Pse e refuzon Kosova “Ballkanin e hapur”

07 tetor 2021 | 11:48

Hajdin Abazi

Në konstelacionet aktuale, cilidoqoftë proces ballkanik ku nuk përfshihet Kosova, pavarësisht se si mund të proklamohet, de facto nuk është në të mirë të bashkëpunimit rajonal.

Kosova ka pranuar të përfshihet në procesin-e-Berlinit, pasi që ishte ngritur në platformë të Bashkimit Europian (BE) dhe mbikëqyret nga BE, sepse Kosova e ka objektiv jetik integrimin në familjen europiane.

Në anën tjetër, Kosova e ka refuzuar që nga fillimi si idenë e mini-shengenit i quajtur ballkanik, ashtu edhe Ballkanin-e-hapur, të cilat, ndonëse janë në frekuenca të njëjta me BE, është proces autonom brendaballkanik pa ndonjë mekanizëm mbikëqyrës European e as nga SHBA.

Dhe Kosova ka arsye fundamentale për këtë qëndrim kategorik të saj.

Politikisht është tepër e dëmshme për Kosovën, sepse ajo nuk do të ishte aty si shtet i barabartë. Serbia e Bosnjë-Hercegovina nuk e njohin Kosovën si shtet, madje e mohojnë. Aty do të injorohej shtetësia e Kosovës. Do të legalizohej obstruktiviteti politik i Serbisë kundër Kosovës drejtpërdrejt por edhe duke e instrumentalizuar një pjesë të serbëve të veriut të Kosovës për ta destabilizuar politikisht vendin, por edhe për ta zhvilluar kriminalitetin ekonomik.

Ekonomikisht është e pafavorshme për Kosovën, për shkak të obstruksionit sistematik të Serbisë ndaj Kosovës edhe në sferën ekonomike. Serbia vazhdon ta trajtojë Kosovën si koloni të sajen. Tregtia e Kosovës me shtetet e rajonit në transportin rrugor (me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë e Slloveninë, e madje edhe eksportin në vendet e BE-së) pengohet nga doganat e Serbisë me lloj-lloj marifetesh. E në anën tjetër, Kosova do të shërbente si tranzit midis Serbisë dhe Shqipërisë, duke u bërë lehtësira në transportin rrugor, pa ndonjë përfitim nga kjo.

Madje, duke qenë në rolin kryesor, Serbia synon të dominojë shtetet e rajonit me politikën refuzuese të Kosovës, në kohën kur po ashtu nuk është përcaktuar në mënyrë të vendosur në rrugën perëndimore dhe vazhdon të koketojë me Rusinë dhe Kinën, si ndikim i jashtëm në Europë, duke e rrezikuar  rajonin. Për më tepër, ajo po përpiqet ta instrumentalizojë nismën e Ballkanit të hapur, mbase edhe ta infiltrojë idenë hegjemoniste të botes-serbe.

Arsyet e mësipërme politike, ekonomike e gjeostrategjike, që nuk janë të ndara por të ndërthura, dhe të marra së bashku përbëjnë interesin kombëtar të Kosovës – dhe pikërisht pvr këtë edhe refuzohet nga Ballkani i hapur.

Dhe ky është një qëndrim i drejtë i Kosovës, i të gjitha qeverive që e kanë kundërshtuar.

Sepse, po të përfshihej Kosova në kushtet e rrethanat e tashme, do të ishte veprim që e normalizon jonormalitetin, pajtim me diskriminimin ekonomik, me mosnjohjen e saj si entitet shtetëror, dhe, në fund të fundit, do të ishte një reduktim në terren gjeografik që do të ishte injorim i sovranitetit dhe i pavarësinë sonë.

Për këtë, mospranimi i “Ballkanit të hapur” është reagim krejt i natyrshëm i Kosovës për të mbrojtur veten e vet dhe për të mos e legjitimuar një process i cili ka prapaskena me agjenda parasegjithash anti-Kosovë por edhe anti-perëndim, anti-NATO dhe anti-BE.

Për sa kohë të jetë ky kontekst politik dhe gjeostrategjik, Kosova vepron drejt me refuzimin e saj, sikurse që bën mirë që e përkrah dhe është pjesë e procesit të Berlinit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në…