Qeveria miraton Kodin e Procedurës Penale

15 janar 2019 | 16:43

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, kabineti qeveritar është informuar me gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka prezantuar situatën dhe sfidat me të cilat është duke u përballur kjo kompani publike me interes vital për zhvillimin e vendit. Në veçanti ka theksuar gjendjen me mungesën e shërbimeve të mirëmbajtjes së aparaturës së kompanisë, vëmendja institucionale dhe mungesa e ristrukturimit të kompanisë, janë disa nga sfidat që janë duke e pamundësuar edhe funksionalizimin e Telekomit.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur angazhimin e kabinetit qeveritar për të mbështetur Telekomin e Kosovës që të funksionojë me afarizëm pozitiv, por ka theksuar se mbështetjet financiare nga buxheti, kjo Qeveri nuk i parapëlqen.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka kërkuar që kabineti qeveritar të pranojë një analizë në një raport të shkruar nga menaxhmenti i kompanisë dhe gjithashtu ka kërkuar që të përpilohet një plan biznesi i qëndrueshëm, që do të paraqiste ide se si duhet të dalim nga kjo situatë.

Po sot, Qeveria ka themeluar Komitetin ndërministror për përzgjedhjen e projektit në pajtim me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz do të realizohet sipas projektit që do të përzgjidhet pas një shpallje të hapur publike. Projekti duhet të përmbajë pjesën e varrezave, konservimin e kullave të rezistencës, bunkeri, objektin informativ, amfiteatrin veror dhe objektet tjera përcjellëse.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/76 të datës 21.11.2018, me të cilin përjashtohen nga taksat mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që janë importuar deri me datë 21.11 2018, dhe janë gjetur nën procedurat doganore me regjim të pezulluar (depo doganore, import të përkohshëm, përpunim nën kontroll doganor dhe përpunimi i brendshëm) me rastin e lëshimit në qarkullim të lirë. Sipas raportit nga Dogana e Kosovës, prej datës 21.11.2018, mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja nuk janë lejuar të futen në Depo Doganore për pezullim të taksave, përveç brendeve. Ndërsa pas Vendimit numër 06/82 date 28.12.2018 kjo ndalesë vlen edhe për brendet ndërkombëtare.

Më 12, 13 dhe 14 dhjetor nga ana e zyrtareve doganor janë kontrolluar fizikisht mbi 95 për qind të të gjitha këtyre produkteve dhe ka konstatuar se të njëjtat janë te disponueshme tek subjektet afariste, pra janë te magazinuara në Depo Doganore. Këto mallra kanë afat qëndrimi në Depo Doganore 1 vit nga data e futjes në depo. Sipas kriterit të licencimit për depo doganore është paraparë që çdo mall në import me regjim në depo doganore të shkarkohet brenda një viti nga data e importit, përveç rasteve të veçanta.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Kodin e Proceduarës Penale, një tjetër veprim i rëndësishëm për ta përmbyllur infrastrukturën ligjore dhe në vijën e ndryshimit të legjislacionit penal të Republikës së Kosovës, e evidentuar si nevojë e ndryshimit dhe plotësimit të disa dispozitave, të cilat në Kodin aktual kanë paraqitur vështirësi në zbatimin e tyre.

Në hartimin e Kodit të Procedurës Penale janë marr parasysh eliminimi i të gjitha mangësive, zbrazëtive dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të Kodit aktual.

Gjithashtu ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar vendimi për organizimin dhe funksionimin e strukturave institucionale për të dhëna të hapura, i cili ka për qëllim të ngritë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike. Hapja e të dhënave synon forcimin e qeverisjes së mirë dhe rritë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe përforcon detyrimin e Qeverisë për të respektuar sundimin e ligjit dhe siguron një bazë transparente dhe të përgjegjshme për të përmirësuar vendimmarrjen dhe për të rritur ofrimin e shërbimeve publike.

Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë vartëse të Qeverisë që të hapin të dhënat e tyre në përputhje me interesin publik dhe t’i publikojnë ato në portalin kombëtar për të dhëna të hapura, pa ndonjë pengesë ose kosto administrative.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Përfaqësues së Kosovës, Amir Rrahmani ka treguar arsyen…