PZAP-i: Ankesa e PDK-së për votat në Mitrovicë është në proces të shqyrtimit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë me dije se ankesa e PDK-së lidhur me parregullsitë ne fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut është në proces të shqyrtimit.
Në një përgjigje për “RTV21”, ky institucion ka thënë se vendimin ndaj kësaj ankese do ta merr brenda afatit ligjor.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se PZAP-i ka pranuar ankesën me nr. ZL.Anr.439/2025, që ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut. PZAP-i, është në proces të shqyrtimit dhe brenda afatit të paraparë ligjor për të njëjtën do të vendos”, ka njoftuar PZAP-i.
Të pyetur nëse ka ndonjë ankesë nga ndonjë parti tjetër për fletëvotime me numra të ndryshëm serik në ndonjë komunë tjetër, PZAP-ja ka thënë se nuk kanë ankesa tjera.
“Ndërsa, sa i përket pyetjes suaj nëse janë pranuar ankesa të tjera me natyrë të ngjashme nga ndonjë subjekt tjetër politik apo për ndonjë komunë tjetër, ju njoftojmë se PZAP-i nuk ka pranuar ankesa të tilla”, ka njoftuar PZAP-i.
Përveç kësaj, PZAP-i ka theksuar se ka pranuar edhe ankesën me nr. ZL.Anr.440/2025, e cila ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit në Komunën e Drenasit. PDK-ja tri ditë më parë kishte dorëzuar ankesë në PZAP për fletëvotimet me numra të ndryshëm serik në Mitrovicë të Jugut me pretendimet për manipulim votash në këtë komunë.



