Qendra e Studentëve gati për studentët që nisin e vazhdojnë rrugën akademike në UP

27 gusht 2025 | 10:30

Udhëheqësit e disa drejtorive të Qendrës së Studentëve, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të saj, erdhën në Rektorat për të njoftuar menaxhmentin e UP-së rreth përgatitjeve të pranimit të studentëve në konvikte dhe mensë, në prag të fillimit të vitit akademik 2025/’26.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, bashkë me prorektoren për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, pritën drejtorin e përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudarin, drejtorin e strehimit, kulturës dhe sportit, Isak Behën, dhe drejtorin e kuzhinës dhe restaurantit, Fahri Osmanin.

Rektori Hajrullahu u dëshiroi mysafirëve të tij një vit të mbarë, të suksesshëm e pa probleme gjatë strehimit dhe përgatitjes së ushqimit për studentët, ndërsa zyrtarët e lartë të Qendrës së Studentëve treguan se gjithçka është gati për t’i pritur sa më mirë ata e ato që studiojnë në UP, ushqehen në mensë, strehohen në konvikte e përgatiten për provime në hapësirat e kësaj qendre.

Në takim u fol edhe për koordinim mes Qendrës së Studentëve dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për të mundësuar që edhe studentët e pranuar në konkursin plotësues në shtator të kenë mundësinë e shfrytëzimit të mensës dhe konvikteve.

Për dallim nga vitet tjera, kur mësimi në UP fillonte më 1 tetor të çdo viti, me statutin aktual të miratuar në vitin 2024, viti akademik nis më 15 shtator.

Qendra e Studentëve çdo vit pranon rreth 4000 studentë në hapësirat e saj të strehimit, studimit dhe ushqimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Maskarada procedurale në sallën e Kuvendit, e…