Pse opozita nuk duhet të legjitimojë një pushtet që relativizon shtetin e Kosovës

04 janar 2026 | 23:50

Shkruan: Hisen Berisha 

(shkëputur nga shkrimi me titull “Nga pushka te gërshërët, fitore për konflikt, jo për shtet” botuar në Epoka re më 31.12.25)

Fitorja elektorale e krahut të majtë nga familja politike e Internacionales Socialiste, Lëvizja Vetëvendosje, nuk përbën mandat për qeverisje shtetformuese, por autorizim politik për zbatimin e një agjende që cenon drejtpërdrejt sovranitetin politik të Republikës së Kosovës, të mishëruar në Marrëveshjen e Ohrit.

Ky nuk është tranzicion normal pushteti, por kalim nga legjitimiteti elektoral në zhbërje institucionale të shtetit.

Në këto rrethana, partitë opozitare nuk duhet të bëhen pjesë e një procesi që synon të legjitimojë këtë arkitekturë politike. Pjesëmarrja apo votimi për presidentin nuk do të ishte akt stabiliteti, por akt bashkëpërgjegjësie në konsolidimin e një pushteti që po i përdor institucionet kushtetuese si instrument për ta relativizuar dhe çmontuar shtetin nga brenda.

Për këtë arsye, mungesa e PDK-së dhe e partive që bartin trashëgiminë politike dhe morale të luftës çlirimtare nuk duhet interpretuar si bllokadë, por si akt mbrojtës politik, me qëllim pengimin e ndërtimit të një legjitimiteti institucional të rremë, të bazuar në zgjedhje të dizajnuara dhe jo në vullnet të lirë sovran.

Ky pushtet i së majtës sorosiane nuk synon reformë, por riformatim historik të narrativës shtetërore, nga lufta si akt themelues i shtetit, në luftën si “gabim politik”; dhe nga pavarësia si qëllim final historik, në pavarësinë si status i përkohshëm dhe i negociueshëm.

Sot, Kosova po shtyhet drejt ringjalljes së projektit të Slobodan Millosheviçit: “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, një formulë që diplomacia amerikane e viteve ’90 e kishte pranuar vetëm si kompromis të përkohshëm për ndaljen e luftës, jo si zgjidhje përfundimtare.

Ky opsion politik po rikthehet përmes Planit Franko-Gjerman dhe Marrëveshjes së Ohrit, të cilat ridimensionojnë statusin juridik dhe politik të Kosovës pa transparencë dhe pa legjitimitet popullor. Ky nuk është normalizim, por rikthim i projektit të Millosheviçit përmes diplomacisë, aty ku dështoi me forcë.

Kushtet e Marrëveshjes së Kumanovës, që shënuan kapitullimin ushtarak të Serbisë, dhe Projekti Amerikan për Pavarësimin e Kosovës, që e vulosi këtë kapitullim në planin politik dhe juridik, sot po zhbëhen gradualisht, nën petkun e stabilitetit dhe dialogut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Federal i Inteligjencës Gjermane (BND) ka përgjuar presidentin e…