Pse bota s’pret?

04 shtator 22:08

Shkruan: Agron HOTI

Demokracia në glob është duke shënuar prapakthim. Bota për fat të keq është duke u bërë më jodemokratike.

Nëse deri me sot bota është dominuar nga demokracitë perëndimore, ky trend pritet të ndryshojë në të ardhmen, sepse pesha ekonomike dhe pse jo politike e vendeve jodemokratike është duke u rritur në glob. Kjo do ta sfidojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla të ndërtuar nga perëndimi. Sipas Freedom House bota në vitin 2005 kishte 52 shtete me demokraci të përkeqësuar dhe 83 sosh me demokraci të përmirësuar, bilanci global ishte pozitiv +31. Kurse, në vitin 2020 numri i demokracive të përkeqësuara ishte 83 kundrejt atyre të përmirësuara 28, pra bilanci negativ prej -45.

Prandaj, projeksionet janë alarmante dhe në disfavor të përmirësimit të demokracisë. Këto trende vërehen më së miri edhe brenda për brenda vetë BE-së, e cila sot përballet me qeverira populiste që veç kanë filluar të rrëshqasin drejt autoritarizmit dhe kanë vështirësuar vendimmarrjen e të gjitha proceseve integrative. As Ballkani nuk është fare më mirë. Shqetësimet e Administratës Biden për përkeqësimet e demokracive në Ballkan si dhe përpjekjet për ta ndalur këtë trend e vërtetojnë më së miri këtë.

Por, prapakthimet apo rëniet e demokracive nuk janë diçka e re, ato kanë ndodhur edhe më herët. Huntingtoni në librin e tij “Vala e Tretë: Demokratizimi në fund të shekullit njëzetë” shpjegon valët e demokratizimeve dhe prapakthimeve në librin e tij; sa herë që bota ka lëvizur me demokraci të reja, pas një kohe, ka ndodhur prapakthimi, pra disa demokraci kanë rënë. Sipas Huntingtonit vala e parë e demokracisë kishte filluar në vitin 1828 deri në vitin 1926 ku kishte sjellë 29 demokraci në glob.

Por, me ardhjen e Musolinit në pushtet në Itali kishte filluar vala e parë e prapakthimit 1922-1942 me ç’rast numri i demokracive në glob kishte rënë në 12. Pas fitores së botës ndaj nazizmit dhe fashizmit nga viti 1943 deri në vitin 1962 në botë qenë ndërtuar 36 demokraci. Vala e dytë e prapakthimit ndodhi prej vitit 1958-1975 ku bota ra në vetëm 30 demokraci. Vala e tretë kishte filluar në vitin 1974 deri në vitin 1989, kurse vala e tretë e prapakthimit të demokracive kishte filluar në vitin 1990.

Këto nivele dramatike rënieje demokracie në shkallë globale janë pikasur si shqetësim serioz edhe në Strategjinë e rishikuar Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së nën Presidentin Biden që alarmon për përballjen aktuale të botës me nacionalizmin në rritje, përkeqësimin e demokracive, rivalitetin në rritje me Kinën, Rusinë dhe shtetet e tjera autoritare si dhe revolucionin teknologjik që po riformëson botën në çdo aspekt jetësor.

E ajo që më së shumti është duke ndikuar në përkeqësimin e demokracive është zhvillimi i hovshëm ekonomik në Amerikë të Mesme e Jugore, Azi dhe Afrikë. Të gjithë mendojnë se ekonomia zhvillohet vetëm në vende demokratike, por faktet e mohojnë këtë. Sipas Rushir Sharma në librin bestseller “Ngritja dhe rënia e kombeve” numri i shteteve të zhvilluara ekonomikisht që janë demokratike është përafërsisht i njëjtë në glob me numrin e shteteve të zhvilluara ekonomikisht, por që janë jodemokratike. Kina, India, Brazili, Rusia, Turqia, Indonezia, Vendet Arabe, etj. janë shembujt më tipikë të vendeve me zhvillime të papara ekonomike, por me deficite të theksuara demokratike. Ndaj, duke qenë të tilla këto shtete të prira nga Kina e Rusia mundohen që ta ndryshojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla të përcaktuara nga perëndimi. E çdo ndryshim i rendit ndërkombëtar aktual do të thotë lëvizje për të keq për Kosovën, për të cilën do të shpjegoj në paragrafët e mëposhtëm.

Para se të dal te Kosova do përmend disa projeksione ekonomike globale të cilat nuk shkojnë fare në favor të së ardhmes së Kosovës. Duhet theksuar se ekonomia globale, deri në vitin 2050 pritet të lëvizë nga demokracitë e zhvilluara në demokraci më pak të zhvilluara. Për fat të keq, shtetet në të cilat gurgullon korrupsioni, krimi i organizuar e mafia (p.sh. Kina, Rusia, India, Brazili, Indonezia, Pakistani, Nigeria, Vendet Arabe, Turqia, etj.) do të kapin majat e  ekonomisë globale deri vitin 2050. Më poshtë janë dhënë disa projeksione aktuale ekonomike: Prodhimi i Brendshëm Bruto global (PBB) në vitin 2020 ishte $84,54 trilionë dhe nga kjo: GDP e BE-së ishte $19.686 trillionë; GDP e SHBA-së ishte $20.93 trilionë; GDP e Kinës ishte $14.72 trilionë. Sipas Industry Week në vitin 2050 GDP e Kinës do të jetë $ 82 trilionë, kurse e SHBA-së $44 trilionë. Pra, e tëra kjo flet për fuqizimin e Kinës si vend jodemokratik por me ndikim në rritje në glob.

Sipas  PricewaterhouseCoopers (PwC), rrjetit të dytë më të madh në botë të shërbimeve profesionale, janë bërë krahasime ekonomike mes vitit 2016 dhe 2050 se ku ishte dhe ku do të jetë ekonomia globale. Vetë lista e shteteve se kah do të lëvizë ekonomia globale deri në vitin 2050 e konfirmon që demokracia në glob jo vetëm që është përkeqësuar, por mund të përkesësohet edhe më tej. Më poshtë janë renditur 10 ekonomitë më të forta në botë në vitin 2016 dhe ndryshimeve që priten të ndodhin në vitin 2050 sipas GDP-së në Paritetin e Fuqisë Blerëse (PPP):

Viti 2016 1.SHBA, 2. Kina, 3. India, 4. Japonia, 5. Gjermania, 6. Rusia, 7. Brazili, 8. Indonezia, 9. Mbretëria e Bashkuar, 10. Franca
Viti 2050 1.Kina, 2. India, 3. SHBA, 4. Indonezia, 5. Brazili, 6. Rusia, 7. Meksika, 8. Japonia, 9. Gjermania, 10. Mbretëria e Bashkuar
Burimi: PwC

Tutje sipas PwC është parashikuar që Kina ta tejkalojë SHBA-në si ekonomia më e madhe deri në vitin 2027 në kushtet e kursit të këmbimit të tregut. India duhet të bëhet gjiganti i tretë ekonomik global deri në vitin 2050 para Brazilit, i cili ne pritet të ngjitet në vendin e 4-të përpara Japonisë. Rusia mund të kapërcejë Gjermaninë rreth vitit 2035 me kurset e këmbimit të tregut për t’u bërë ekonomia më e madhe evropiane.
Pastaj, ekonomitë në zhvillim si Meksika dhe Indonezia mund të jenë më të mëdha se Britania e Madhe dhe Franca deri në vitin 2050, dhe Turqia ekonomi më e madhe se Italia. Pra, nëse sot mes 10 shteteve më të fuqishme ekonomikisht në glob kemi vetëm 5 shtete me demokraci perëndimore, në vitin 2050 do të kemi vetëm 4 sosh. E keqja për Kosovën është se do të forcohen ekonomikisht shumë pikërisht ato shtete të mëdha që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe as që kanë dhënë shenja njohjeje.

Ndërkohë sipas artikullit të Bloomberg Businessweek me titull “Një Udhëzues Ekonomik për botën në 2050” deri vitin 2050 Azia do të ketë mbi gjysmën e popullsisë globale dhe do të rikthehet në qendrën e ekonomisë globale. Vetëm Kina me Indinë pritet që të kontribuojnë në mbi 60% të GDP-së globale. Sipas “World Bank Outlook 2050 Strategic Directions Note” pritet që India, Kina dhe Nigeria të përbëjnë në vitin 2050 mbi 35% të rritjes së popullsisë urbane, përderisa në total po ashtu deri në vitin 2050 mbi dy të tretat e popullsisë globale pritet të jetojë në qytete.

Tutje në këtë artikull të Bloomberg Businesssweek thuhet që prodhimi global i ekonomive “të lira” dhe “kryesisht të lira” nga 57% e vitit 2000 do të bie në 33% në vitin 2050, ndërkohë që ekonomitë që klasifikohen si “kryesisht jo të lira” pra që janë në pronësi dhe kontroll të shtetit do ta rrisin prodhimin global nga 12% të vitit 2000 në 43% në vitin 2050. Me një fjalë prodhimi global i vendeve demokratike do të bie, ndërsa i vendeve jodemokratike ose më pak demokratike do të rritet.

Të gjitha këto fakte të mësipërme u përmenden për ta paraqitur pozicionin e Kosovës në këtë mes turbullues. Vlen të përmendet se dinamikat dhe konstelacionet tejet të favorshme ndërkombëtare kur qe çliruar dhe pavarësuar Kosova nuk janë më. Rënia e komunizmit solli shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë. Pas rënies së komunizmit, pra që nga viti 1990 e deri në vitin 1998, Rusia si trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e Bashkimit Sovjetik po degradonte dhe humbiste peshë në zhvillimet ndërkombëtare, derisa edhe humbi statusin nga superfuqia në fuqi rajonale.

Në anën tjetër, Kina, gjatë periudhës 1990-1998, ende po merrej me pasojat e komunizmit dhe s’përbënte sfidë për perëndimin. Edhe Turqia e periudhës 1990-1998 ende nuk po mund të bëhej faktor rajonal. Si Rusia, ashtu edhe Kina me Turqinë, në gjendjen çfarë ishin gjatë periudhës 1990-1998 nuk e kishin kapacitetin si të vetme për të ndërhyrë për interesa të tyre në punët e Ballkanit, e aq më pak në luftërat e ish-Jugosllavisë.

Fituesi më i madh në glob pas rënies së komunizmit ishte SHBA, kjo sepse në glob triumfuan tri vlerat e promovuara nga SHBA që prej 1945 deri 1990 siç ishin demokracia, të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut të lirë. Në këtë kuadër edhe Bashkimi Evropian gjatë periudhës 1990-2004 po mbushte boshllëkun që komunizmi kishte lënë në Evropë, ndaj dhe po shënonte suksesin më të madh të tij të zgjerimit dhe integrimit. E Kosova me përpikmëri të madhe e pati shfrytëzuar periudhën më të artë në histori për shqiptarët, pra 1990-1999 duke u rreshtuar kah SHBA dhe BE, si protagonistet kryesore në glob dhe duke u çliruar pikërisht me mbështetjen e SHBA-së, NATO-s e BE-së.

Derisa për çlirimin e Kosovës rrethanat ishin më të favorshme, sepse kishim një Rusi, Kinë e Turqi, etj. pa ndonjë peshë të theksuar ndërkombëtare karshi Perëndimit që po determinonte rendin e ri global, pavarësimi i Kosovës në shkurt 2008, ndodhi në kohën kur Rusia, Kina e Turqia po faktorizoheshin në glob, megjithatë ende jo në pikun e fuqisë së tyre, kjo kryesisht, nëse jo ekskluzivisht, për shkak të krizës financiare globale të vitit 2008, pasojat e së cilës në shumë dimensione ende nuk janë tejkaluar, si dhe deficiteve të brendshme të këtyre shteteve në shumë dimensione.

Prandaj, me një Rusi që sot përmes Serbisë synon kaosin, destabilizimin e Ballkanit dhe përçarjen e Perëndimit kryesisht edhe përmes politikave ekspansioniste të energjisë, një Kine që synon tregun e Evropës kryesisht përmes Evropës Lindore, Jugore e Juglindore dhe një Turqie që synon pan-osmanizmin e saj në Ballkan, Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, një BE-je gati të vetë-bllokuar nga forcat e së djathtës ekstreme dhe e paaftë për të zgjidhur probleme të mëdha si p.sh. problemin e Qipros mes Greqisë dhe Turqisë, atë të Kosovës me Serbinë, ose problemin për emër mes Greqisë dhe IRJM-së si dhe sot për gjuhë mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut, etj., pastaj një BE-je të tejpërçarë dhe tejdobësuar pa Britaninë e Madhe, një marrëdhënieje transatlantike të lëkundur tashmë mes SHBA-së dhe BE-së, çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës sot do të ishte shumë më i vështirë, nëse i pamundur, krahasuar me rrethanat e favorshme globale të vitit 1999 respektivisht 2008.

Dhe në vend që Kosova ta rikonfirmonte pa humbur kohë pro-perëndimizmin dhe pro-amerikanizmin e saj kundrejt projeksioneve dhe konstelacioneve ndërkombëtare tashmë tepër të pafavorshme, ajo ka bërë të kundërtën duke e rritur kështu shkallën e anti-amerikanizmit si asnjëherë më parë që nga 1999, duke refuzuar marrëveshjet dhe megaprojektet amerikane si diçka e paparë dhe padëgjuar në Kosovë që nga 1999, i ka kthyer shpinën bashkëpunimit dhe integrimit rajonal (qoftë edhe simbolikisht) aq shumë të kërkuar nga SHBA dhe BE, është thyer nga brenda në nivele ekstreme si asnjëherë më parë që nga 1999, me një fjalë e ka humbur rrugën në oborr duke mos pasur konsensus as për gjërat më banale.

Pastaj, Kosova është goditur aq rëndë nga Gjykata Speciale nga e cila Serbia ka fituar avantazhe të mëdha ndërkombëtare duke i thënë botës se të “gjithë kishin bërë krime në luftërat e ish-Jugosllavisë” duke tentuar kështu ta barazojë viktimën me vrasësin me ç’rast janë ndalur njohjet ndërkombëtare e ç’është më e keqja kanë filluar ç’njohjet e sponsorizuara nga Serbia me aleatë, është bllokuar procesi i Integrimit Evropian dhe ç’është më e keqja ka filluar rritja e përçarjes mes Kosovës dhe Shqipërisë si asnjëherë më parë që nga 1999, me një fjalë, aq shumë është dobësuar pozicioni ndërkombëtar i Kosovës saqë vetëm një bashkëpunim i parezervë me SHBA do të mund ta zhbllokonte situatën aktuale vendnumëruese.

Duke pasur parasysh ato që u thanë më lartë, Kosova nuk e ka luksin që ta humbë as edhe një minutë të vetme duke u vetëkënaqur se kinse po i bën presion Serbisë, në kohën kur Serbia përmes Rusisë me aleatë tashmë është në pozicion bindshëm më të mirë se Kosova karshi BE-së, në kohën kur Serbia vazhdon siç historikisht kishte vepruar me politikën e “faktit të kryer në terren” duke e institucionalizuar veriun e Kosovës sipas parametrave serbë nën mosbëzërjen e Kosovës. Nëse Serbia e mbështetur fuqishëm nga Rusia me aleatë tash kur edhe ka skaduar moratoriumi i Marrëveshjes së shtatorit 2020 për moslobim për ç’njohje të shtetit të Kosovës, fillon dhe vazhdon me arritje të ç’njohjeve duke e përdorur argumentin e Gjykatës Speciale se edhe Kosova ka bërë krime lufte, atëherë desubjektivizimi ndërkombëtar i Kosovës do të mund të bëhej i pandalshëm. Vetë fakti që Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i izoluar në Evropë, e Serbia po ecën që nga 2009 e lirë dhe vazhdon rrugën e saj drejt Integrimit Evropian, e konfirmon pozicionin e dobët të Kosovës në Evropë.

Meqë Kosovës i kërkohet si nga SHBA ashtu edhe nga BE, edhe pse me nuanca të ndryshme, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë si mundësi për zhbllokimin ndërkombëtar të saj, atëherë politika e Kosovës e koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE duhet ulur sa më shpejtë në tavolinë të bisedimeve, ta lë folklorin anash për ta nxjerrë më të mirën të mundshme. Problemi sa më shumë që shtyhet aq më shumë rritet. Sa më shumë që Kosova ndjek rrugën e vetë-izolimit, aq më i dobët do të bëhet pozicioni i saj ndërkombëtar.

Sa më shumë që problemin me Serbi e përdorim për konsum të brendshëm politik se kush bën tradhtarin e kush patriotin dhe në të njëjtën kohë i bishtërojmë arritjes së marrëveshjes me Serbi nga frika se po humbim elektorat, vetëm sa do të zbrazet veriu i Kosovës edhe nga ata shqiptarë të mbetur atje dhe ç’është më e keqja dhe më fatalja do të zbrazet nga shqiptarët edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja, komuna shqiptare këto që ëndërrojnë bashkimin me Kosovën, me një fjalë do të humbim të gjitha kartat dhe do të mbesim kokëulur para qytetarëve. E Serbia duke e kontrolluar veriun mundet që në një situatë të caktuar kur asaj i konvenon më së shumti të provokojë destabilizim situate atje për të imponuar një konferencë ndërkombëtare me fakte të kryera në terren sipas kushteve të saj. E Kosova duhet ta ketë një gjë të qartë se si Shqipëria ashtu edhe Kosova nuk do të ishin bërë kurrë të lira dhe shtete pa SHBA-të, nëse dikush në Kosovë mendon që Evropa do ta rregullojë problemin e Kosovës me Serbi, një Evropë që kurrë s’ka mundur ta bëjë një gjë të tillë, atëherë ai apo ajo e vërteton se nuk është i interesuar dot ta zgjidhë problemin, por vetëm ta zgjasë pushtetmbetjen pavarësisht çmimit të madh që mund të paguajë Kosova. Nëse zyrtarët më të lartë amerikanë na thonë se bota s’pret dhe se problemi me Serbi duhet mbyllur sa më shpejtë për t’i hapur perspektivë evropiane dhe transatlantike Kosovës e rajonit dhe për t’i këputur rrënjët akterëve joevropianë në rajon, atëherë Kosova para pushtetit duhet të zgjedhë zgjidhjen e problemit më të madh politik të saj e që për fat të keq vazhdon të jetë Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Menli Krasniqi dhe kryetari…