
Pse Lirim Jashari duhet të jetë kryetar i Likovës
Shkruan: Astrit Gashi
Ka kohë që në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, emrat dalin nga zyrat, nga marrëveshjet, nga pazaret dhe nga prapaskenat. Ka kohë që emrat nuk dalin më nga historia, nga rrënja, nga dheu që ka përpirë djemtë më të mirë për lirinë tonë. Prandaj, kur del një emër si Lirim Jashari, nuk jemi thjesht përballë një kandidature tjetër. Jemi përballë një thirrjeje morale që kërkon përgjigje.
Lirim Jashari nuk është një produkt politik. Ai është vazhdimësi e një sakrifice që s’mund të tjetërsohet. Ai është biri i familjes së Komandant Kumanovës – Ismet Jasharit, simbolit të pavdekësisë kombëtare, emblemës së Orizarës dhe mbarë kombit shqiptar.
Emri i tij nuk është një ofertë politike. Është një amanet që koha na thërret ta mbrojmë.
Likova nuk ka nevojë për një kryetar të radhës. Ajo ka nevojë për një kujdestar të dinjitetit të saj të nëpërkëmbur ndër vite. Për një njeri që nuk njeh politikën si zanat, por si mision. Për dikë që nuk njeh kompromisin me të keqen, por që njeh peshën e kujtesës historike dhe përgjegjësinë ndaj brezave që do të vijnë.
Në një kohë kur politika shpesh është shndërruar në lojë të interesave afatshkurtra dhe në platformë karrierizmi, emri i Lirim Jasharit është sfidë dhe dritë. Është sfidë për ata që e mendojnë politikën si pronë personale, dhe është dritë për ata që ende besojnë se shërbimi ndaj qytetarit duhet të fillojë nga respekti për sakrificën.
Lirim Jashari është figura më e natyrshme për të qenë në krye të Komunës së Likovës. Jo për të pushtetuar veten, por për të rikthyer frymën që dikur e bëri këtë komunë zemër të rezistencës dhe qendër të dinjitetit shqiptar. Ai është zëri i brezit të ri që nuk harron. Brezit që nuk u rrit në harresë, por në kujtesë. Brezit që e njeh çmimin e gjakut dhe që nuk e përul idealin para pazareve të ditës.
E nëse sot dikush guxon të dalë kundër këtij emri, ai nuk është duke garuar kundër një kandidati. Është duke sfiduar një amanet të gjallë. Është duke i kthyer shpinën vetë kujtesës së Komandant Kumanovës. Dhe le ta dijë së populli e njeh dallimin mes përfaqësuesit dhe përfituesit. Mes amanetit dhe ambicies.
Koha është e qartë si kristali së çdo parti shqiptare që sot mendon për kalkulime elektorale në Likovë, që mendon të garojë përballë Lirim Jasharit, është duke u vendosur përballë vetë ndërgjegjes së popullit. Dhe këtë herë, populli nuk do të mashtrohet me figura të stisura. Ky nuk është një moment për aritmetikë politike, por për qëndrim moral.
Uniteti rreth emrit të Lirim Jasharit nuk është luks, është domosdoshmëri. Nuk është zgjedhje, por detyrim. Detyrim ndaj kujtesës, ndaj gjakut të derdhur, ndaj frymës së UÇK-së që ende jeton në çdo gur të kësaj ane shqiptare.
Likova ka një emër të vetëm sot. Jo nga fushata. Por nga historia. Dhe ky emër është Lirim Jashari. Ai nuk është vetëm kandidati i një bashkësie politike por ai është përfaqësuesi i një amaneti kombëtar.
Kushdo që e kupton këtë, do të mbajë anën e drejtë të historisë. Kush nuk e kupton, do të përfundojë në cepin e harresës politike.
Sepse disa emra nuk zgjidhen. Ata vijnë si borxh që duhet shlyer. Dhe Lirim Jashari është një prej tyre.