Protesta e mërgimtarëve në Hagë – LIRI PËR ÇLIRIMTARËT – një thirrje e ndërgjegjes kombëtare

14 shtator 2025 | 19:51

Shkruan: Hisen Berisha

Protesta e mërgimtarëve shqiptarë para Dhomave të Specializuara në Hagë nuk është një tubim i zakonshëm.
Ajo është zëri i dhembjes, i solidaritetit dhe i revoltës së një populli që nuk pranon të shohë heronjtë e tij të luftës së drejtë për liri të trajtohen si kriminelë.
Është kujtesë për Perëndimin se drejtësia e njëanshme nuk është drejtësi, dhe se përpjekja për të kriminalizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është përpjekje për të zhbërë vetë legjitimitetin e shtetit të Kosovës.
Deklarata e Ambasadorit Berns se “NATO nuk bashkëpunon me organizata terroriste” ishte përgjigja fundamentale ndaj të gjitha pretendimeve për të penalizuar lutën e drejtë e të pastër të popullit të Kosovës dhe UCK.

Mërgimtarët, të cilët dikur mbajtën gjallë Kosovën me sakrifica të mëdha, sot po e mbajnë gjallë kujtesën për ata që i dolën zot atdheut në momentet më të vështira.
Ata nuk protestojnë kundër drejtësisë – për një drejtësi të barabartë – por kundër selektivitetit të saj.
Sepse nuk ka drejtësi kur në njërën anë gjykohen çlirimtarët, ndërsa kriminelët e Serbisë që kryen gjenocid në Kosovë shëtisin të lirë – udhëheqin me Serbin.

Kjo protestë duhet të kuptohet si një alarm për klasën politike në Prishtinë. Neutraliteti që kanë mbajtur organet qeverisëse dhe drejtuese në Kosovë, në dështimin për të garantuar ndaj shteteve ofertuese për mundësinë që të “mbrohen në liri në një shtetet të tretë”, mohimi i mbështetjes financiare – detyrim ligjor- për mbrojtjen e të akuzuarve është e papranueshme dhe do ta gjykoj populli dhe historia.
Kosova nuk mund të heshtë kur vlerat e saj më sublime vihen në pikëpyetje.
Heshtja është tradhti.
Është detyrë e çdo institucioni të vendit që të mos lejojë deformimin e historisë sonë të re, dhe që t’i mbrojë me dinjitet ata që mbrojtën lirinë.

Në Hagë nuk janë individët në bankën e të akuzuarve – aty është vetë historia e luftës çlirimtare. Dhe kjo histori nuk mund të gjykohet, sepse ajo është themeli mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës. Protesta e mërgimtarëve është mesazh i qartë: populli shqiptar nuk harron, nuk dorëzohet dhe nuk lejon që e vërteta të tjetërsohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka histori në derbin e Manchester-it: Manchester City i…