
Qëndrimit i lëkundshëm i Trumpit për bisedime me Iranin shkakton hutim në Teheran
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se nuk po zhvillon bisedime me Iranin, duke e ndryshuar shpejt qëndrimin e javës së kaluar kur kishte pohuar se bisedimet me Teheranin do të zhvilloheshin shumë shpejt, pavarësisht se Irani kishte hedhur poshtë këtë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi të hënën se ai “nuk po i ofron Iranit asgjë… dhe as nuk po flas me ta prej kur ia shkatërruam plotësisht centralet e tyre bërthamore”.
Shtetet e Bashkuara i bombarduan tri objekte kyçe bërthamore të Iranit më 22 qershor, përfshirë edhe objektin e fortifikuar nëntokësor në Fordo, raporton Rel.
Duket se Trumpi po i përgjigjej komenteve të senatorit demokrat, Chris Coons, i cili kishte vënë në dyshim deklaratat e mëparshme të Trumpit, ku ky i fundit kishte thënë se Kina mund të rifillonte blerjen e naftës nga Irani pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Izraelit dhe Iranit, më 24 qershor.
“Ose Presidenti Trump nuk e di që administrata e tij ka vendosur sanksione shkatërruese mbi naftën iraniane, ose nuk i intereson nëse kundërshtarët tanë i shkelin këto sanksione. Nuk e di cila nga të dyja është më shqetësuese”, shkroi Coons në X.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, e akuzoi të hënën administratën Trump për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve.
“Këto ndryshime të vazhdueshme dhe sinjalet e përziera, që janë kthyer në një model të rregullt të sjelljes amerikane gjatë tre apo katër muajve të fundit, nuk janë diçka mbi të cilën mund të mbështetemi”, tha ai gjatë konferencës së tij javore për shtyp.