Puna në temperatura të larta

12 gusht 2019 | 11:05

Dr. Ilir Rrecaj Mr.sci

Me ngritjen e temperaturave në ditët e verës, në medie është shkruar ditë  më parë për deklarimet e Sindikalistëve të Sektorit Privat, që të pezullohet puna (nga 11:00-16:00, evtl. 17:00, kur punëtorët ekspozohen rrezeve të diellit, për shkak të rrezikshmërisë që shkaktojnë ato për shëndetin e punëtorit.

Punëtorët sipas lëmive iu nënshtrohen temperaturave të larta në punë, jo vetëm nga dielli por edhe se gjatë procesit teknologjik të punës lirohet nxehtësi, shpesh e përcjellë me gazra helmues, e cila eventualisht mund të paraqet rrezik akut dhe kronik për shëndetin e tyre.

Si është kjo e rregulluar në Gjermani dhe BE

Duke parë këto deklarime thashë të lexoj se çka parasheh Ligji në fuqi që rregullon këtë çështje ne Kosovë. Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë ishte mjaftë i gjerë dhe kishte më shumë detaje se sa ligji ne fuqi në Gjermani për Siguri në Punë.

Pastaj në faqen zyrtare të Ministrisë së Punës mund të gjeje dhe aktet nënligjore qe ishin të lidhura me implementimin e Ligjit dhe që ishin rregulloret e ndryshme, qe nuk mbulojnë ende të gjitha fushat e Sigurisë në punë, por janë një bazë e mirë për ato që janë përcaktuar dhe për punën e mëtutjeshme.

Për temën e ngritur nga Sindikalistët nuk identifikova se është trajtuar specifikisht kjo rrezikshmëri e punës.

Por Ligji që nga Parimet e Përgjithshme e tutje, ofron mundësi që në aspektin organizativ, të identifikohet rrezikshmëria, të vlerësohen masat parandaluese, të implementohen e dokumentohen masat e ndërmarra dhe të rivlerësohet efekti i tyre, me qëllim të plotësimit të masave plotësuese parandaluese.

Përgjegjësia për kushtet në vendin e punës sipas Ligjit, natyrisht bie mbi punëdhënësin, por edhe Sindikata brenda ndërmarrjes mund të luaj rolin pozitiv në minimizimin e rreziqeve në punë, duke qenë më proaktive dhe iniciuar avancimin dhe intensitetin e bashkëpunimit mes punëdhënësit dhe Punëmarrësve në lëmin e parandalimit dhe mbrojtjen nga rreziqet në punë.

Për krahasim, në Gjemani ka një strukturë të legjislacionit e cila si në shumë sfera është duale. D.m.th. një pjesë shtetërore me ligje, udhëzime administrative, rregullore, dhe në anën tjetër Shoqata Gjermane e Sigurimit nga Aksidentet/Fatkeqësitë, që ka Rregullat mbi Sigurinë në punë, Parimet dhe Informacionet për ngarkesa apo ekspozime të natyrave të ndryshme, që janë potencialisht apo të dëmshme për shëndetin në punë. Për të bërë këtë, Kompanitë paguajnë Shoqatën e cila ka Sigurimin e saj dhe rrjedhimisht kompenson punëtorët dhe përgatitë informacione shkencore përkatëse, në këtë rast edhe për ndihmën ne rast te mendimit në punë.

Për rastin konkret, fillon si bazë me Ligjin për Mbrojtje në Punë, nga i cili dalin disa Udhëzime Administrative, për temën në fjalë, detajohet në Udhëzimin Administrativ për Parandalimin Mjekësor nga i cili rrjedhin Rregullat e Mjekësisë së Punës në njërën prej të cilave (Veprimtaritë me ngarkesë/ekspozim ekstrem(e) të temperaturës),është përshkuar në detaje se cilat janë ato veprimtari, cilat kritere duhet të plotësohen që të konsiderohet veprimtari ose vend i punës me temperaturë ekstreme dhe ndikimi i aktivitetit fizik, mjeteve mbrojtëse dhe kohës së ekspozimit në këtë temperaturë;

Të gjitha këto janë të përpiluara dhe azhurnohen nga Komiteti Gjerman për Mjekësi të Punës në kuadër të Ministrisë së Punës, në bazë të të dhënave më të reja shkencore mundësisht të bazuara në evidenca.

Po kështu janë dhe Parimet e Parandalimit të përpiluara nga Shoqata Gjermane e Sigurimit nga Aksidentet, në të cilat bazohen detajet e Kontrolleve mjekësore Parandaluese në bazë të Udhëzimit të lartpërmendur për Parandalim Mjekësor dhe këshillat për mbrojtje në punë në bazë të ngarkesës apo ekspozimit me rreziqe.

Për të u kthyer te tema, çështja e punës me ekspozim me temperatura të larta, nuk ka nevoje të rregullohet(domosdoshmërish) me ligj, pra mund ta rregulloj Ministria përkatëse me rregullore apo Udhëzim Administrativ; Ligjdhënësi Gjerman me këtë dhe ai i BE-së, nuk e ka paraparë se puna duhet ndërpre, por se varësisht nga Veprimtaria dhe vlerësimi i rrezikshmërisë, ka paraparë masa parandaluese në rend të parë Substituitive (zëvendësuese), që d.m.th. sipas mundësisë (!), të përdoren mjete bashkëkohore, që punëtori përkohësisht të mos e ushtroj atë punë me rrezik për shëndetin (makineri, robotike, etj); masa parandaluese Teknike (si sistemi i klimatizimit, absorbimit, përdorimi i teknologjive më të reja, me emetim më të pakët të nxehtësisë, lagështisë, qarkullimit të ajrit, pluhurit, etj., nëse bëhet fjalë për punë në hapësira jo të mbyllura: sipas mundësisë teknike adaptimi i këndeve, vendeve më minimizim të eksponimit direkt të diellit,etj.);

Masave parandaluese Organizative (organizimi i punës në mënyrë që koha e ekspozimit në temperatura të larta të shkurtohet(zëvendësimi me punëtorë tjerë i procesit të punës duke u ndërruar brenda orarit të punës në mënyrë rotative, organizimin e punës në turne të ndryshme(që besoj së nuk ka ndonjë ndalesë të bëhet, përveç që mund të ketë shpenzime shtesë për punëdhënësin dhe për punëtorët), vënia në disponim e ujit apo lëngjeve tjera, etj. Kompanitë më të mëdha kanë përparësi këtu, sepse i kanë edhe resurset humane e materiale më të mëdha, definimin sa më të saktë të proceseve të punës shpërndarjen e informacionet në kohe reale në të gjitha format.

Dhe masa tjera parandaluese duke përdorur  Pajisjet e Mbrojtjes në punë që nga dorëzat, këpucët, kapela, rroba speciale rezistente ndaj nxehtësisë(në masat e parapara) apo të lehta, që nuk absorbojnë nxehtësinë dhe lejojnë ajrosjen e trupit, që në parim janë “më pak prioritare“ se tri të parat; shpërndarjen e kremrave mbrojtëse nga rrezet e diellit me faktor mbrojtës UV 50, vizitat parandaluese nga specialisti i Mjekësisë së Punës, sipas shkallës së rrezikshmërisë (punëtorët me çrregullime shëndetësore specifike shembull u ndalohet përkohësisht Puna, etj.). Në këtë rast ekspozimi i punëtorit në temperaturë mbi 45 °C në një kohë të punës aktive mbi 15 minuta do të thotë një vizitë e detyrueshme mjekësore, poashtu puna në temperaturë prej 30 °C mbi katër orë gjatë orarit, ose pirja e mbi 4 l uje/lëngje gjatë një ndërrimi të punës, rrezatimi i padurueshëm i nxehtësisë në fytyrë; puna në furra të shkritoreve, furra tjera të përpunimit të produkteve me nxehtësi, puna mbi kulm të furrave, saldim i objekteve me temperaturë të lartë, në kontejnerë, pajisje për tharje, elektrolizë, industri/përpunime kimike, farkëtari, industri ushqimore etj..

Punëtorëve të ekspozuar me rreze të diellit mbi një ore në ditë, iu ofrohet dhe një Vizitë mjekësore jo e detyrueshme, për vlerësim të rrezikshmërisë nga kanceri i Lëkure.

Këto masa bëjnë pjesë në të ashtuquajtura Masa Preventive të Strukturore (asaj me çka disponon ose do të duhej të disponon kompania).

Natyrisht ligjdhënësi ka paraparë edhe masat për kategoritë e veçanta si  shtatzënat, gratë gjatë periudhës së të ushqyerit të fëmijës me gji, të rinjtë e punësuar nga mosha 15-18 vjeç, etj.

Ato kompani (qoftë private apo publike) që i përmbahen përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe atyre teknike dhe mendojnë, planifikojnë e veprojnë për të implementuar planet në bazë të aktiviteteve me caqe afatgjata, aplikojnë edhe Masa Preventive të Qasjes dhe Qëndrimeve, që nënkupton ngritjen e kompetencave të punëtorëve që kanë të bëjnë me punën direkt, përmes trajnimeve të vazhdueshme, informatave të vazhdueshme për teknikën, teknologjinë, për procese të caktuara të punës, metoda të reja të punës, metodave për minimizimin e rreziqeve dhe mbrojtjen ndaj tyre, për shëndetin personal dhe kolektiv, ngritjen e aftësive fizike dhe mendore të punëtorëve në mënyrë që të jenë më të adaptueshëm në rrethana të ngarkesave fizike dhe psikike.

Si do të jetë Ligji në fuqi, ka parakushtet për të vepruar Sindikata në interes të mbrojtjes së punëtorëve, në këtë rast nga rreziqet që kanosen nga temperaturat e larta, në bashkëpunim me Punëdhënësit dhe koordinatorët e Sigurisë në Punë. Derisa organet kompetente të specifikojnë në aspektin ligjor këtë temë, është e mundur që edhe përmes rregulloreve të brendshme të parashihen masat mbrojtëse. Njësoj mund të veprohet me vonë edhe gjatë ekspozimit të temperaturave të ulëta, punëtorëve që punojnë në depo frigorifer për ruajtjen e ushqimeve etj.

Dr. Ilir Rrecaj Mr.sci

Specialist i Mjekësisë Familjare

Specialist i Mjekësisë së Punës

Auditor i Certifikuar për ISO Standarde nga British Standard International

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lady Gaga do të japë donacione në tri qytetet ku…