
Qeveria e Luksemburgut rrit shumën e financimit për Kosovën në 50 milionë euro
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë, Besnik Bislimi, ka ptirut të premten në takim ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, së bashku me drejtorin e Departamentit për Bashkëpunim Dypalësh, Rene Lauer në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Luksemburgut.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri falënderoi ambasadorin dhe shtetin e Luksemburgut për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës ndër vite.
Ai theksoi rëndësinë e këtij partneriteti në forcimin e institucioneve dhe avancimin e reformave për zhvillim të qëndrueshëm.
Ambasadori dhe drejtori i bashkëpunimit shprehën mirënjohjen rreth angazhimit dhe rezultateve të dukshme të institucioneve të Kosovës, ndër të cilat disa janë arritur përmes projekteve në kuadër të ndihmës dhe bashkëpunimit bilateral.
Në takim u diskutua mbi rëndësinë e harmonizimit të mëtejshëm të prioriteteve dhe projekteve të përbashkëta, me qëllim të thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Një ndër pikat e diskutimit ishte edhe marrëveshja e re dypalëshe, në kuadër të së cilës Qeveria e Luksemburgut ka rritur shumën e financimit për Kosovën në 50 milionë euro, nga 35 milionë sa ka qenë ajo e 2023-2026. Kjo marrëveshje, për vitet 2026-2030, pritet të nënshkruhet në takimin e dhjetë bilateral që do të mbahet në Luksemburg gjatë muajit korrik të këtij viti.
Edhe kjo marrëveshje si ajo paraprake synon të kontribuojë në forcimin e admistratës publike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.
Ndërsa, fushat prioritare të bashkëpunimit do të jenë: arsimi, shëndetësia, inovacioni, digjitalizimi, siguria kibernetike, si dhe fusha të tjera me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Gjatë muajve në vijim institucionet do të punojnë në identifikimin e projekteve dhe detajizimin e tyre.