të tillë, gjithnjë të vetëdijshëm se në Kuvend atëbotë, si edhe sot, nuk i kemi 61 deputetët e nevojshëm për votimin e mocionit. Mendoj se po rriten gjasat për suksesin e një mocioni të tillë. Për ne është tejet e rëndësishme jo vetëm si arrijmë deri te mocioni, por çfarë ndodh pas tij (pas zgjedhjeve)!? A do të ketë ndryshim pas zgjedhjeve? Apo vetëm përsëritje të së njëjtës mendësi e cilësi të politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Ju kujtohet se VLAN-i rezultoi me kalimin e LDK-së në anën e PDK-së, për pushtetin vetëm si pushtet. Njëlloj me VAN-in, kur AAK doli në anën e PDK-së. Që të dy këto qeveri jo vetëm e mbajtën PDK-në në pushtet, por edhe e vazhduan në mënyra dhe me ritëm të ndryshëm, qeverisjen neoliberale, konservatore dhe të korruptuar. Dy çështje janë pothuajse sot të domosdoshme që të ndryshojë pozitivisht gjendja aktuale në Kosovë. E para është që PDK-ja të shkojë në opozitë. E dyta që qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës të ketë politika sociale e zhvillimore dhe kapacitete demokratike, si dhe të jetë e pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përndryshe, nuk do të kemi kurrfarë ndryshimi në raport me shtetin e kapur, procesin e domosdoshëm të vetingut në sektorin e sundimit të ligjit, në orientimin e kapaciteteve ekonomike në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore si dhe në demokratizimin e vendit.

“Epoka e re”: Shumë analistë thonë se në vjeshtë mund t’i organizohen zgjedhjet e reja. A ka menduar PSD-ja për ndonjë koalicion parazgjedhor apo do të garojë e vetme?
Ymeri: Jemi të gatshëm për zgjedhje. Fuqia e PSD-së në terren po rritet vazhdimisht krahas shtimit e konsolidimit të strukturave tona nëpër vendbanimet e Kosovës. Performanca e grupit tonë parlamentar është e shkëlqyer dhe e ka përcaktuar një tjetër mënyrë të politikëbërjes në Kosovë duke u përqendruar te interesat e qytetarëve dhe të shtetit përtej kacafytjeve e inateve personale dhe klanore. Ne jemi të vendosur që Republikës së Kosovës i duhet një ndryshim cilësor politik e institucional që ua kthen institucioneve integritetin, shton kapacitetet ekonomisë, rrit mirëqenien e qytetarëve, mbron të drejtat e punëtorëve, përbashkon përmes barazisë qytetarët dhe ia kthen sovranitetin popullit. Në këtë drejtim shkojnë bashkëpunimet tona politike dhe elektorale. Kjo është e mundshme. Kosovës i duhen institucione nga të cilat është ç’rrënjosur mendësia e deritashme politike që publiken e kanë parë si pronë e paprivatizuar dhe për privatizim. Prandaj konsiderojmë se ky është moment tejet i rëndësishëm dhe tejet i mundshëm për ta bërë një ndryshim të tillë. Kosova ka nevojë për ç’rrënjosje të kriminalitetit dhe korrupsionit në strukturat e pushtetit, siç edhe ka nevojë për më shumë punësim dhe barazi sociale. Për shtet ligjor dhe shtet të së drejtës. Këtë e bën një qeverisje sociale dhe demokratike. Për këtë edhe angazhohemi e do të angazhohemi me partitë që e duan një ndryshim të tillë dhe të cilat kanë kredibilitetin për një gjë të tillë.

Muhamet KOCI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri i Kosovës, Patriot Behrami nuk ka arritur të kalojë…