
Putin pritet t’i kërkojë Trump njohjen e kontrollit rus mbi Donbasin dhe Krimenë
Sipas burimeve jozyrtare, në samitin që pritet të mbahet në mes të gushtit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Donald Trump, Moska do të formalizojë kërkesat për njohjen ndërkombëtare të kontrollit rus mbi rajonet lindore të Ukrainës.
Kërkesat përfshijnë aneksimin e plotë të Donetskut ku aktualisht Rusia kontrollon rreth dy të tretat e territorit dhe Luganskut, i cili është pothuajse tërësisht nën pushtim.
Ndërkohë, kufijtë në rajonet jugore të Zaporizhzhias dhe Khersonit pritet të mbeten në vijën aktuale të frontit.
Në negociatat e mëparshme, Rusia kishte pretenduar aneksimin e plotë të këtyre rajoneve, të cilat u shpallën si pjesë e saj nëpërmjet referendumeve të diskutueshme në vjeshtën e vitit 2022.
Moska do të kërkojë gjithashtu edhe njohjen e sovranitetit mbi Krimenë, e aneksuar në vitin 2014. Nëse këto kërkesa do të përmbusheshin, Rusia do të merrte nën kontroll afërsisht një të pestën e territorit zyrtar të Ukrainës.
Këto lëvizje pasqyrojnë një realitet të ri në fushëbetejë, ku luftimet janë ngurtësuar në një status quo të përgjakshme. Forcat ruse nuk kanë arritur të bëjnë përparime të mëdha, por kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme në radhët ukrainase, me Kiev-in që vuan për të zëvendësuar të rënët me rekrutë të rinj.
Strategjia ruse ka kaluar nga ofensivat në shkallë të gjerë në një seri sulmesh të vogla, por të qëndrueshme, që synojnë pikat më të dobëta të mbrojtjes ukrainase.
Megjithatë epërsinë taktike në disa sektorë, analistët nuk besojnë se Rusia do të mund të marrë nën kontroll të gjithë Donetskun brenda verës. Avancimet janë të ngadalta në korrik, Rusia pushtoi rreth 564 kilometra katrorë, shifër e ngjashme me muajin paraardhës dhe më e lartë se në maj. Në nëntor 2024, ushtria ruse kishte shënuar një rritje të ndjeshme, duke marrë 730 kilometra katrorë rekord që prej pranverës së vitit 2022.
Aktualisht, Ukraina mban një pozitë më të favorshme vetëm në rajonin e Sumyt, ku avancimi rus është ndalur nga brigadat elitare ukrainase. “Kordoni mbrojtës” i shpallur nga Kremlini në këtë zonë është i brishtë, duke ngritur dyshime se kjo ishte një manovër për të tërhequr trupat ukrainase larg nga Donbasi objektivi kryesor strategjik i Rusisë.
Një situatë kritike po zhvillohet në Pokrovsk, qytet strategjik në Donetsk, që është pothuajse i rrethuar. Njësitë ruse po sulmojnë nga ndërtesat e betonit të epokës sovjetike të shndërruara në fortifikata. Fati i qytetit mund të ndikojë seriozisht në linjat e komunikimit dhe mbrojtjes në rajon, përfshirë edhe qytetin kyç të Kramatorskut. Ekziston frika se një përparim rus në Pokrovsk do t’i jepte Putinit një fitore simbolike për t’u shfaqur në samitin me Trump-in.
Ndërkohë, Rusia po ushtron gjithnjë e më shumë presion në rajonet e Dnipropetrovskut dhe në kufirin mes Kharkivit dhe Luganskut. Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe frontit jugor, në Zaporizhzhia dhe Kherson. Megjithatë, një ofensivë e madhe në Kherson do të kërkonte kalimin e lumit Dnipro, duke ekspozuar trupat ndaj zjarrit të artilerisë ukrainase. Edhe në Zaporizhzhia, ku terreni i hapur është i favorshëm për tanket, forcat ukrainase kanë ndërtuar një sistem të gjerë bunkerësh mbrojtës.
Një ofensivë ruse në këtë sektor mund të vërë në presion serioz komandën e Kievit, e cila tashmë përballet me tre fronte aktive që ndodhen mbi 300 kilometra larg njëra-tjetrës.
Ndërsa Moska vazhdon të mobilizojë vullnetarë dhe të ruajë forcat e saj të blinduara për operacione të mundshme befasuese, Ukraina përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore dhe ndihmës ushtarake. Mbështetja nga SHBA është tkurrur ndjeshëm, ndërsa vendet evropiane nuk po arrijnë ta kompensojnë këtë deficit.
Megjithatë, Kievi nuk jep shenja dorëzimi. Ka spekulime se mund të jetë në përgatitje e sipër për një sulm të ri në territorin rus të ngjashëm me operacionin në Kursk vitin e kaluar për të dëshmuar vullnetin për rezistencë të vazhdueshme.