Qazim H. Berisha boton monografinë për ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave

07 tetor 2021 | 17:50

Javë më parë autori Qazim H. Berisha ka botuar monografinë “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave (1951-1993)”. Sipas autorit, në këtë libër trajtohet një plagë jona e madhe dhe e pambyllur, që kërkon drejtësi mbi “ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave (1951-1993)”. Për këtë monografi Berishës i janë dashur punë njëzet e katër vjet, që nga shtatori i vitit 1996 kur filloi të shkruajë për ushtarët shqiptarë të vrarë të cilët nga A(P)J ktheheshin në arkivole, fillimisht në dy gazetat shqiptare që dilnin atëbotë në Prishtinë, “Fjala jonë” dhe “Gazeta shqiptare”.

Autori, në parathënien e librit, një pjesë të së cilës po e japim më poshtë, ka treguar se të gjitha ato shkrime dhe fotografi të ushtarëve të vrarë i janë djegur në shtëpinë e tij në luftën e Kosovës më 1999. “Librin për ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave nuk kam arritur ta nxjerr në dritë për njëzet e katër vjet me radhë, edhe pse kisha punuar me përkushtimin më të madh. Pata filluar t’i publikoj ato shkrime para lufte për çdo ushtar shqiptar të vrarë, të kthyer në arkivole nga Armata Jugosllave. Publikimi u bë në vitin 1996/97 në fejtonin e gjatë, më shumë se një vit e gjysmë, në gazetën ‘Fjala jonë’ që dilte asokohe në gjuhën shqipe në Kosovë, e pastaj kam vazhduar fejtonin për tetë muaj në ‘Gazeta shqiptare’ prej janarit 1998 e deri në mbylljen e saj. Gjatë atyre dy viteve kam rrugëtuar fshat më fshat dhe në qytete të ndryshme të Kosovës, duke i kërkuar familjarët e ushtarëve të vrarë në Armatën Jugosllave. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi më ka 8 shoqëruar vëllai im, profesori i historisë, Selim Berisha, tani dëshmor i kombit, në 20-vjetorin e rënies së tij nga Presidenca e Kosovës është shpallur ‘Hero i Kosovës’. Vëllait tim i ndrittë shpirti në amshim, ashtu siç i ndriti në jetë!… Të gjitha publikimet që i kam bërë në këto dy gazeta m’i dogji lufta, bashkë me gazeta dhe fotografi të ushtarëve dhe me mbi 1 500 tituj librash, pra komplet biblioteka familjare bashkë me shtëpinë. Më në fund, pas sugjerimeve të miqve dhe të familjarëve të mi, që përsëri të rifilloj përgatitjen e këtij libri, vendosa ta finalizoj me ndihmën e Zotit, duke punuar në këtë kohë të vështirë pandemie, me shumë vështirësi, me plot emocione, madje shpesh edhe me lot në sy. Kontaktova gati me të gjithë familjarët e ushtarëve të vrarë nëpërmjet telefonatave e pastaj edhe u takova me ta, të cilët nuk hezituan për bashkëpunim. Të paktë ishin ata që refuzuan të japin informacione se në çfarë rrethanash është vrarë familjari i tyre në Armatën Jugosllave. Unë këtë libër e quaj libri i dhembjes dhe i mallit që flet për këta djem të Kosovës të cilët nuk patën fuqinë mbrojtëse për t’u rezistuar skenarëve ogurzezë të eprorëve të pashpirt ushtarakë serbë. Mesazhet që kam marrë nga miqtë e shumtë dhe nga familjarët e ushtarëve të vrarë më kanë inkurajuar duke më shkruar se as vetë nuk e di çfarë pune me peshë të madhe historike e kombëtare jam duke e kryer, sikur të isha një institucion në vete. E di se ky libër nuk mund të dalë i përkryer, edhe pse jam munduar që të jetë i korrigjueshëm në çdo aspekt. Mbase mund të mbetet jashtë faqeve të tij edhe ndonjë ushtar për shkaqe objektive, pasi familjarët e tyre kanë ikur në Perëndim dhe nuk kam arritur të kontaktoj me ta. Do ta vlerësojnë familjarët e dëshmorëve të këtij libri dhe lexuesit e sinqertë, kur do ta kenë në dorë, se sa kam arritur t’i paraqes të gjithë këto ngjarje fatale për familjet dhe popullin tonë gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore dyzetvjeçare, kur ndodhën këto tragjedi tronditëse. Çdo vërejtje dhe sugjerim nga lexuesit e nderuar është e mirëpritur. Pres ndihmën e tyre të sinqertë, me qëllim që në ndonjë ribotim të këtij libri të evitohen të gjitha lëshimet e mundshme”. /Epoka e re/

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “Pfizer” ka bërë me dije të enjten se ka…