Pse unë shkrova 10 vjet më parë biografinë e Kadaresë

04 nëntor 00:28

NDRIÇIM KULLA

Kontakti im i parë mendor me jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë daton në subkoshiencën time qysh në adoleshencë, në vitet e fillores, atëherë kur unë lexova me endje poemën e tij të parë “Princesha Argjiro”. Gjirokastra e Argjiros ishte në vijë ajrore veçse disa kilometra larg shtëpisë sime, atje prapa Malit të Gjerë, ku unë fëmija fluturoja dhe lozja me flatrat e imagjinatës pranë kështjellës së saj. Ka qenë gati një kontakt fantazmagorik që më dilte gjithmonë në ëndërr, ndoshta nga arsyeja se ishte i pari libër që lexoja prej tij. Po i tillë ishte edhe kontakti me mbiemrin e autorit, që, duke qenë i rrallë, më dukej si i dalë nga lashtësia e nuk më thoshte gjë prej gjëje se kush ishte ky njeri, aq më tepër që s’e dija se ishte gjirokastrit, pra bashkëvendës me Argjironë, heroinën e miturisë sime. Më vonë do ia njihja globalisht si veprën, ashtu dhe jetën e tij, por në atë periudhë ato ishin për mua të largëta, të panjohura .

Por rrugët dhe mënyrat që mundohet të gjejë njeriu në një gjendje, në një situatë, në një periudhë kohe të jetës së tij, për të përballur një trysni, një dhimbje, një zhgënjim apo një shqyerje të brendshme e të vazhdueshme, janë të ndryshme. Po kur bëhet fjalë për të jetuar në një regjim, siç qe ai komunist që përjetoi Shqipëria për plot 50 vjet, hapësira dhe mjetet e mbijetesës për ata që ky regjim nuk i përkëdheli, ose për fatin e tyre të madh s’i dënoi apo ndëshkoi, regjeshin e përfundonin paradoksalisht në një film, në një libër, në një autor që të arrinte t’i shpëtonte të paktën shpirtrat dhe shpresat.

Për një të ri si unë, të dashuruar pas librave dhe letërsisë, reduktimi i të gjitha mundësive për ta kultivuar pasionin nëpërmjet shkollës apo një të drejte studimi të mohuar padrejtësisht, bëhej akoma dhe më lëndues, më i ndjeshëm në shtrydhësinë e vet, e gjithnjë e më i përafërt me terrin dhe errësirën. Pikërisht kjo ishte ngrehina e së ardhmes që arrinte të përfytyronte çdo ditë ndërgjegjja ime.

Kur hyra ditën e parë në minierën e Valiasit, m’u duk vetja sikur po hyja në Tabir Saraj, Pallatin e Ëndrrave, për të cilin sapo kisha lexuar te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” i Ismail Kadaresë. Në të vërtetë miniera ngjante si një Tabir Saraj i përmbysur. Sepse, ndërsa në Tabir Sarajin që përshkruante Kadareja shkonin ëndrrat e njerëzve, dhe këta prisnin me shpresë përgjigje prej andej, duke dashur që të merrnin shpërblimin në qoftë se ëndrra e tyre do të dilte e vlefshme, në këtë “Tabir Saraj” ndodhte ndryshe. Ky ishte një “Tabir Saraj” i përmbysur, ku shkonin njerëzit të cilëve u qenë thyer ëndrrat e tyre. Unë shkova në minierë në kohën që shpresoja më kot të më jepej e drejta e studimit për në shkollën e lartë, e cila më mohohej për arsye politike: dy dajat e mi qenë arratisur dhe jetonin në një vend kapitalist, Australi. Ata kishin mohuar “parajsën” komuniste, kështu që unë duhet të vuaja në ferr. Se miniera ishte ferr për një njeri që në atë kohë duhet të kishte qenë në auditorët universitarë.

Kur hyra në minierë e kuptova befas se Kadareja te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” kishte bërë një projekt të skëterrës. Nuk e dija nëse kjo ishte vetëm përshtypja ime apo e kishte pasur edhe ai në mendje. Do të kisha dashur që ta pyesja për këtë gjë, por në atë kohë kjo gjë ishte e pamundur. Dhe përgjigjen për këtë pyetje e mora më 1990-n, kur lexova në librin e Kadaresë “Ftesë në studio”, ku thuhej:

“Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, Shën Agustinit, Dantes, të krijoja një projekt origjinal. Ndaj, kur nisa të shkruaj ‘Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave’, ose më saktë, kur isha duke menduar kapitujt e mesit, me një hare e frikë njëkohësisht, pashë se padashur po realizoja ëndrrën e vjetër: në të gjithë strukturën e romanit tim, si një plan i dytë, spikaste skëterra. Sa më shumë e mendoja, aq më i qartë më bëhej: Ishte njëlloj mbretërie e vdekjes, ku në mes ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, pra, një pjesë e jona gjendej ndërkaq matanë në kohën që ne ndodheshim këtej. Te gjitha elementet e ferrit të grekëve të vjetër ishin aty: terri, squllosja e trishtë e gjithçkaje, ngrirja e kohërave, ecja e tyre mbrapsht, mbetja në vend. Ishin aty makthet, përpëlitjet e ndërgjegjes, mungesa e shpresës. Por sidomos ishte një lloj shkallëzimi administrative, sektorët nëpër të cilat kalonin, shoshiteshin e interpretoheshin ëndrrat, që e afronte edhe më shumë ngrehinën e Pallatit të Ëndrrave me strukturën e mëvonshme të ferrit dantesk”.  Përshtypja ime kishte qenë e saktë! Kadareja kishte dashur të përshkruante pikërisht ferrin. Miniera ku hyra unë ishte pikërisht ferri. Me këtë nuk dua që të them se çdo minierë është ferr, se miniera ka pasur e do të ketë dhe ato nuk i shpiku regjimi komunist. Por ai i shndërroi ato në skëterra të vërtetë, nga shumë këndvështrime. Se miniera ishte vendi më afër skëterrës ku mund të futej ose dërgohej një i ri që përndiqej edhe nga komunistët e fshatit të tij, sepse ëndërronte të shkollohej, të bëhej  fizikan, astronom, krijues, shkrimtar apo studiues. Më keq se kaq mund të ndodhte vetëm në qoftë se do të hyja në minierë si i burgosur politik, gjë që nuk përjashtohej. Ditën e parë që hyra në minierë pashë në thellësi të galerive një skenë që më sillte ndër mend diçka sikur e kisha parë në një film apo lexuar diku. Disa njerëz që mbartnin një kufomë në thellësi të një galerie. Ishte kufoma e një minatori të vdekur. M’u kujtua se çfarë më sillte ndër mend kjo skenë. Atë përshkrimin që bën Kadareja te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, ku Ebu Qerimi (Mark Alemi), duke ecur në korridoret e Tabir Sarajit, shikon befas disa njerëz që mbartnin arkivolin e një ëndërrparësi të vdekur. Edhe minatori i vdekur kishte qenë një ëndërrparës si unë.

Me këtë imazh në mendje, ditën e parë që dola nga miniera rilexova për gjithë natën Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave. Tanimë përshtypja m’u shndërrua në bindje. Duhet të ishe, atje ku isha unë, në minierë, që ta kuptoje arsyen se përse Kadareja e kishte bërë këtë projekt të skëterrës. Arsyeja, guxoj të them, nuk ishte plotësisht e qartë aq për Ismailin vetë dhe ndoshta nuk është as sot. Sepse kjo arsye gjendej, siç thotë ai, diku mes vetëdijes dhe subkoshiencës. Në qoftë se Ismailit do t’i kishte ndodhur që të hynte në ndonjë minierë në atë kohë, me siguri që do ta kishte kuptuar arsyen. Ismaili në fakt po e përgatiste veten për skëterrën ku mund ta dërgonte befas diktatura. Ai e ndiente se ishte i projektuar për t’u flakur në skëterrë, prandaj po bënte projektin e skëterrës, për t’a përgatitur veten për takimin e mundshëm me të. Edhe kjo ishte një lojë me shumë rrezik, se siç thotë Niçe: “Nëse ti ia ngul sytë skëterrës, atëherë skëterra do të t’i ngulë sytë ty”. Dhe pasojat diheshin.

E kuptova se unë dhe Ismail Kadareja, i riu i panjohur me ëndrra të thyera dhe shkrimtari i madh, kishin shumë më tepër gjëra të përbashkëta se sa mund të mendohej. Ne ia kishim ngulur sytë skëterrës dhe ajo po na shikonte me kërcënim. Ismail Kadare duhet ta quajë veten me fat që Enver Hoxhën nuk e lejonte shëndeti të shkonte të vizitonte ndonjë minierë pas botimit të Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave. Se atëherë diktatorit do t’i ishte bërë shumë i qartë aluzioni i skëterrës dhe ndaj atij vetë si kryedjalli i skëterrës. Se ajo që nuk e ka thënë Ismaili kurrë, nga modestia, dhe ka pritur që ta thonë të tjerët, është se atje ku ka një skëterrë, ka edhe një kryedjall, një Satana. Kryedjalli i skëterrës shqiptare nuk mund të ishte kush tjetër përveç diktatorit. Në qoftë se diktatori do të kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të kishte vizituar ndonjë minierë në atë kohë, për të do të ishte bërë gjithçka e qartë, dhe atëherë Ismailin nuk do ta shpëtonte nga skëterra as “Dimri i madh”, as “Shqiponjat fluturojnë lart”, as “Përse mendohen këto male”. Diktatori do të thoshte: “Unë të fala për Pashallarët e kuq, dhe tani ti si shpërblim ja ku më bëre kryedjall. Ke mall për skëterrën ti djalë i mbarë, të dërgoj unë në skëterrë!”.

Unë jam i bindur se asnjë nga biografët e ardhshëm të Ismail Kadaresë nuk do të mund ta kuptojë siç duhet atë, se asnjë prej tyre nuk ka pasur fatin t’ i ketë bërë lexim dekonstruktiv Kadaresë, duke qenë me përshtypjet e minierës. Kjo është arsyeja që unë   vendosa tishkruaja një biografi të Kadaresë. Por nuk e fsheh, këtë e bëra edhe për t’i kthyer një borxh. Se nga “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” më vinte një mesazh i fuqishëm, këmbëngulës: “Mos u tërhiq, mos e lejo skëterrën që të triumfojë mbi ty!”, Se nuk ishin të pakta rastet kur i dëshpëruar nga realiteti ku ndodhesha, bëhesha gati të merrja vendimin t’i flakja tutje librat që lexoja dhe përpjekjet për t’u shkolluar.  Vetëm para katër  9 vjetësh unë u njoha personalisht me Ismail Kadarenë fare natyrshëm, dhe kam pasur rastin që të bisedoj fare rrallë me të.   Para 6 vitesh kam përfunduar një biografi të plotë të At Giuseppe (Zef) Valentinit me titull “Binjaku i Nënë Terezës: Një biografi e plotë gati shteruese e At Giuseppe Zef Valentinit, misionarit kulturor jezuit në Shqipëri” si e kuptova dhe njoha unë atë, e cila  e cila është pritur me shumë interes nga lexues elitarë. Ishte një projekt për të cilin kam punuar gjatë, shumë gjatë dhe që nuk më linte të qetë derisa të mos e shlyeja. Më tepër se cilido shqiptar tjetër, Kadare e meriton të quhet “binjaku” i Nënë Terezës, duke qenë se ai ka bërë shumë për kulturën shqiptare dhe botërore, ekuivalentin e asaj që Nënë Tereza bëri gjatë misionit të saj humanitar.

Është një rast i rrallë, guxoj të them, kur jeta e biografit dhe e personit të cilit iu shkrua biografia përputhen në kuptimin e sentencës së Niçes, të cilën e kam përmendur më lart,duke mos më keqkuptuar, jo të krahasimit të vlerave që kemi krijuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një firmë e të dhënave ka zbuluar se Twitter duket se ka…