Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet politik për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme për vendin

15 korrik 2020 | 21:12

Shkruan: Rreze Xhemajli (Politologe)

Fjala legjitimitet (nga latinishtja legitimare, nënkupton ‘’i ligjshëm’’) gjerësisht nënkupton të qenit i duhur dhe në përputhje me ligjin. Mendimtarët politikë e trajtojnë legjitimitetin si një parim moral apo të arsyeshëm, arsyet mbi të cilat qeveritë mund të kërkojnë bindje nga qytetarët.

Kjo lloj bindje e qytetarëve d.m.th. se pushteti i qeverisë është arritur në mënyrë të drejtë, ushtrohet në mënyrë të drejtë, u shërben qytetarëve dhe përkrahet nga ta ka të bëjë me legjitimitetin politikë të një qeverie. Legjitimiteti dallon nga ligjshmëria sepse kjo e fundit nuk garanton domosdoshmërisht që një qeveri të respektohet apo që qytetarët e saj të pranojnë detyrimin e bindjes.

Por a ka legjitimitet popullor qeveria aktuale e Kosovës?
Fillimisht, Qeveria Hoti nuk është rezultat i vullnetit dhe votës së qytetarëve dhe rrjedhimisht nuk gëzon përkrahjen e tyre. Pra, kemi të bëjmë më një qeveri e cila në një formë u është imponuar qytetarëve, në kohë pandemie! Vullneti i tyre është shkelur, përmes sigurimit të 61 votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës (përfshirë këtu edhe deputetët e Listës Serbe si pjesë e koalicionit qeverisës) për ta votuar atë.

Qeveria aktuale, është krijuar përmes një shumice të brishtë në Kuvend dhe ky fakt e bënë shumë të pafuqishme politikisht. Dobësia e kësaj qeverie u dëshmua tani me rastin e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend dhe votimin e rishikimit të buxhetit për vitin 2020, ku nuk i kishte votat e nevojshme, apo kuorumin.

Përveç kësaj, tani që Kosova do të përballet me procesin e dialogut me Serbinë, do të shpërfaqet edhe më shumë dobësia e kësaj qeverie, sepse dihet që për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kërkohet një shumicë më e gjerë, pra prej 120 deputetëve kërkohen 2/3 e deputetëve të Kuvendit apo 80 vota në Kuvend, dhe kjo qeveri ka vetëm 61 vota (madje jo të sigurta) duke e ditur që kemi Listën Serbe, e cila shumë lehtë mund të mos votojë. Pra, kjo qeveri nuk ka legjitimitet e as fuqi politike, dhe as nuk e ka një plan të qartë për ta udhëheqë dialogun.

Kosovës i duhet një qeveri legjitime, që ka vullnetin e popullit, e cila do të ketë një platformë të qartë për dialogun dhe konsensus të brendshëm politikë. Për t’u siguruar kjo, zgjidhja e vetme do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare pas pandemisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua kosovare ka humbur jetën në plazhin e Shëngjinit.…