Pushtetarët komunistë të Kosovës nuk janë meritorët e arritjes së autonomisë

13 gusht 2025 | 12:37

Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (7)

Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e shtatë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se udhëheqja jugosllave dhe vetë Tito, në raport ndaj Kosovës donin zgjidhje me aparencë të bukur e realisht ishte vetëm një makijazh. Ai ka theksuar se pushtetarët komunistë të Kosovës nuk janë meritorët e arritjes së autonomisë.

“Epoka e re”: Konkretisht, çka mund të mësohej prej Zvicrës, ashtu që të bëhej zgjidhja e mirëfilltë e çështjes shqiptare?
Hajdin Abazi: Po e sjellë një shembull.
Në vitin 1979, në Zvicër do të ndodhte një ndryshim i brendshëm shtetëror. Nga Kantoni i Bernës do të shkëputej Jura dhe do të konstituohej si kanton më vete – Republika dhe Kantoni i Juras, që ishte afërsisht sikurse Kosova që me statusin e Republikës do të shkëputej (çlirohej pra) prej Serbisë.
Historia e Juras ka shumë analogji me Kosovën.
Në përpjekjet për të vendosur paqe e stabilitet në Evropën e shekullin XIX, mbahet Kongresi i Vjenës (shtator 1814 – qershor 1815) ku, ndër të tjera, vendoset që regjioni Juras të jetë pjesë e Kantonit të Bernës. Zgjidhja realisht nuk ishte e njëmendtë sepse në Kantonin e Bernës dominonin gjermanët që kishin besim protestant, kurse në Jura dominonin francezët me besimin katolik (romak).
Pas Luftës së Dytë Botërore shfaqet një lëvizje separatiste që agjitonte për ndarjen e Juras nga Kantoni i Bernës, dhe sidomos një organizatë rinore e quajtur “Les Béliers” ka bërë sulme militante përfshirë sulme zjarrvënëse. Këto zhvillime çuan në pranimin e një kushtetute në vitin 1977. Një vit më pas, populli zviceran votoi për. Në vitin 1979 – iu njoh statusi i Kantonit, u pavarësua nga Kantoni i Bernës dhe u bë pjesëtar i Konfederatës së Zvicrës. Ky ndryshim ishte i pranueshëm edhe për Evropën, pasi që kufijtë e jashtëm të Zvicrës mbeteshin po ata, pra të pandryshuar.
Konstituimi i Juras si kanton dhe participuese e Konfederatës së Zvicrës ishte tregues se kur ka vullnet të njëmendtë politik, edhe zgjidhjet janë të njëmendta dhe të kënaqshme për të gjithë, të pranueshme dhe njëmend stabilizuese.
Ja, këtë mund ta mësonte dhe duhej ta mësonte jo vetëm pushtetarët në Kosovë po edhe ata jugosllavë, për të arritur një zgjidhje të njëmendtë dhe që, mbase edhe do të ishte, masa më preventive për ta ruajtur Federatën jugosllave ose për t’i shmangur të paktën luftërat e përgjakshme të serbomëdhenjve kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

“Epoka e re”: Si mendon ti, pse nuk mësoi Kosova e as Jugosllavia nga rasti i Juras dhe e zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare? Pse, sidomos Tito nuk insistoi në njohjen e Republikës?
Hajdin Abazi: Shiko, unë e përmend edhe më parë se kanë mundur fare mirë të mësonin edhe nga zgjidhja e çështjes kombëtare nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm, por nuk e kanë bërë.
Arsyet mund të jenë të shumta, por ndër kryesorët janë se, udhëheqja jugosllave dhe vetë Tito, në raport ndaj Kosovës donin zgjidhje me aparencë të bukur e realisht të ishte vetëm një makijazh.
Shembulli i Republikës dhe Kantonit Jura ishte edhe një dëshmi se edhe Kosova, po të kishte një qasje të drejtë nga të pushtetarët komunistë përgjithësisht do të mund dhe do të duhej të avancohej në Republikë.
Mirëpo nuk kishte konsekuencë dhe insistim të fuqishëm në radhë të parë nga vetë komunistët shqiptarë të Kosovës që t’i bënin (me fuqinë e analizës dhe argumentimit) të tjerët të reflektonin mbi Republikën si zgjidhje e vetme e drejtë në ato rrethana, kur kishte një farë disponimi edhe në udhëheqjen komuniste të Serbisë për divorc me Kosovën sikurse e tregon Vllasi kur thotë se Dobrivoe Radosavljeviçi, kryetari i KQ të LKJ të Serbisë, ishte dakord që Kosova të bëhej Republikë. Vetë ky fakt tregon se kishte një klimë kur njëmend mund të bëhej më shumë!
Por kjo klimë nuk u përforcua më tej, për tri rrethana. Së pari, nuk kishte një punë më këmbëngulëse të komunistëve shqiptarë që të shtonte fuqinë racionale dhe argumentuese për Republikën, madje ata u treguan oportunistë dhe frikacakë për ta ngritur zëshëm atë që ishte e drejtë. Së dyti, Titoja, sikurse e theksova, nuk ishte vetë aspak i interesuar për zgjidhjen e drejtë as të paktën të Kosovës përmes statusit të Republikës. Së treti, në vend të përkrahjes dhe fuqizimit nga Tito e decentralistët të serbëve me prirje federative, u bënë koncesione serbomëdhenjve, të cilët u rigrupuan dhe u hodhën në veprim duke i bërë të amortizohen e të zbythen serbët që ishin për secesion të Kosovës me Serbinë. Dhe, duke pasur fjalën e fundit, Titos i mbeti në duart e tij të vendoste, dhe ai, midis zgjidhjes reale të avancimit të Kosovës në Republikë dhe koncesionit ndaj shovinizmit serbomadh – kishte zgjedhur kompromisin, një zgjidhje gjysmake, që edhe t’ua paraqiste shqiptarëve dhe botës se u zgjidh problemi, e edhe serbomëdhenjve t’u thoshin se Kosova mbetet pjesë e Serbisë. Të gjithë mbeteshin të kënaqur, dhe nuk shquanin dot skenarin qëllimkeq të Titos.
Kështu, Titoja mund t’u thoshte komunistëve të Kosovës se morët aq sa ishte e mundshme (se mungonte vetëm emri Republikë) dhe t’i mbante të nënshtruar pa guxuar ta kontestonin dhe ta demantonin si zgjidhje të gjysmake, kurse shovinistëve serbomëdhenj nën petkun komunist t’u thoshte se nuk ua ndamë Kosovën, aty e keni, është pjesë e juaja sepse nuk janë krahina në kuadër të Jugosllavisë, por krahina brenda Serbisë e cila e ruante unitetin e vet shtetëror si Republikë.
Me këtë, ua futi frikën edhe pushtetarëve serbë e edhe atyre shqiptarë. Serbomëdhenjtë duhej të pajtoheshin nga frika se përndryshe mund t’u merreshin krahinat e të kalonin si pjesë të federatës e për Kosovën edhe se mund t’i jepej statusi i Republikës Kosovës, kurse shqiptarët po ashtu duhej të pajtoheshin sepse ia kufizuan kompetencat Serbisë dhe Kosova tash do t’i merrte punët në duart e veta, e më shumë nuk mund të bëhej sepse do të ngjallej reaksioni në Serbi dhe kishte rrezik të rikthehej e vjetra, pra sundimi absolut i Serbisë.
Me këtë manovrim, ai arrinte t’i mbante nën fre të dyja palët.
Tito, për kalkulimet e veta, nuk kishte as vullnet e as dëshirë të zgjidhte çështjen e Kosovës duke e konstituuar Republikë, jo se nuk e dinte se kjo ishte zgjidhja reale, por se kështu i duhej një vatër problemi në Serbi e kjo ishte Kosova si krahinë në kuadër të saj, e cila do të përdorej kurdoherë për ta mbajtur nën fre shovinizmin serbomadh; ose edhe për t’i ndërsyer ata kundër njëri-tjetrit që të përleshen dhe të konsumojnë energji dhe forcat e tyre në luftëra.
Këto ishin të dukshme qysh atëherë gjë që lëvizja atdhetare e kishte të qartë, dhe mund të lexohej nënteksti me pak vëmendje dhe analizë të preteksteve, dhe çuditem se si komunistët e asaj kohe, përfshirë edhe A. Vllasin, nuk i kishin shquar këto; apo shpresonin se do të amortizoheshin me kohën e do të krijoheshin rrethana të reja më të volitshme – gjë që nuk pritej, sepse shumë vite para se të vdiste Tito ishin bërë parashikime se Jugosllavia do të shkatërrohej pas tij, që domethënë se ishin dhënë sinjale, për ata që dinin dhe donin t’i kapnin ato, se ditë më të mira nuk do të vinin.

“Epoka e re”: Ti po e nënvizon se nga Tito nuk synohej zgjidhja reale, po vetëm të krijohej imazhi para botës se Jugosllavia po e zgjidhet problemin më të mprehtë të saj – çështjen e Kosovës?
Hajdin Abazi: Saktë. Sa i përket Kosovës dhe shqiptarëve, ashtu rezulton të jetë. Kurse në nivel Jugosllavie, ishte më ndryshe.
Decentralizimi dhe forcimi i kompetencave të republikave kundrejt Federatës, ishte një përforcim real i shtetësisë republikane. Kjo i hiqte mundësi Serbisë t’i vinte sërish nën kontroll republikat e tjera. Atyre u ishte garantuar konstitucionalisht e drejta për secesion, domethënë për vetëvendosje deri në shkëputje. Ky po, ishte një ndryshim substancial, që më pas, nga viti 1991, do t’u mundësojë republikave të mbrohen dhe të shkëputen nga Federata jugosllave.
Por Kosova (dhe Vojvodina) ishin njësi brenda Serbisë, dhe në instancë të fundit, ishin pjesë integrale të saj si Republikë, ani se me status autonomie; risia ishte vetëm se ato qenë bërë edhe pjesë konstituive e organeve qendrore federative.
Përderisa për Vojvodinën, me numër më pak se 200 mijë hungarezë, statusi i autonomisë ishte një avancim real, për Kosovën, me mbi një milionë e gjysmë shqiptarë – ishte një lojë me fatin e saj, lënia si strukturë brenda Serbisë, dhe ishte një zbutje e përkohshëm e mprehtësisë, por nuk ishte zgjidhje e problemit aspak.
Kështu, pasi e kishte arritur përmirësimin e imazhit në vend dhe në perëndim, vetë Titoja erdhi në Kosovë në vitin 1975 dhe kërkoi arrestimin e pjesëtarëve të lëvizjes së rezistencës kombëtare të shqiptarëve. Arsyet ishin të ndryshme, por në funksion të skenarit antishqiptar. E para, e dinte se problemi i shqiptarëve nuk ishte zgjidhur dhe se duhej ngulfatur rezistenca që ajo të shuhej e të mos reagonte që të tregonte të vërtetën dhe ta prishte imazhin e Jugosllavisë para botës; e dyta, se ata duhej ta luftonin “ekstremizmin” shqiptar, që të tregonin se e kishin merituar atë që i ishte dhënë (autonomia); e treta të shihnin serbomëdhenjtë se po luftoheshin ata që donin ta ndanin Kosovën nga Serbia dhe këtë po e bëjnë vetë shqiptarët; së katërti, të linte përshtypjen para botës se shqiptarët ishin aq të kënaqur me aq sa u ishte dhënë (autonominë) dhe se ata vetë e luftonin këdo që kërkonte Republikë e lëre më bashkim kombëtar.
Perandori komunist po kërkonte vënien në veprim të diktaturës komuniste, intern bëhej për arsye dhe pretekste ideologjike e ekstern se po ndiqeshin “stalinistët” dhe ata që gjoja ishin kundër paqes e rregullimit federativ në Jugosllavi; e realisht ishte për ta shtypur popullin shqiptar, për ta mbajtur të nënshtruar, të sunduar dhe për ta qetësuar shovinizmin serbomadh me politikën persekutuese ndaj shqiptarëve – e cila tashmë nuk bëhej direkt nga Serbia, po me kërkesë të Titos e zbatoheshin nga mekanizmi i sigurimit të shtetit në Kosovë; e objektivi ishte të krijohej një armiqësi midis shqiptarëve dhe ta luftonin edhe njëri-tjetrin.
(Këtu, dua të theksoj se përderisa pushtetarët komunistë të Kosovës ranë në këtë kurthe, lëvizja e rezistencës kombëtare asnjëherë nuk e ndryshoi kursin e vet se armiq ishin vetëm pushtuesit serbosllavë, kurse, me gjithë se kishte mundësi të bënin hakmarrje ndaj pushtetarëve komunistë, nuk e bënë asnjëherë këtë – me vetëdije të plotë për të mos nisur një vëllavrasje nga që kjo do të ishte shkatërrimtare për shqiptarët si komb; madje, pas heqjes edhe të autonomisë, shkuan edhe më larg përmes faljeve të gjaqeve e që ishte një pajtim kombëtar.)
Po në atë vit, pra në 1975, u arrestua sërish Adem Demaçi për të tretën herë. Ai vetë e ka deklarua se kësaj here ishte arrestuar e po dënohej pa pas bërë absolutisht asnjë veprim. Ishte një inskenim tipik në stilin e sigurimit serb të shtetit. Qindra familje shqiptare anekënd Kosovës u maltretuan gjatë arrestimeve, me sjelljet e egra të sigurimit të shtetit dhe me demolimet që bënin.
Kjo ishte një shuplakë publike ndaj besimit të opinionit shqiptar në Kosovë se gjërat po ndreqeshin dhe se shqiptarët më nuk do të pësonin dhunë nga shteti.
Po ndjehej se gjithçka mund të ndryshonte në Jugosllavi, por jo edhe dhuna e shtetit ndaj shqiptarëve – kjo nuk do të ndalej kurrë derisa shqiptarët të jenë nën Serbi, ashtu sikurse nuk i qe ndalur që nga pushtimi më 1912-1913, që i bënte të kuptonin se ata mbeteshin njëlloj të shkelur, të shtypur, të nëpërkëmbur dhe nën dhunën shtetërore, ani se tash kjo kryhej kryesisht nga pushteti i shqiptarëve të Kosovës (politikat persekutuese, policia, prokuroria e gjyqësia).
Demagogjia dhe gënjeshtra publike e komunistëve jugosllavë ishin bërë jo vetëm të tejdukshme për qytetarët shqiptarë, por edhe të neveritshme, dhe po nxirrnin në pah falsitetin e tyre, moralin e dyfishtë, dyfytyrësinë, mashtrimin pa u skuqur fare, shtrembërimin e realitetit dhe fshehjen e paskrupullt të së vërtetës – dhe në të gjitha këto, komunistët shqiptarë të Kosovës ishin në frekuenca të njëjta e pa ndonjë dallim për të thënë.

“Epoka e re”: Opinioni publik i ka pas identifikuar asokohe komunistët shqiptarë të Kosovës si meritorët për ndryshimet që u bënë, për statusin e autonomisë. Ti po aludon ndryshe. Cili ishte atëherë roli i tyre, çfarë kanë kontribuar ata?
Hajdin Abazi: Thënë shkurt, jo.
Udhëheqja komuniste pak ka kontribuar për ndryshimet, madje ata janë aktivizuar vetëm pasi kanë filluar ato në nivel qendror, federativ, duke u nxitur nga të tjerët (kjo shihet qartë nga kujtimet e Fadil Hoxhës).
Ish-pushtetarët komunistë nuk janë dhe aq të sinqertë, atëherë jo se jo po as sot e kësaj dite, pasi që tërë vëmendjen e përqendrojnë te njëra anë e medaljes – te autonomia dhe arritjet e saj; duke e vënë në plan të dytë, thuaja krejt të anashkaluar (dhe për të dytën herë përsërisin gabimin kombëtar dhe paaftësinë politike), atë që po aq, madje edhe më shumë, ishte realitet: diskriminimi, shtypja, persekutimi dhe ushtrimi i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve si popull e që ishin presioni kryesor ndaj federatës se duhej moderuar paksa kursi ndaj Kosovës
Le t’i shohim nga afër këto dy proces, që ishin të pandashme, të ndërlidhura dhe që jepnin sinjale të qarta se ajo që quhej zgjidhje realisht nuk ishte e tillë, në kuptimin se ajo nuk mund të revokohej dhe se ishte një e arritur që nuk kishte kthim pas, ashtu sikurse, fjala vjen, nuk pati për asnjë njësi të ish-federatës jugosllave që kishte statusin e Republikës.
Jo, pushtetarët komunistë nuk janë meritorët e arritjes së autonomisë. Kishte rrethana të jashtme e të brendshme që e kishin përgatitur atë; rrethanat e jashtme lidheshin me protestat në shumë vende të Jugosllavisë – në Kroaci e në Serbi, po edhe të vendeve të tjera socialiste në Evropë kundër pushtetit autoritar e diktatorial dhe kërkoheshin reforma liberalizuese; kurse rrethanat e brendshme të Kosovës ishin debatet publike lidhur me ndryshimet kushtetuese të cilat nuk kishin mundur t’i mbanin nën kontroll komunistët e Kosovës dhe në to ishte shtruar kërkesa për Republikë e pastaj sidomos (më 1968) demonstratat e papara deri atëherë për nga masiviteti në përkrahje të ndryshimeve që u kishte ardhur koha dhe që duheshin të bëheshin ku në qendër ishte kërkesa për Republikë. Kjo lidhet me rrëzimin e shovinizmit serbomadh (që simbolizohet me rënien e A. Rankoviçit) nga dominanca në nivel federate në vitin 1966, ku pushtetarët e Kosovës nuk kishin thuaja asnjë ndikim.
Nuk mund të pretendohej fuqizimi i federativitetit pa reformuar ingerencat edhe të dy krahinave në kuadër të Serbisë, Kosovës dhe Vojvodinës, dhe qëllimi ishte i dyfishtë: edhe t’ua lironte paksa ngulfatjen serbomadhe dy krahinave, vetëm se pa ua hequr fare vargonjtë serbomëdhenj, për kalkulimet e Titos që i përmenda më sipër.
Dhe duke qenë se ishte partia asokohe ajo që merrte vendim e ato pastaj i diktoheshin kuvendeve e qeverive, sigurisht që kërkesat për ndryshimet kushtetues duhej të shkonin përmes komunistëve të Kosovës; gjë që edhe ndodhi. Paraprakisht u bënë diskutime partiake e publike rreth reformave, dhe ishin komunistët e bazës dhe qytetarët ata që e kishin shtruar kërkesën për Republikë e që ishin kundërshtuar nga udhëheqja komuniste – ndër të cilët edhe vetë Fadil Hoxha (në veten e parë, kujtime). Duke e marrë parasysh frymën për decentralizim dhe liberalizim, ku kishte hapësirë për qëndrim më të sforcuar për Republikë, udhëheqja komuniste e Kosovës ishte treguar ultra e moderuar deri në servilitet, pa pasur guximin për të folur hapur dhe për të argumentuar në frymën e fuqizimit federativ të Jugosllavisë dhe pa insistuar pak më fuqishëm, duke argumentuar bindshëm se përse vetëm statusi i Republikës ishte fuqizimi real i federalizmit jugosllav.
Vllasi thotë se ishin katër nga udhëheqja komuniste që e kishin shtruar para Titos kërkesën e statusit të Republikës. Për Vllasin, kjo është e konfirmuar (kurse Fadil Hoxha del se vetë ka qenë kundër Republikës e për “autonomi të plotë”). Po puna nuk ishte vetëm të përmendej e sapo t’i thuhej jo, të heshtnin si ata që kërkojnë lëmoshë, të ulnin kokën e të largoheshin.
Udhëheqjes komuniste të Kosovës ju mungonte guximi politik e edhe vizionariteti për të shtruar teza që do të ishin në të mirë edhe të federalizmit jugosllav, e kështu edhe të Kosovës.
Duket se asnjëri prej tyre nuk ishte i gatshëm për ndonjë sakrificë a humbje të mundshme personale (dhe pse këto do t’i përjetonin më pas), pra të martirizoheshin. Në vend të kësaj ata u treguan shumë demagogë.
Nga e tërë kjo tablo, shihet se me të vërtetë tepër të pakta janë meritat e komunistëve shqiptarë të Kosovës për ndryshimet e asaj kohe

“Epoka e re”: Udhëheqja komuniste e Kosovës, sipas teje, nuk paska pasur ndonjë meritë ekskluzive sa i përket ndryshimeve që sollën autonominë…
Hajdin Abazi: Ashtu mendoj, mbështetur në fakte (shih kujtimet e F. Hoxhës). Autonomia ishte dizajnuar që në fillim nga kreu federativ ne krye me Titon. Jo, ata nuk kanë asnjë meritë ekskluzive për autonominë. Meritë e tyre do të ishte sikur të kishin arritur autonominë e propozuar ta ngrinin në Republikë, për çka ata u artikuluan me zë të mbytur; duke marrë vetëm aq sa iu dhanë.

“Epoka e re”: Çfarë bënë ata, pra? Cili ishte roli i tyre?
Hajdin Abazi: Sigurisht, ajo nuk ishte tabloja e tërë. Ajo ka të bëjë me veprimet deri te autonomia. Por me aq nuk merr fund puna. Autonomia duhej implementuar – dhe këtu, po, udhëheqja komuniste shqiptare e Kosovës ka merita dhe ka luajtur rolin e vet gjithsesi.
Ata kishin ndjekur një strategji që e mendonin dinake, të mos këmbëngulnin në Republikën që ishte kërkuar në strukturat komuniste shqiptare në shtrirje horizontale dhe populli me diskutimet publike dhe demonstratat e vitit 1968, po të pajtoheshin me autonominë, kurse të vepronin në praktikë sikur kishin arritur maksimumin, sikur Kosova të ishte Republikë. Dhe në rrethanat nga viti 1966 e deri te viti 1981 (kur ndodhi kthesa e madhe për popullin: zgjimi kombëtar shqiptar, për Jugosllavinë: rikthimi i dhunës shtetërore me skenarë serbomëdhenj ndaj shqiptarëve), pa fije dyshimi edhe kishin arritur rezultate që ishin të prekshme.
Ndonëse gjithçka, deri edhe te çështja e njësimit të dy dialekteve shqipe në gjuhën standarde ishte bërë me aprovimin dhe lejen e vetë Titos, megjithatë ata ishin zbatues të saj, madje me mjaft sukses.
Më poshtë po i listoj disa prej arritjeve: – Në nëntor 1969 u themelua Universiteti i Prishtinës i cili do të bëhet prodhuesi i kuadrove shqiptare të të gjitha profileve dhe njëherësh edhe furnizuesi me kuadro i institucioneve të vendit; – Instituti Albanologjik i themeluar në vitin më 1 qershor 1953, u rifuqizua dhe filloi të luajë rol më aktiv duke kontribuar në shumë aspekte hulumtuese; – Komisioni për Histori i krijua në vitin 1956, kurse në vitin 1967 u shndërrua në Enti i Historisë i cili më 26 mars 1980 u ngrit në Institut të Historisë; – Më 6 tetor 1968, me kërkesën e komunistëve shqiptar, konkretisht të Veli Devës, ishte lejuar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar; – Në të gjitha nivelet dhe instancat e Lidhjes Komuniste, të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës, Lidhjes së Rinisë Socialiste, të e organeve të pushtetit lokal dhe krahinor filloi të rritet numri i shqiptarëve në takt me formimin e kuadrove të arsimuara nga universiteti; – Edhe kapacitet mbrojtëse ishin shtuar krahasuar me më parë, sidomos në atë që njihej si Mbrojtja Popullore – një strukturë rezerviste me hierarki ushtarake e gatshme për mobilizim në rast lufte, ku numri i shqiptarëve ishte dominues; – Në të gjitha ndërmarrjet prodhuese, arsimore, shëndetësore, të rendit e të sigurisë shqiptarët u inkuadruan në shumicë; – Në mediat e vendit u shtua numri i gazetarëve, shkrimtarëve, aktiviteteve kulturore e artistike; botimet në gjuhën shqipe u rritën në mënyrë enorme krahasuar me më parë. – Nisën bashkëpunimet zyrtare me Shqipërinë, si ardhje e profesorëve për ligjërata në universitet, ardhja e artistëve, këngëtarëve e valltarëve shqiptarë; – Historianët ishin ndër të parët ata që ishin në krye të detyrës duke përmbushur misionin e tyre shkencor: botuan Historinë e Popullit Shqiptar, si një histori integrale kombëtare të shqiptarëve si popull dhe si territor-atdhe. – Në vitin 1972, 20-25 nëntor, u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, ku u krijua gjuha standarde shqipe, e cila do të implementohej zyrtarisht si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Të gjitha këto, pa harruar natyrisht edhe anën e errët të dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve që u theksua më parë, u bënë edhe me kontributin meritor të komunistëve shqiptarë të Kosovës, ku padyshim një rol kishte luajtur udhëheqja krahinore. Atë gjysmë liri që ishte e shfrytëzuan maksimalisht të bënin një revolucion social e arsimor te populli shqiptar në ish-Jugosllavi e sidomos në Kosovë, që do ta ngriste popullin në nivelin bashkëkohor të kombeve të tjera jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në Evropë.
Këto zhvillime, de facto dhe realisht, treguan se shqiptarët janë po aq shtetformues sa edhe kombet e tjera në ish-Jugosllavi, se ata dinin të drejtonin institucionet e shtetit po aq mirë sa edhe popujt e tjerë, se populli shqiptar kishte një energji dinamike të zhvillimit dhe me pak tolerancë politike arriti t’i shfrytëzojë konstruktivisht rrethanat e favorshme për të arritur ndryshime pozitive dhe përparim në të gjitha drejtimet. Jo vetëm që nuk ishin shqiptarët e prapambetur sikurse kishin pretenduar serbomëdhenjtë, por ata ishin aq të zhvilluar intelektualisht e politikisht sa arritën zhvillime thuaja të pabesueshme vetëm për rreth një dekadë e gjysmë kohë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U17, Arbnor Morina, ka mbledhur…