Protesta studentore e 1 tetorit 1997 – fundi i rezistencës paqësore apo fillimi i rezistencës së armatosur

01 tetor 2023 | 10:40

Shkruan: Prof. Dr. Ibrahim Gashi

Lëvizja e institucioneve paralele të arsimit shqip për t’u rikthyer në objektet shkollore të uzurpuara nga autoritetet serbe gjatë viteve 1991-1993 nuk arriti rezultate të ndjeshme. U rikthyen vetëm disa hapësira të ndara në kuadër të disa shkollave për fëmijët shqiptarë dhe atë kryesisht në nivelin arsimit primar.
Përpjekjet e radhës, që më anë të dialogut me autoritetet serbe të arrihej rikthimi në objektet shkollore të nivelit të mesëm dhe universitar, mund të konsiderohen bisedimet që filluan midis autoriteteve shqiptare të Kosovës të përfaqësuara nga Ibrahim Rugova dhe atyre të Serbisë të kryesuara nga Sllobodan Millosheviqi më ndërmjetësimin e Komitetit San Egidio, të udhëhequra nga Vinçenco Paglia, në shtator të vitit 1996. Marrëveshja e arritur në këto bisedime, e njohur si Memorandumi i mirëkuptimit për normalizimin e arsimit shqip në Kosovë, nuk u implementua.
Një vit më vonë Unioni Studentor i Universitetit të Prishtinës i filloi përgatitjet për një lëvizje masive të protestave studentore me kërkesë rikthimin në objektet universitare. Përkrahësit e diskursit të joviolencës, të afërm më presidentin Rugova dhe LDK-në, e konsideruan këtë lëvizje si mundësi të radikalizimit të rezistencës, ndaj edhe nuk e mbështetën. Protesta, megjithatë, u organizua falë bashkëpunimit të mirë midis Unionit Studentor, Rektoratit të UP-së dhe masës së prindërve të studentëve pjesëmarrës. Protesta nuk shënoi radikalizimin e lëvizjes së rezistencës. Debati i mëvonshëm për këtë lëvizje studentore sillej midis konstatimit se kjo ngjarje shënoi aktin e fundit të lëvizjes joviolente dhe konstatimin tjetër se ky në fakt ishte akti i parë i fillimit të lëvizjes së armatosur në Kosovë. Në vijim të punimit do të sjellim thekse të këtij debati.
Ataku konstitucional i Serbisë ndaj Kosovës në mars të vitit 1989 shkaktoi pasojën më të pariparueshme në marrëdhëniet midis këtyre dy njësive federale. Politika e shtypjes nacionale e regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës mbylli të gjitha mundësitë e një koekzistence midis dy popujve. Në këto rrethana, në fillim të viteve të ‘90-ta, elita intelektuale dhe akademike e Kosovës, në kushtet e fillimit të pluralizmit politik, filluan t’i krijojnë partitë e para politike kryesisht te karakterit nacional, te cilat më pas të bashkërenduara në një Këshill Koordinues, në maj të vitit 1992, organizuan zgjedhjet e para shumë partiake për Parlamentin dhe Presidentin e Kosovës. Natyrisht këtyre veprimeve u parapriu një përcaktim unanim i shqiptarëve të Kosovës për të ndarë rrugëtimin e tyre nga shteti sundues i deritashëm. Me referendumin e vitit të 1991 shqiptarët e Kosovës me unanimitet absolut votuan për Pavarësinë e Kosovës. Ky verdikt dhe shpallja e zgjedhjeve, siç e thamë, një vit më vonë ishin veprimet e para politike, konkrete dhe të pavarura të klasës së re politike kosovare, me çka po fillonte epoka e një jete paralele politike në Kosovë.
Dualizmi institucional u manifestua kryesisht në forcimin institucioneve të arsimit paralel. “Beteja për arsimin ishte betejë në miniaturë për Kosovën”, do të shprehej studiuesja britanike Denisa Kosotovicova . Ndërkaq studiuesi tjetër Howard Clark do të shprehej: “Edukimi po bëhej simbol qendror i shtetësisë së Kosovës”. Me tej Clark do të shtonte: “Në këtë lloj shteti nën hije shqiptarët arritën të krijonin një sistem funksional të arsimit paralel në gjuhën shqipe” .
Pjesa më e rëndësishme dhe më e atakuar e këtij organizimi ishte Universiteti i Prishtinës, i cili gjatë viteve të ‘80-ta ishte njëri nga 3 universitetet më të mëdha të ish Jugosllavisë. Pas ndërhyrjeve policore dhe largimit të studentëve dhe mësimdhënësve shqiptar nga objektet universitare, UP megjithatë arriti të vazhdonte funksionimin e tij si universitet paralel i shpërndarë në 250 shtëpi dhe objekte private . Më këtë veprim pjesa më e iluminuar e kombit arriti të dëshmonte vitalitetin dhe konsistencën e tij. Ky përcaktim i vendosur i shqiptarëve pati impakt shumë përcaktues për të ardhmen politike të vendit.
Përmes segmentit të arsimit paralel, i cili nuk ishte i vetmi, klasa politike kosovare arriti të realizonte edhe disa objektiva të rëndësishme, si: përvoja e fituar në shtetbërje, madje në një terren skajshmërisht të vështirë, në rrethana të ndërhyrjeve të vazhdueshme policore. Një e arritur tjetër e rezistencës paqësore, e realizuar përmes arsimit paralel ishte ndërgjegjësimi i faktorit ndërkombëtar për ekstremin e situatës së rëndë dhe gati shpërthyese që mbretëronte në Kosovë.
Shikuar nga këndvështrimi historik, por mbase edhe politik, kjo periudhë është konsideruar si pikënisja apo faza e parë e procesit të shtetndërtimit në Kosovë. Përmes rezistencës paqësore lëvizja politike kosovare arriti në një stad solid të masivizimit të saj. Partia më e madhe politike, LDK, shihej më tepër si lëvizje dhe më pak si parti. Rreth saj ishin mbledhur edhe nacionalistët edhe komunistët. Bota demokratike e admironte këtë homogjenizim politik të shqiptarëve. Pritjet ishin se me lëvizjen e tyre paqësore shqiptarët do të arrinin disa efekte edhe në planin ndërkombëtar për të parandaluar politiken denacionalizuese dhe anksioniste të Serbisë mbi Kosovën. Mirëpo rrjedha e ngjarjeve nuk e dëshmoi plotësisht një gjë të tillë. Konferenca e Dejtonit i përmbysi këto pritje. Pohimi i zyrtarëve perëndimore se në Dejton do të zgjidhen vetëm problemet e popujve që janë në luftë më njëri-tjetrin, duke aluduar në serbët dhe boshnjakët myslimanë, ndërsa për ata që nuk ishin në luftë nuk mund të bisedohej, duke aluduar në shqiptaret e Kosovës, janë treguesi më i mirë se lëvizja e rezistencës paqësore nuk mund të shihej edhe me tej si alternativë e vetme e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Pas Konferencës së Dejtonit, Serbia, e çliruar nga presioni ndërkombëtar për ndaljen e luftës në Bosnje, zgjodhi rrugën e evitimit të luftës së hapur kundër Kosovës për ta shmangur involvimin e faktorit ndërkombëtar perëndimor. Ajo vazhdoi me politikën e shtypjes dhe të aparthedit kundër shqiptarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë para Perëndimit shprehu “gatishmërinë” për bisedime me palën kosovare për zgjidhjen e problemit të arsimit në gjuhën shqipe.
Në funksion të kësaj politike oportuniste të palës serbe për blerje të kohës dhe shpërqendrim të shqiptarëve nga kërkesa e tyre për pavarësi dhe shkëputje, mund të konsiderohen bisedimet që filluan midis autoriteteve shqiptare të Kosovës, të përfaqësuara nga Ibrahim Rugova, dhe atyre të Serbisë, të kryesuara nga Sllobodan Millosheviqi me ndërmjetësimin e Komitetit San Egidio, të udhëhequra nga Vinçenco Paglia, në shtator të vitit 1996 . Marrëveshja e arritur në këto bisedime, e njohur si Memorandumi i mirëkuptimit për normalizimin e arsimit shqip në Kosovë , nuk u implementua asnjëherë. E parë nga këndvështrimi politik kjo marrëveshje edhe po të implementohej nuk do të sillte asnjë lloj zgjidhjeje; përkundrazi, do ta komplikonte edhe më tej çështjen së ardhmes politike dhe juridike të Kosovës.
Përpjekja e fundit më e organizuar për ta ruajtur diskursin paqësor në lëvizjen politike të shqiptarëve të Kosovës erdhi një vit më vonë. Në fillim të vitit 1997 Unioni i pavarur studentor i Universitetit të Prishtinës i filloi përgatitjet për një lëvizje masive të protestave studentore me kërkesë rikthimin në objektet universitare. Iniciativa gjeti përkrahje të një pjesë e partive politike, te shoqëria civile dhe te mediat kosovare në gjuhën shqipe . Përkrhësit e diskursit të joviolencës, të afërm më presidentin Rugova dhe LDK-në, e konsideruan këtë lëvizje si mundësi të radikalizimit të rezistencës, ndaj dhe nuk e mbështetën . Protesta, megjithatë, u organizua falë bashkëpunimit të mirë midis Unionit studentor, rektoratit të UP-së dhe masës së prindërve të studentëve pjesëmarrës.
Protesta nuk shënoi radikalizimin e menjëhershëm të lëvizjes së rezistencës. Ajo madje nuk arriti te realizonte as kërkesën për rikthim në objektet universitare, por më e rëndësishmja që u arrit ishte se u provua një organizmin brilant i një lëvizjeje të rezistencës paqësore aktive, të paparë deri më tani, duke e dëshmuar gatishmërinë dhe vullnetin e shqiptarëve për të evitur luftën, por pa hequr dorë nga kauza e tyre . Nga ana tjetër ndërhyrja tepër brutale e forcave policore, të pajisura edhe më artileri të rëndë ndaj një lëvizjeje skajshmërisht paqësore dhe me asgjë provokuese, tregoi para faktorit ndërkombëtar se autoritetet e Beogradit nuk ishin të gatshme të njihnin asnjë të drejtë të shqiptarëve të Kosovës, madje as të drejtën për të jetuar në atdheun e tyre.
Gjithçka që ndodhi më 1 tetor 1997 në Prishtinë mund të konsiderohet si suksesi më i madh i lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës. UPSUP, do të shkruajë Howard Clark, solli në praktikë atë që njihet ‘joviolencë aktive’ . Studentët dëshmuan se mbështetja ndërkombëtare nuk ishte vetëm çështje e lobimit, por edhe e mobilizimit të brendshëm për të bindur të tjerët me fuqinë e veprimit”. Kontrasti i madh mes veprimit të qetë por të fuqishëm të studentëve dhe sulmit brutal të policisë nuk mund të mbetej i pavërejtur nga opinion ndërkombëtar. Kjo formë e veprimit strategjik joviolent u cilësua, gjithandej në botën demokratike, si përpjekje e palës së dëmtuar për të parandaluar konfliktin. Kjo, sipas analistëve të kohës, e shtoi simpatinë dhe mbështetjen për studentët dhe për popullin shqiptar të Kosovës. “Ne duam paqe, por nuk mund ta japim lirinë për çmimin e paqes” do të shpreheshin organizatorët e protestës
Atmosfera që la pas protesta studentore e 1 tetorit, linte të kuptohej se vendi do të shkonte drejt luftës. Kur studentët organizuan protestën e radhës më 30 dhjetor 1997, UÇK-ja kishte pasur paraqitjen e saj të parë publike. Aktivizmi i UÇK-së fitoi simpatinë e studentëve shqiptarë që në fillim. Një pjesë e madhe e tyre lanë konviktet dhe bankat e fakultetit dhe iu bashkuan radhëve të ushtarëve të lirisë. Lufta po shihej si alternativa më realiste për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Në një studim të bërë nga gazeta studentore “Bota e re” rreth opinioneve të studentëve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, 8 për qind favorizuan një politikë pacifizmi pasiv, 64.5 për qind përkrahnin pacifizmin aktiv dhe 27.5 për qind kërkonin luftë të armatosur.
Në fund, nga e tëra që u tha më sipër, në formën e një konstatimi përfundimtar do të mund të veçonim:
Shqiptarët e përcaktuan rrugëtimin e tyre politik përballë dhunës dhe okupimit serb me referendumin e vitit 1991 dhe zgjedhjet e pavarura të vitit 1992;
Arsimi mund të konsiderohet segmenti kurrizor i shtetësisë së Kosovës, shtetësi kjo e cila mbetet në shumë aspekte të tjera më tepër fiktive;
Universiteti i Prishtinës mund të cilësohet jo vetëm si truri, por edhe si forca kryesore vepruese e lëvizjes politike kosovare që mundësoi në gjithë etapat e saj sendërtimin e platformës kombëtare për liri dhe shtet;
Protestat studentore të vitit 1997, veçmas ajo e 1 tetorit, paraqesin nivelin më të artikuluar të joviolences aktive në lëvizjen e deritashme politike të shqiptarëve të Kosovës. Shumë studiues e cilësuan atë si zëvendësim të lëvizjes paqësore pasive me një veprim joviolent aktiv;
Efektet e këtij veprimi të vendosur të studentëve ishin të menjëhershme. Me këtë lëvizje studentore u bë mjaftueshëm e qartë se çdo formë e rezistencës paqësore, sado e organizuar në mënyrë përfekte, përballë regjimit okupues serb do të ngelë pa efekte;
Faktori ndërkombëtar që kishte interesim për zhvillimet në Ballkan dhe në Kosovë nga kjo lëvizej studentore e kuptoi seriozitetin e situatës shpërthyese dhe qartësoi poziconet e veta karshi palëve rivale;
Edhe faktori vendor u ndërgjegjësua se lëvizja paqësore e rezistencës nuk mund të prodhonte më asnjë efekt konkret në përbushjen e platformës politike të shqiptarëve të Kosovës ndaj dhe gradualisht pas kësaj lëvizjeje po hapej prespektiva për një strategjie te luftës së armatosur midis palëve;
Krejt në fund, me të drejtë mund të konstatojmë se protestat studentore të vitit 1997 janë hallka e fundit e lëvizjes së rezistencës paqësore, e cila arriti të lidhet, mbase edhe të shndërrohet në hallkën e parë të rezistencës së armatosur të UÇK-së, e cila e vitalizoi, i dha shpirt dhe e sendërtoi platformën e Kosovës për çlirim dhe shtet të pavarur. Pikërisht këtu qëndronte rendësia e kësaj lëvizjeje historike studentore dhe si e tillë do të zërë vend në historinë e re të Kosovës.

(Autori është ish rektor i Universitetit të Prishtinës dhe një nga pedagogët pjesëmarrës në protestën e 1 tetorit 1997)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në orët e para…