Pse Gjykata Speciale priti më shumë se 1 vit pas përgjimeve dhe bastisjeve për aktakuzën e re të Thaçit?

11 dhjetor 2024 | 10:39

Më 2 korrik 2023, Fadil Fazliu, kishte vizituar Hashim Thaçin në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Më 3 shtator, Thaçi u vizitua nga Hajredin Kuçi. Gjashtë ditë më pas, në Hagë qëndroi edhe Bashkim Smakaj, Blerim Shala e Artan Behrami. Kurse, më 6 tetor 2023, Thaçit i shkoi për vizitë Isni Kilaj.

Disa ditë pas këtyre vizitave, me dyshimet se Hashim Thaçi ka dhënë informacione për dëshmitarë dhe ka kërkuar ndikim të dëshmitarëve, Gjykata Speciale në fundin e tetorit të vitit të kaluar, bastisi shtëpitë e Bashkim Smakajt, Blerim Shalës, Artan Behramit dhe disa zyrtarëve të tjerë.

Pra, vetëm pak kohë pas vizitave, Prokuroria e Hagës siguroi përgjimet nga Qendra e Paraburgimit, dhe me dyshimet për pengim të drejtësisë, kreu bastisjet duke kërkuar prova të tjera.

Pavarësisht se para më shumë se një viti Prokuroria e Specializuar kreu bastisjet, dhe para 1 viti e gjysmë dyshohet se u krye vepra penale, aktakuza u ngrit tek në dhjetorin e vitit 2024. Kjo përkundër se Prokuroria e Specializuar, kishte edhe audio-incizimet nga Qendra e Paraburgimit.

Sipas Ligjit për Gjykatën Speciale dhe Rregulloren për Prodedurë dhe Prova të Gjykatës Speciale, këto institucione nuk kanë një afat ligjor për kohëzgjatjen e hetimeve. Hetimet mund të vazhdojnë derisa palët të njoftohen se ndaj tyre kanë pushuar hetimet nga Prokuroria.

Megjithatë, pyetja që është ngritur nga jurist e ekspertë të fushës është se, pse Prokuroria e Specializuar priti më shumë se një vit për ta ngritur aktakuzën, duke pasur audio-incizime dhe një vit pas bastisjeve, ku sipas aktakuzës kishin gjetur dëshmi të tjera.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, në një deklaratë të publikuar ditën e djeshme në “Ekonomia Online”, ka thënë se është e pakuptueshme që arrestimet të kryhen tash, duke ditur se Prokuroria i ka pasur këto informacione prej vitit 2023.

Kujtojmë se pikërisht për këto arsye dhe provave që kishte siguruar Prokuroria, ishin kufizuar edhe vizitat në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

“IKD në vazhdimësi e ka potencuar faktin që integritetin procedurës gjyqësorë garantohet duke mbrojtur dëshmitarët, gjyqtarët jo vetëm në Hagë por edhe në Kosovë, duhet të siguronin që procedurat të zhvillohen në mënyrë të pa penguar sidoqoftë në mënyrë se si e pamë dhe si u zhvilluan seancat e paraburgimit që tre ditë mund të themi se është e pakuptimtë se Gjykata Speciale të potencoi se ka pasur informacione që personat e njëjtë kanë penguar administrimin e drejtësisë prej fillimit të vitit 2023 deri në fund të vitit 2024 dhe vetëm në këtë fazë e marrin një vendim të tillë është e pa zakontë dhe për ne është e pa kuptueshme. Për më tepër ne duhet ta kuptojmë faktin që deri në mars-prill të vitit të ardhshëm është paraparë që dëshmitarët e Prokurorisë të mbyllin si temë dhe të japin dëshminë e tyre”, është shprehur Miftaraj.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij pas ngritjes së aktakuzës së re, ka aluduar se kjo aktakuzë e ngritur në këtë kohë, ndërlidhet me shkaqe politike.

“Krejt paparitmas para dy-tri ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkojë edhe sot nga të gjithë kudo që jemi ulur, në secilën anë apo në çfarëdo unifrome që jemi në këtë sallë, të respektohet Kushtetua e Kosovës sepse Dhomat e Specializuar janë produkt i Kushtetutës së Kosovës.”

Çka përmban aktakuza me 17 faqe?

Pavarësisht se pritën më shumë se një vit, aktakuza e Prokurorisë së Specializuar në Hagë është 17 faqe. Aty, thuhet se nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, Hashim Thaçi ka dhënë instruksione te tri grupe të ndryshme, për të ndikuar në dëshmitarë.

“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Tutje, thuhet se ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për “tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Kundër Fazliut, Smakajt dhe Kilajt është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet aty.

Tri grupet e evidentuara sipas Prokurorisë së Hagës, të cilat më pas kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë janë:

Grupi Fazliu me Fadil Fazliun dhe Fahri Fazliun.

Grupi i Smakaj me Bashkim Smakajn, Blerim Shalën dhe Artan Behramin

Grupi i Kilajt me Isni Kilajn dhe Vllaznim Kryeziun, në marrëveshje me Hajredin Kuçin.

Pas zhvillimeve të fundit, Specialja ka ftuar një takim me gazetarë, por ku do të ketë vetëm njoftime e jo prononcime publike. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afati për subjektet politike për të paraqitur aplikimin e tyre…