Qeveria ndan 8.9 milionë euro për 198 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme

08 tetor 2025 | 12:48

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetjen financiare të 198 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë përzgjedhur si përfituese të mbështetjes financiare në vlerë 8.9 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ndodhet në mesin e atyre bizneseve, kryeministri tha se në përputhje me vizionin tonë për qeverisje të mirë, zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie, siguri dhe barazi; krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona, mbeten prioritete të pandryshuara. “Me këtë investim të radhës, ne po ofrojmë mbështetje direkte për shpalosjen e potencialit dhe rritjen e industrisë vendore. Pra, pikërisht për ata që janë kontribuues kyç të zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik, social dhe mjedisor në vendin tonë”, tha kryeministri.

198 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme janë përfituese nga tri skema të granteve nga KIESA: Skema e granteve për mbështetje ndërmarrjeve prodhuese me potencial për eksport, për blerjen e makinerive prodhuese, nga e cila janë 129 ndërmarrje përfituese me vlerë financiare prej 7.3 milionë euro; Skema e granteve në mbështetje të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e TIK-ut, nga e cila kanë përfituar 42 ndërmarrje, me vlerë prej 1 milion euro; dhe Skema e granteve për certifikimin e produkteve, me gjithsej 27 biznese përfituese, në vlerë prej 600 mijë euro.

“Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, është shembull i qartë i përkushtimit për ta mbështetur industrinë dhe për të krijuar mundësi të reja në një klimë biznesi adaptues dhe konkurrues në Kosovë. E nganjëherë sektori i industrisë nuk kuptohet mjaftueshëm që shtysë kryesore nuk e ka thjeshtë profitin, por zgjerimin. E neve na leverdisë shumë zgjerimi i industrive tuaja, sepse sa më shumë që zgjerohen industritë tuaja aq më shumë zëvendësohen importet, rriten eksportet dhe rritet ekonomia e vendit tonë”, u shpreh Kurti gjatë kësaj ceremonie.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se po shënojmë një sukses të radhës për ekonominë tonë, për mirëqenien e qytetarëve tanë në krah me industrinë vendore.

Ajo shtoi se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve kontribuon në mënyrë më efektive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarët e Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe…