
Qeveria “në zyrë”, Kushtetuta “në pushim”
Shkruan: Hisen Berisha
Dita-ditës, jemi dëshmitarë të një përpjekjeje sistematike për të shkelur Kushtetutën dhe për ta paraqitur këtë si normalitet politik. Kjo nuk është vetëm shkelje ligjore, por është një rrezik për rendin demokratik në vend. Nëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës lexohet dhe zbatohet si “llastik”, siç e ka thënë me ironi z. Ramiz Lladrovci, atëherë nuk kemi më shtet ligjor, por një projekt politik të improvizuar sipas interesit të ditës.
E vetmja mënyrë për ta ruajtur rendin demokratik është që Kushtetuta të respektohet pa përjashtim dhe qeveria e re të ndërtohet me legjitimitet, jo mbi pazare me Listën Serbe apo mbi gjuhë linçuese ndaj opozitës.
Ndërkohë që LVV, për ta bërë qeverinë, kalkulon në votat nga Lista Serbe, opozita provohet që me retorikë propagandistike në kor të shpallet fajtore.
Pra, në të njëjtën kohë që retorika ndaj opozitës ashpërsohet, burimet e brendshme informale tregojnë se LVV i ka numrat për të krijuar qeverinë, vetëm me katër vota nga deputetët e ashtuquajtur “rebelë” të Listës Serbe, për të cilët kisha paragjykuar tri sish – në paralele me mungesën e tri votave të NISMËS së z. Limaj. Duhet vënë në pah se edhe dy vota nga minoritetet jo-serbe, që sipas raportimeve të trajtuara edhe në KSK me insistim të Kryeministrit të dorëhequr, kontrollohen nga Radoiçiq.
Megjithatë, Kurti nuk po ndërton qeverinë sepse nuk ka interes, sepse objektivi duket të jetë çuarja e vendit në zgjedhje të reja nën parullën “opozita po e bllokon jetën institucionale”, duke ia shtuar edhe paralelen në kor të të gjithë eksponentëve të qeverisë me Listën Serbe.
Ky manipulim narrativ është i qartë: qeveria aktuale kërkon të shfaqet si palë që ofron zgjidhje, ndërsa opozita etiketohet si bllokuese. Por realiteti është ndryshe: qeveria në detyrë po mban peng rendin kushtetues, ndërkohë që me gjuhë përçarëse dhe akuza të pabaza po ushtron presion mbi institucionet dhe opinionin publik.
Ajo që pamë në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte një fillim i ri me shkelje të vjetra.
Për ironi, kjo nuk është hera e parë që legjislatura nis me shkelje të Kushtetutës. Në fakt, që pas shpalljes së pavarësisë, çdo legjislaturë e re ka nisur heshtazi me këtë shkelje, pa u trajtuar seriozisht nga asnjë institucion. Por këtë herë, përballë një qeverie me mandat të skaduar dhe me një vullnet të dukshëm për ta shfrytëzuar këtë periudhë për kalkulime politike, kjo shkelje merr dimension të rrezikshëm institucional.
Deklaratat publike të eksponentëve të qeverisë, që paralelizojnë opozitën me Listën Serbe, të cilën vazhdojnë ta etiketojnë me akuzat për “akte terroriste” ani se e certifikuar brenda sistemit zgjedhor dhe e paakuzuar as si subjekt si (organizatë terroriste) apo si individë të involvuar në vepra të penalizuara si Banja’23, quajtja e shtetit të Kosovës me emër jokushtetues – të gjitha këto dëshmojnë se qëllimi nuk është ndërtimi i një qeverie funksionale, por diskreditimi i çdo zëri opozitar dhe kontrolli i narracionit publik.
Nëse aplikacioni social i internetit “Facebook” nuk është kategori teknike kushtetuese, a mund të konsiderohen dorëheqjet në Facebook dhe pa adresë ligjore? Kjo forma më e përshtatshme teknikë e propagandes partiake për ti mbajtur zgjuar emocionet e mbështetësve militant apo “analfabet funksional” brenda mashtrimit politik?!
Pra, në vend të dorëheqjeve zyrtare të protokolluara në Kuvend ose në institucionet përkatëse, anëtarët e Qeverisë në dorëheqje po vazhdojnë të mbajnë zyrat e tyre dhe të veprojnë si të ishin ende me mandat të plotë. Ndërkohë, një pjesë e këtyre dorëheqjeve janë bërë përmes rrjeteve sociale si Facebook, pa ndonjë vlerë ligjore formale, duke e bërë farsë shtetformimin dhe seriozitetin institucional.
E vetmja sjellje kushtetuese dhe për t’u marrë si model vjen nga kandidati i PDK-së për kryeministër, z. Bedri Hamza, i cili dha dorëheqje nga mandati i deputetit ngase mban postin ekzekutiv si kryetar i Komunës së Mitrovicës.
Rrethana e krijuar dëshmon për shkelje të qarta të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë.
Qëndrimi i anëtarëve të qeverisë në pozitat ekzekutive, përfshirë kryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat, pa dhënë dorëheqje para betimit si deputetë, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në nenet kontradiktore që krijojnë dihotomi juridike interpretative, ai 61 dhe 70, si dhe të Ligjit për Qeverinë.
Kushtetuta është e qartë: askush nuk mund të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i Qeverisë pas momentit të betimit në Kuvend. Ky është një parim themelor i ndarjes së pushteteve dhe i papajtueshmërisë së funksioneve publike.
Madje, Ligji për Qeverinë, në nenin 26 pika 1, vendos një afat edhe më strikt, duke kërkuar që anëtari i Qeverisë të japë dorëheqje para certifikimit të rezultatit zgjedhor – një dispozitë që bie ndesh me vetë frymën e Kushtetutës, por që sërish nuk mund të interpretohet si mundësi për të ushtruar dy funksione njëkohësisht.
Nga zhvillimet e fundit në skenën institucionale të Kosovës, po bëhet gjithnjë e më e qartë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk po veprojnë me qëllim të ndërtimit të stabilitetit politik dhe institucional. Përkundrazi, çdo lëvizje e tyre duket se është e kalkuluar për të krijuar krizë, për të polarizuar opinionin publik dhe për të shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja, përmes një spektakli të qëllimshëm parlamentar.
E vetmja mënyrë për ta ruajtur rendin demokratik është që Kushtetuta të respektohet pa përjashtim.
Nëse qeveria e re nga LVV, si fituese, do që të ndërtohet me legjitimitet, atëherë kjo s’mund të jetë e tillë mbi pazare me Listën Serbe apo mbi gjuhë linçuese ndaj opozitës.
Institucionet nuk mund të ndërtohen mbi shkeljen e ligjit. E aq më pak, demokracia.