Putinizmi si sindromë, nga Kremlini në Ballkan

28 maj 2025 | 12:01

Shkruan: Hisen Berisha

Deklarata e Papa Leos XIV gjatë takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku u theksua rritja e varfërisë dhe zgjerimi i regjimeve autoritare, nuk është thjesht një vëzhgim mbi Ukrainën por është një sinjal alarmi që tejkalon kufijtë e saj gjeografikë.
Kjo vërejtje ngjall një asocim të menjëhershëm me klimën politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor, ku po shfaqen shenja të qarta të përqendrimit të pushtetit dhe erozionit të demokracisë. Fenomeni i njohur që do ta cilësoja si “Sindroma Ruse” ose më saktë, “Putinizmi”, duket se ka gjetur terren të përshtatshëm për kultivim edhe jashtë Rusisë.
Në Kremlin, Vladimir Putin ka orkestruar një skemë politike të sofistikuar për ruajtjen e pushtetit. Për disa mandate ka ndodhur ndërrimi i roleve me Medvedevin, manovrat për ndryshime kushtetuese të vitit 2020 dhe referendumi i shumëkontestuar që i hapi rrugë zgjatjes së sundimit të tij deri në vitin 2036.
Ky proces, i ndërtuar mbi aparencën e ligjshmërisë demokratike, përfaqëson në thelb një autokraci të institucionalizuar.
Kjo filozofi e pushtetit të përjetshëm nuk ka mbetur e izoluar.
Në Shqipëri, Serbi, Rumani, së fundmi edhe në Kosovë, tashmë liderë dhe partitë që drejtojnë po synojnë, përkatësisht ushtrojnë mandatin e tretë dhe të katërt.
Me përqendrim të pushtetit absolut në drejtim të shtetit dhe me kontroll të thelluar parlamentar, kanë ardhur në një stad ku kufijtë mes autoritetit të fituar përmes votës dhe pushtetit të pakufizuar fillojnë të zbehen.
Me një shumicë të pakontestueshme dhe të gatshme për ndryshime kushtetuese, përballja me tundimin e përqendrimit të skajshëm të pushtetit autokratik është më aktuale se kurrë.
Ngjashmërisht, shtetet e Ballkanit kanë ndërtuar një sistem ku ekzekutivi dominon totalisht skenën institucionale, duke ndjekur të njëjtën logjikë qeverisëse si në Moskë: kontroll total mbi median, opozitën e fragmentuar dhe një diskurs politik të kapur nga figura e liderit të “pathyeshëm”.
Ky lloj përqendrimi monist i votës dhe pushtetit nuk ka vend në demokracitë e konsoliduara perëndimore, as në SHBA, ku kufizimi i mandateve, ndarja e pushteteve dhe kontrolli institucional janë themel i funksionimit demokratik.
Ndërsa në vendet që kanë kaluar një të kaluar nën regjime totalitare komuniste ose monarki autoritare mesjetare, siç janë disa vende të Ballkanit, Azisë e Afrikës, prirja për të pranuar liderë të “fortë” dhe qeverisje të pakontestuar mbetet ende e gjallë.
Në këtë kuadër, duhet përmendur edhe një trend gjithnjë e më i dukshëm në Kosovë, ku mendësia moniste, autokratike dhe autoritariste po reflektohet hapur në proceset politike dhe zgjedhore.
Zgjedhjet e fundit janë shoqëruar me ndikim të madh të propagandës, polarizim të thelluar, përçarje sociale, retorikë populiste dhe, mbi të gjitha, sponsorizime financiare e politike nga burime të dyshimta.
Ka shqetësime të ngritura nga aktorë të ndryshëm institucionalë dhe shoqërorë se këto elemente janë përdorur si instrumente për të bllokuar procesin politik dhe për të ndikuar instalimin e një forme të re të totalitarizmit elektoral, duke i dhënë mandatin e tretë një personi të vetëm politik, një zhvillim ky që disa analistë e konsiderojnë si përfshirje nga “sindroma ruse” apo “putinizmi”, në një version të sofistikuar por thelbësisht autokratik.
Ky personazh politik, pas përjashtimit nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së në mandatin e tij të parë qeverisës për shkelje të “vijave të kuqe” të gjeostrategjisë amerikane në raport me Kosovën, siç është deklaruar edhe në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ndodhet nën presionin gjithnjë e më të dukshëm të atyre që kanë sponsorizuar fitoren e tij elektorale, për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit me çdo kusht e mjet.
Ky kostelacion akuzash publike, në kontekstin e inteligjencës shtetërore, sugjeron ekzistencën e një strukture më të gjerë politiko-ekonomike, e cila, sipas disa vlerësimeve, mund të përfaqësojë interesa që shkojnë përtej shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Prandaj, shqetësimi i Papa Leos XIV është më se i drejtë dhe i goditur, sepse përhapja e këtyre praktikave përbën rrezik serioz për demokracinë, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonin tonë dhe më gjerë në botë.
Në Kosovë, po të analizohet kontekstualisht, rrezikohet jo vetëm demokracia si mekanizëm politik, por edhe vetë qëndrueshmëria e rendit kushtetues dhe legjitimiteti i institucioneve.
Kjo është arsyeja pse nevojitet një reflektim serioz dhe i guximshëm institucional, shoqëror dhe ndërkombëtar. Demokracia nuk është vetëm rezultat i votës por është sistem që kërkon kufizim të pushtetit, kontroll të balancuar dhe ndarje funksionale. Përndryshe, rrezikojmë të hyjmë në një epokë të re të sundimit përmes frikës dhe jo përmes besimit qytetar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…